Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar të martën se nuk ka një shpjegim racional për situatën nëpër të cilën po kalojnë institucionet e Kosovës, në veçanti Kuvendi, i cili nuk është konstituuar ende. Kurti e ka bërë fajtore opozitën pse ai vazhdon të jetë kryeministër në detyrë, tek shtoi se ajo nuk është e interesuar t’ia shkurtojë mandatin Qeverisë të cilën e udhëheq
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka fajësuar opozitën që e kanë lënë atë të drejtojë qeverinë gati pesë muaj nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare. Sipas tij, çdo opozitë demokratike përpiqet t’ia shkurtojë mandatin ekzekutivit, përveç opozitës kosovare.
“Unë kam hyrë në çerekun e dytë të vitit të pestë të mandatit të plotë. Çdo opozitë demokratike përpiqet që t’ia shkurtojë mandatin Qeverisë, përveç opozitës kosovare, që siç jeni dëshmitarë të gjithë po ia zgjat mandatin Qeverisë aktuale. Dikush edhe mund të mendojë se kemi marrëveshje. Ne si qeveri në detyrë kemi marrëveshje me opozitën aktuale që të qëndrojmë sa më gjatë në pushtet, por kjo nuk është e vërtetë. Unë nuk kam shpjegim racional për këtë sjellje nëpër të cilën po kalojnë institucionet e Kosovës, në veçanti Kuvendi ende i pathemeluar, pasi Qeveria është në detyrë. Ne kemi më pak kompetenca, por njësoj punë. Sa më herët që e konstituojmë Kuvendin me votim të fshehtë, aq më shpejt do të jemi te Qeveria e re. Ndërkohë që s’ka qeveri të re Kurti III, ka Qeveri në detyrë, Kurti dy pikë pesë”, ka thënë Kurti të martën, me rastin e përurimit të nisjes së punimeve për depon e re të barnave në Kosovë bashkë me ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia.
Kurti shtoi se partitë e tjera e kanë rastin ta testojnë nëse i ka votat për formim të qeverisë së re, tek pasi të konstituohet Kuvendi.
“Kur të vjen puna e qeverisë, që është përgjegjësi e subjektit fitues në mënyrë ekskluzive, atëherë ne duhet ta dëshmojmë veten. Kuvendin duhet ta bëjmë të gjithë bashkë. Kuvendin nuk e themelon subjekti fitues, pavarësisht sa vota i ke duhet të bëhemi bashkë që të themelojmë Kuvendin e kanë pasur të qartë qëllimin...Të kalojmë te 15 ditët kur duhet të themelohet qeveria me mua si mandatar, ku unë duhet të dëshmoj veten dhe opozita të më testojë”, ka theksuar Kurti.
Kurti e përmendi edhe refuzimin që ia bëri Lidhja Demokratike ftesës për bashkëqeverisje.
“Ofrova bisedime për koalicion qeveritar LDK-së. U refuzua shumë ashpër. Kur nuk duan marrëveshje për procedurë për themelim të Kuvendit dhe as marrëveshje politike për formim të qeverisë që është hapi i radhës, jo i pari, atëherë çfarë të bëj unë. Unë po e kryej obligimin tim duke mos munguar në asnjë vazhdim të seancës. Prejse kemi filluar me datën 15 prill, mua më keni pasur aty çdo 48 orë. Unë po flas këtu dhe jo te Kuvendi, pasi atje jam njëri nga 48 deputetët të subjektit fitues kaq, ndërkaq këtu si kryeministër në detyrë”, ka potencuar ai.
Deri tash, Kurti ka refuzuar ta ndryshojë emrin e Albulena Haxhiut si kandidate për kryetare të Kuvendit.
Partia Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë paralajmëruar votë pro nëse Vetëvendosje ofron një emër tjetër për kryeparlamentar.
Kuvendi ka tentuar 36 herë që ta konstituojë legjislaturën e nëntë. Lëvizja Vetëvendosje si parti fituese e zgjedhjeve nuk arriti t’i sigurojë votat për Albulena Haxhiun pas disa seancave me votim të hapur. Më pas nga kryesuesi Avni Dehari u propozua ndryshimi i mënyrës së votimit, nga i hapur në të fshehtë. Por procedura e votimit për formimin e komisionit për votim të fshehtë për kryeparlamentar deri tash nuk ka kaluar, pasi partitë që legjislaturën e kaluar ishin në opozitë nuk po marrin pjesë në votim, me arsyen se nuk mund të ndryshohet procedura në mes të procesit.