“Kur ka konsum më të lartë natyrisht se ka edhe faturë më të lartë. Shtrenjtim të energjisë elektrike nuk ka. Ne i kemi subvencionuar, kemi ndihmuar edhe sa u përket pajisjeve efiçiente për amvisëri, edhe për bizneset në vazhdimësi po përpiqemi maksimalisht me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, që të kenë furnizim të qëndrueshëm edhe çmime të përballueshme, por shtrenjtim të energjisë nuk ka”, ka thënë ai
Kryeministri Albin Kurti ka thënë të enjten se nuk ka shtrenjtim të energjisë elektrike në Kosovë, teksa i ka referuar qytetarët që t’iu drejtohen Kompanisë për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) dhe Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) lidhur me ankesat rreth fryrjes së faturave.
Qytetarë të shumtë kanë shprehur ankesë për pranimin e faturave të energjisë elektrike për muajin dhjetor me rritje të theksueshme të çmimit krahasuar me muajin paraprak.
“Nëse ka fatura të fryra, KESCO dhe ZRRE janë adresa të cilat duhet t’i adresojnë me seriozitet edhe me shpejtësi të gjitha ankesat, mirëpo nuk ka shtrenjtim të energjisë elektrike”, ka thënë Kurti gjatë një vizite në Fushë-Kosovë.
E pranimin e faturave të dhjetorit me kosto më të lartë, ai e ka justifikuar me rritjen e konsumit.
“Kur ka konsum më të lartë natyrisht se ka edhe faturë më të lartë. Shtrenjtim të energjisë elektrike nuk ka. Ne i kemi subvencionuar, kemi ndihmuar edhe sa i përket pajisjeve efiçiente për amvisëri, edhe për bizneset në vazhdimësi po përpiqemi maksimalisht me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, që të kenë furnizim të qëndrueshëm edhe çmime të përballueshme, por shtrenjtim të energjisë nuk ka”, ka theksuar ai.
Krahas çështjes së energjisë elektrike, Kurti në Fushë-Kosovë ka numëruar investimet në Korporatën Energjetike të Kosovë (KEK).
“Në Strategjinë tonë të Energjisë kemi paraparë që të investojmë jo vetëm në modernizimin e termocentralit ‘Kosova B’, por gjithashtu edhe në rehabilitimin e thellë të dy njësive të ‘Kosovës A’, jetëgjatësia e të cilave do të jetë 25 vjet. Për të parën, pra për modernizimin e njësive të termocentralit ‘Kosova B’ ne kemi nënshkruar kontratën në pranverë të këtij viti. Ndërkaq për të dytën tenderi do të shpallet në fillim të vitit që vjen 2024, pra për rehabilitimin e thellë të ‘Kosovës A’”, ka thënë ai.
Kurti ka thënë se tashmë kanë përfunduar shpronësimet dhe se po bëhen përgatitje për ndërtimin e Parkut Solar në KEK, me kapacitet prej 100 megavatesh.
Komentet Kurti i ka bërë me rastin e nisjes së punimeve për shtrirjen e rrjetit të ujësjellësit në fshatrat Bardh i Madh dhe Sllatinë e Madhe, si dhe në dy lagjet e Fushë-Kosovës. Projekti, i cili financohet nga Ministria e Infrastrukturës (MMPHI) dhe ajo e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) do të kushtojë 2.8 milionë euro, ndërsa afati i përfundimit të punimeve është 24 muaj.
Liburn Aliu, ministër i MMPHI-së, ka thënë se nga projekti do të përfitojnë rreth 10 mijë banorë.
“Vlera e kontratës është 2.8 milionë euro, në të cilën në marrëveshje jemi bashkë me Ministrinë e Administrimit të Pushteti Lokal dhe me kompaninë regjionale KRU ‘Prishtina’. Kontrata është nënshkruar dhe presim që sa më shpejt ta kemi edhe realizimin e këtij projekti, në mënyrë që pastaj të vazhdojmë edhe me projekte të tjera. Përndryshe, nevoja për këtë projekt ka dalë nga takimet që i kemi pasur në të shkuarën me banorët e fshatit Bardh, Sllatinë e Madhe, e lagjeve 28 e 29”, ka thënë ai.