Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është deklaruar në lidhje me qëndrimin e fundit nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, në lidhje me situatën mes Kosovës dhe Serbisë. Kurti e ka mirëpritur rolin e SHBA-së në këtë drejtim, derisa ka thënë se trysnia për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën duhet të bjerë mbi Serbinë.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë thirrje që aleatët ndërkombëtarë t`i bëjnë presion Serbisë në lidhje me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
Tek është përgjigjur në pyetjet lidhur me deklaratën e presidentit Donald Trump se do të merret me çështjen mes Kosovës dhe Serbisë, Kurti e ka mirëpritur rolin e SHBA-së.
“Unë besoj që normalizimi është i mundur, trysnia duhet të jetë mbi Beogradin dhe gjithmonë e mirëpresim rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat paraqesin aleatin tonë kryesor, partnerin e pazëvendësueshëm dhe mikun special në tri fusha kryesore, e para është mbrojtja, e dyta diplomacia dhe e treta është zhvillimi”, tha Kurti.
Të dielën, presidenti Trump në reagimin për situatën mes Izraelit dhe Iranit, e ka përmendur edhe ndikimin e tij gjatë mandatit të parë në arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, të njohur si marrëveshja e Washingtonit.
Ka thënë se konflikti mes të dyja shteteve ishte gati të shpërthente në luftë. Ai, po ashtu, paralajmëroi se shumë shpejt do t’i kthehet kësaj çështjeje.
Tre vjet nga marrëveshja e ndërmjetësuar nga presidenti Trump, Kosova e Serbia u dakorduan për një marrëveshje tjetër, atë të arritur në shkurt të 2023-tës.
Duke iu referuar kësaj marrëveshje, Kurti të hënën tha se ajo është duke u shkelur nga Serbia, e i përsëriti kërkesat ndaj palës serbe.
“Ne kemi një marrëveshje bazike me Serbinë e cila po shkelet nga Serbia dhe natyrisht që për të normalizuar marrëdhëniet midis dy vendeve tona është e domosdoshme që ata pikë së pari t’ua dorëzojnë autoriteteve të shtetit tonë Milan Radoiçiqin, kryekriminelin i cili na e vrau rreshterin policor, heroin e Kosovës, Afrim Bunjaku, më pastaj të pranojnë ta nënshkruajnë Marrëveshjen bazike me Aneksin e zbatimit dhe njëkohësisht edhe ta tërheqin atë letrën nga dhjetori i vitit 2023 kur ish-kryeministrja Bërnabiq pati thënë se nuk e respekton integritetin territorial Kosovës”, tha Kurti.
Këto deklarime, kryeministri në detyrë, i bëri gjatë vënies së gurthemelit të Qendrës së Mjekësisë Familjare në Shtime, në vlerë prej 2.4 milionë eurosh.
Sipas Kurtit, punimet synohet të përmbyllen brenda kohës prej dy vjet e gjysmë.