Në Ditën Ndërkombëtare për Zero Diskriminim, pesë organizata joqeveritare kanë dorëzuar një padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Për cenim të dinjitetit dhe diskriminim të pjesëtarëve të komunitetit LGBTIQ+ janë paditur Kuvendi dhe deputetja e Vetëvendosjes, Labinotë Demi-Murtezi. Ligji kundër shpifjes dhe fyerjes, në nenin 9 i pajis deputetët me imunitet për çdo deklaratë të bërë gjatë punimeve të organeve legjislative, si në debatet e hapura ashtu edhe në komisione
Në Ditën Ndërkombëtare për Zero Diskriminim, pesë organizata joqeveritare që angazhohen në mbrojtjen e të drejtave të njeriut kanë paditur deputeten e Vetëvendosjes, Labinotë Demi-Murtezi, e edhe Kuvendin e Kosovës për cenim të dinjitetit dhe diskriminimin e pjesëtarëve të komunitetit LGBTIQ+. Të dyja paditë janë dorëzuar në Gjykatën Themelore lidhur me gjuhën e përdorur në Kuvend gati dy vjet më parë, gjatë shqyrtimit të Projektkodit Civil.
Marigona Shabiu, drejtoreshë ekzekutive e Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR), ka thënë se në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës të datës 16 mars 2022, gjatë diskutimeve për Projektkodin Civil, deputetë dhe deputete të caktuara kanë keqpërdorur foltoren e Kuvendit për të demonizuar komunitetin LGBTIQ+.
“Drejtuesi i seancës plenare të Kuvendit nuk ka ndërmarrë ndonjë veprim për të mos lejuar apo për ta sanksionuar një gjuhë të tillë - siç e përcakton Rregullorja e Kuvendit. Këto deklarata të deputetes znj. Demi-Murtezi dhe disa deputetëve të tjerë, si dhe tolerimi i tyre nga ana e Kuvendit, kanë cenuar dinjitetin e personave LGBTIQ+, si dhe kanë pasur efekt poshtërues dhe diskriminues ndaj tyre”, ka thënë Shabiu.
Deputetja Demi-Murtezi nuk iu përgjigj pyetjeve të KOHËS përkitazi me këto pretendime.
Ajo në seancën e 16 marsit të cilës iu janë referuar organizatat, gjatë fjalimit të saj ka thënë se e kundërshton martesën apo bashkësinë e personave të gjinisë së njëjtë duke thënë se “janë të dëmshme për shëndetin e njeriut”. Duke u shprehur se për të janë të pranueshme vetëm martesat e personave mes gjinisë së kundërt, ajo ka thënë se çdo lidhje jashtë këtij kombinimi konsiderohet shthurje dhe degjenerim moral.
Ligji kundër shpifjes dhe fyerjes, në nenin 9, i pajis deputetët me imunitet për çdo deklaratë të bërë gjatë punimeve të organeve legjislative, si në debatet e hapura ashtu edhe në komisione.
Por, Shabiu tha se përmes padisë synohet të vetëdijesohen deputetët e edhe shoqëria, për të drejtat e komuniteteve të cenueshme.
“Ne dëshirojmë jo vetëm të mbrojmë të drejtat kushtetuese të personave LIGBTIQ+, por edhe të ngremë vetëdijen shoqërore – sidomos tek deputetët – për të drejtat e këtij komuniteti të cenueshëm të shoqërisë sonë”, ka thënë ajo.
Përveç padisë në gjykatë, organizatat Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, Qendra për Barazi dhe Liri, Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore, Qendra Kosovare për Studime Gjinore dhe Mbrojtësit e të Drejtave Civile kanë dorëzuar edhe ankesë tek Avokati i Popullit.
Projektkodi Civil dështoi të miratohej në mars të 2022-tës pasi nuk mori përkrahje nga disa deputetë të opozitës e të partisë kryesore në pushtet. Ai nuk është vënë në rend dite për miratim, meqë disa nga ligjvënësit refuzojnë votën për shkak të nenit 1138, që lejon bashkësitë civile mes personave të gjinisë së njëjtë. Në 2022-tën, kur është shqyrtuar e hedhur në votim Projektkodi Civil, nga 77 deputetë të pranishëm kanë votuar 61 deputetë. Prej tyre 29 ishin kundër, 28 për dhe 4 abstenuan. 14 prej deputetëve që votuan kundër e 4 të cilët abstenuan ishin nga radhët e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje. Kundër votuan edhe 5 deputetë të AAK-së e një i PDK-së, si dhe deputetët e komuniteteve joshumicë.
Kusari-Lila: Po diskutohet largimi i Baljes nga pozita e kryetares së Komisionit për të drejta të njeriut
Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se është duke u diskutuar mundësia e largimit të deputetes, Duda Balje, nga pozita e kryetares së Komisionit për të drejta të njeriut, shkaku i qëndrimeve të shprehur kundër miratimit të Kodit Civil. Balje disa herë ka përsëritur qëndrimin kundër Kodit Civil, derisa shkarkimi i saj nga posti në komision është kërkuar nga shoqëria civile.
Kusari-Lila ka theksuar se pozita e saj në Komisionin për të drejta të njeriut është duke u diskutuar në grupin multietnik, pjesë e të cilit është edhe Balje.
“Ky është diskutim në vazhdim. Mendoj që në raport edhe me përfaqësimin por gjithashtu edhe me garantimin e lirive dhe të drejtave ne do të jemi në krye të detyrës së të drejtave që përfaqësojmë përkundrejt bindjeve që nganjëherë mund ti kemi ndryshe. Megjithatë ekzistojnë rregulla të përgjithshme sa i përket të drejtave universal të njeriut dhe fatkeqësisht kryetarja e komisionit për të drejta të njeriut nuk përfaqëson të gjitha kategoritë e shoqërisë bë Kosovë”, ka thënë ajo.
Por, deputetja Balje ka thënë se shefi i grupit multietnik, Enis Kervan, i ka konfirmuar që për këtë çështje Kusari-Lila nuk ka diskutuar me asnjë prej deputetëve të komuniteteve.
Me gjithë kritikat ndaj saj, Balje ka thënë se nuk do të ndryshojë qëndrimin karshi Kodit Civil.
“Unë nuk jam atje me punë që Mimoza me qenë e kënaqur. Unë nuk e di pse duhet ta punoj punën që deputetja Mimoza të jetë e kënaqur me punën time. Mendoj që Mimoza ka punë serioze veç me këqyr grupin e Vetëvendosjes se çka është duke punuar, jo ne si komunitet. Nuk e di qysh ka me dalë në fund, por unë edhe me këtë postin si kryetare e komisionit, edhe pa postin, nuk e përkrah Kodin Civil. Për mua posti i kryetares së komisionit nuk është aq i rëndësishëm për të ndryshuar mendim. Asnjëherë nuk do ta ndryshoj mendimin”, ka thënë Balje nëpërmjet telefonit.
Në fillim të shkurtit, një takim i komisionit, i kryesuar nga Balje, është penguar nga aktivistë të shoqërisë civile. E, nëpërmjet një letre publike shkarkimi i Baljes nga posti i kryetares së Komisionit për të drejta të njeriut i është kërkuar edhe kryekuvendarit, Glauk Konjufca.