LAJMET E MBRËMJES

Kuvendi konstituohet në seancën që zgjati gjashtë muaj

Gjashtë muaj pas hapjes së seancës konstituive, ajo ka përmbyllur punimet. Kryeparlamentari Dimal Basha konstatoi se legjislatura e nëntë u konstituua, me votimin e Nenad Rashiqit për nënkryetar të Kuvendit. Zgjedhja u bë pas 27 proceseve të votimit, në të cilat dështuan deputetët e Listës Serbe të marrin votat e mjaftueshme për nënkryetar.

28 runde votimi u janë dashur deputetëve për ta zgjedhur nënkryetarin nga radhët e komunitetit serb, në takimin që përmbylli seancën konstituive të nisur gjashtë muaj më parë.

Derisa radha për t’u votuar i erdhi deputetit Nenad Rashiq, Lista Serbe dështoi të sigurojë votat e mjaftueshme për nëntë deputetët e saj.

Tri procese votimi u organizuan për secilin nga deputetët: Slavko Simiq, Zlatan Elek, Liljana Stefanoviq, Miljana Nikoliq, Branislav Nikoliq, Stefan Kovaceviq, Srdjan Popoviq, Igor Simiq. Por, asnjëri nga ta nuk mori më shumë se 9 vota të deputetëve, nga 120 sa ka Kuvendi.

Kundër tyre votuan deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe shumica e deputetëve të grupit multientik. Ndërkaq, abstenuan deputetët e PDK-së, LDK-së e AAK-së. E, disa nga deputetët e nga komunitetet joserbe herë abstenonin e herë nuk morën pjesë në votim.

Pas dështimit të deputetëve të Listës Serbe, kryeparlamentari Dimal Basha, bëri thirrje që kjo parti të propozojë për nënkryetar deputetin e mbetur serb, Nenad Rashiq.

“E ftoj përfaqësuesin e komunitetit jo shumicë serb që të vazhdoj më propozimin e kandidatit tjetër nga komuniteti serb për pozitën e nënkryetarit”, tha Basha.

Përgjigje nuk mori nga Lista Serbe. Kërkesën e përsëriti edhe njëherë e për t’u konsultuar te foltorja i shkoi deputeti Igor Simiq.

Thirrje Listës Serbe i bëri edhe për herë të tretë.

“E kemi edhe një deputet nga komuniteti serb i cili nuk është  propozuar asnjëherë”, tha fillimisht Basha.

“Ne i kemi nxjerr të gjithë 9 kandidatët që e kanë mbështetjen tonë, vetëm këta kandidatë kanë nënshkrimet dhe mbështetjen tonë dhe të gjitha veprimet tjera do të ishin thyerje e rregullores”, u përgjigj Igor Simiq.

“Nëse nuk pajtoni, veç mund të deklaroni që refuzoni ta propozoni deputetin e dhjetë”, tha pastaj Basha.

Në interpretimin e tij, propozimi i Rashiqit do të ishte në kundërshtim me Kushtetutën.

“Ne nuk do të marrim pjesë në shkeljen e Kushtetutës dhe nuk do të na detyroni në këtë gjë”, u përgjigj Simiq.

Pas kësaj, kryetari i Kuvendit konstatoi se Lista Serbe refuzon të propozojë të vetmin deputet serb, që nuk iu nënshtrua votimit. Ai tha se, në bazë të rregullores, në rrethanë të tillë vihet në funksion procedura e shortit si mekanizëm debllokues.

Por, më pas tha se shorti nuk ka nevojë të zhvillohet, meqë bëhet fjalë vetëm për një deputet. Basha e vuri në votim zgjedhjen e Nenad Rashiqit për nënkryetar të Kuvendit.

Me votat e deputetëve të Vetëvendosjes, të Lidhjes Demokratike e të pakicave joserbe, Rashiqi u zgjodh nënkryetar. Kundër votuan nëntë deputetët e Listës Serbe e abstenuan ata të PDK-së e të AAK-së.

Me zgjedhjen e tij, kryeparlamentari Basha e konstatoi të konstituuar Kuvendin, ndërsa gjashtë muaj pas hapjes mbylli seancën konstituive të legjislaturës së nëntë.