LAJMET E MBRËMJES

Kuvendi miraton në parim faljen e 100 eurove të tatimit në pronë për këtë vit

Kuvendi i Kosovës me 61 vota pro ka miratuar në lexim të parë Projektligjin për pronën e paluajtshme, që mundëson faljen e 100 eurove të tatimit për këtë vit. Ky projektligj u përcoll me debate të shumta ndërmjet mazhorancës dhe opozitës, të cilët kërkuan që ai të mos miratohet pasi rrit tatimin në pronë. Kuvendi ka votuar në të dy leximet ligjin përmes të cilit do të vazhdohet edhe për dy vjet afati për aplikim për njohje të statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës.

Me debate të shumta mes deputetëve të opozitës dhe ministrit të Financave, Hekuran Murati, është miratuar në lexim të parë Projektligji për pronën e paluajtshme, që mundëson faljen e 100 eurove të tatimit në pronë për këtë vit.

Pro këtij projektligji votuan 61 deputetë e dy të tjerë abstenuan, ndër ta edhe kryeparlamentari Glauk Konjufca.

Ndërsa partitë opozitare kundërshtuan, duke thënë se nuk duhet të miratohet pasi që rrit tatimin në pronë.

“Kemi propozuar që një vlerësim i tillë të pezullohet dhe tatimi në pronë të faturohet sipas vlerësimeve të mëparshme, mirëpo kjo nuk ka ndodhur. Ajo çka Ministri Hekuran Miurati ka insistuar që nga fillimi është që të mbahet vlerësimi i cili është bërë në kushte të inflacionit enorm dhe qytetarëve të ju falen 100 euro...”, theksoi deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami.

Ministri Murati pas fjalës së deputetes Hykmete Bajrami tha se është e pavërtetë që nëpërmjet Projektligjit për tatimin në pronën e paluajtshme po synohet të rritet ose të dyfishohet tatimi.

“Qeveria as nuk ka marrë deri më sot asnjë vendim, sepse tatimi në pronë është politikë komunale. Pra, shkalla tatimore përcaktohet në nivelin komunal, shumica e komunave e kanë nivelim më të ulët të mundshëm që është 0.15%, mirëpo megjithatë përcaktohet në nivelin komunal. Me këtë projektligj, çka kemi propozuar është që për vitin 2023 të zvogëlohet barra e tatimpaguesve deri në 100 euro”, deklaroi Murati.

E deputetja Bajrami iu kundërpërgjigj ministrit Murati edhe për fjalët që ajo tha se ministri Murati i tha gjatë fjalës së saj për diskutimin për këtë projektligj.

“Me mikrofon the pasakatësi, pa mikrofon thojshe po rren, kështu që bënu burrë fjalën që e thu pa mikrofon, thuje edhe me mikrofon mos u fsheh, e para nuk janë pasaktësi e ke rritë vlerën e një banese të njerëzve të pensionum në qendër të qytetit prej 30 mijë euro deri në 120 mijë euro”, tha ajo.

E dy partitë e tjera opozitare, PDK-ja e AAK-ja, thanë se miratimi i këtij projektligji është barrë e papërballueshme për qytetarët.

“Konsiderojmë që është një ndërhyrje direkte në menaxhimin e financave në pushtetin lokal nga ana juaj dhe normalisht që jemi duke konsideru që ta përgadisim ankesën tonë në Gjykatën Kushtetuese, në mënyrë që ky ligj të nxirret edhe kundërkushtetues. Sepse Kushtetuta e Kosovës ka bërë ndarjen e qartë mes nivelit lokal dhe qendror”, tha deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri.
Ndërsa deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri tha se ky ligj nuk ka të bëjë asgjë me reformat as në tatimin në pronë, as me formimin e të hyrave të buxhetit të Kosovës. “Ky ligj i drejton tri sulme te tri kategori: sulmi i parë është për qytetarët, sulmi i dytë për komunat dhe i treti është dobësimi i investimeve kapitale që bëhet nëpër lokalitete dhe komuna”, tha ai.

Kuvendi i Kosovës ka miratuar edhe projektligjin që e vazhdon edhe për dy vjet njohjen e statusit për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës.

Në votim morën pjesë deputetë të mazhorancës, ndërsa opozita nuk votoi asnjë projektligj. Disa ligje u votuan vetëm nga disa deputetë të LDK-së.