Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

LDK-ja e quan qesharake gjobën prej 6 mijë eurosh që MINTI ia shqiptoi KEDS-it

visar azemi

Foto: Driton Paçarada

LDK-ja ka kritikuar Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për mungesë transparence lidhur me gjobat ndaj KEDS-it. Sekretari organizativ i kësaj partie ka thënë se është qesharake gjoba prej 6 mijë eurosh që është shqiptuar. Ai ka kërkuar sqarime të plota nga MINTI dhe kompensim për qytetarët e dëmtuar nëpërmjet matjes së pasaktë të energjisë elektrike

Përfaqësues të Lidhjes Demokratike (LDK) e kanë quajtur skandaloze deklaratën e lëshuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) për gjobat e shqiptuara ndaj KEDS-it, për njehsorët elektrikë me afat të skaduar. 

Një ditë më parë, MINTI ka sanksionuar KEDS-in, por nuk e ka treguar shumën. E, burime të KOHËS bënë të ditur se kompania është gjobitur me gjithsej 6 mijë euro për dy njehsorë me afat të skaduar. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Visar Azemi, sekretar organizativ i LDK-së, në një konferencë për media ka thënë të mërkurën se me këtë po tentohet të fshihet thelbi i problemit.

“Pra, ne kërkojmë urgjentisht nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë që t’i vënë përgjegjësit kryesorë para drejtësisë, të mos manipulojnë opinionin publik sikur po e gjobisin KEDS-in me këto shifra, të cilat, siç thashë edhe më herët, janë selektive, sepse po flasim për njehsorë të cilët paskan tejkaluar afatet e vlefshmërisë”, ka thënë Azemi.

Ai ka akuzuar MINTI-n për mungesë të transparencës në trajtimin e kësaj teme.

“Pra, edhe deklaratat e fundit të Ministrisë nuk janë transparente. Ta dimë një gjë: në Kosovë janë të instaluar mbi 700 mijë njehsorë elektrikë. Ndoshta Ministria nuk po jep asnjë shifër se sa njehsorë janë problematikë dhe në cilat rajone. Pra, po flasim për dy njehsorë, për 2 mijë njehsorë apo për 200 mijë njehsorë? Duhet ta dimë se në çfarë shkalle i kanë zhvilluar hetimet e tyre dhe për çfarë shkalle të gjobave po flasim në këtë hetim”, ka thënë Azemi.

Ai ka theksuar se gjobat janë të pamjaftueshme, për çka i bëri thirrje Qeverisë që t’i kompensojë qytetarët e prekur nga ky skandal.

MINTI, në njoftimin e së martës, ka bërë të ditur se gjatë verifikimeve të realizuara në laboratorin e Agjencisë së Metrologjisë është konstatuar se nga ana e KEDS-it nuk është respektuar afati i vlefshmërisë së njehsorëve elektrikë.

“Në bazë të këtyre gjetjeve, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, duke u mbështetur në Ligjin për Metrologji (neni 46, paragrafi 1.3, nënparagrafi 1.3.2), ka shqiptuar gjoba në vlerë prej 1.500 deri në 5.000 eurosh për secilin njehsor me afat të skaduar të vlefshmërisë”, është thënë në njoftim.

Gjatë muajit Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë për të ndërmarrë veprime hetimore lidhur me dyshimet për parregullsi në njehsorët elektrikë të KEDS-it, për të cilët ekziston dyshimi se nuk bëjnë matjen e saktë të energjisë elektrike të shpenzuar.

Dyshimet u riaktualizuan nga LDK-ja, sekretari organizativ i së cilës, Visar Azemi, bëri të ditur se pas një hulumtimi ka dalë se 87 për qind e njehsorëve regjistrojnë rrymën në kohë të pasaktë.

Pas kësaj, MINTI krijoi një komisionin, i cili ka konstatuar edhe njehsorë me afat të skaduar të vlefshmërisë e edhe devijim të orës, krahasuar me kohën reale.

Në KEDS kanë insistuar se njehsorët matin saktë konsumin e energjisë, dhe kanë theksuar se devijimet e mundshme lidhen vetëm me datën dhe kohën.

E, të martën Ministria ka funksionalizuar edhe një linjë telefonike, në të cilën konsumatorët mund t’i paraqesin ankesat. 

Brenda tri ditësh pas ngritjes së dyshimeve dhe formimit të Komisionit nga Ministria janë paraqitur mbi 500 ankesa.