“Përfitime për bizneset familjare, është oferta që Lëvizja Vetëvendosje është duke ua bërë disa deputetëve të LDK-së në këmbim të bashkëpunimit”, ka thënë deputeti i LDK-së, Anton Quni. Derisa ka pranuar se edhe vetë ai është kontaktuar nga VV-ja, Quni ka thënë se deputetët e LDK-së do t`u përmbahen qëndrimeve të partisë. Diskutimet me deputetët e LDK-së normale e legale i konsiderojnë në Vetëvendosje
Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, ka akuzuar zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje se janë duke u bërë presion deputetëve të partisë që i takon për të votuar për kryetar të Kuvendit.
Sipas Qunit, edhe ai është kontaktuar nga Vetëvendosje, por që fokusi është te dy deputete të LDK-së, pa pranuar të tregojë emrat e tyre.
Ai tha se format e presionit janë të ndryshme, por në mesin e tyre përfshihen edhe oferta përfituese për bizneset familjare.
“Mbetet në diskrecionin e atyre të deklarohen, por i kemi njohuritë, i kemi informatat, e kemi përmbajtjen e bisedave. Të gjithë deputetët të cilët më së shumti kontaktohen nga autoritetet e VV-së janë shumë stabil dhe do t`u përmbahen qëndrimeve të LDK-së.. Format e presionit janë të ndryshme, një nga to është edhe kjo formë që ju e potencuat.. duke ofruar benefite të ndryshme për bizneset e tyre familjare”, ka thënë Quni të martën, pasi dështoi edhe përpjekja e 22-të për konstituim të legjislaturës së nëntë.
Kontaktimin e deputetëve të LDK-së e ka vlerësuar krejtësisht normale deputeti i VV-së, Dimal Basha.
As ai nuk ka përmendur emra specifikë.
“... nëse ka diskutime mes deputetëve kjo është krejt normale. Po na i kemi bërë ofertë komplet partisë për me bo një aleancë ku kemi mujt me shku përpara, me pas një qeveri stabile për katër vjet, por LDK-ja po thotë nuk mundemi pa PDK-në. Komunikime mes deputetëve ndodhin gjatë gjithë kohës dhe po besoj që kjo nuk është ilegale”.
Nga zgjedhjet e 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 48 mandate në Kuvend.
Përkrahjen Vetëvendosje e ka edhe nga 8 deputetë të komuniteteve joshumicë.
Por, pavarësisht kësaj, është 5 ulëse larg sigurimit të shumicës së thjeshtë prej 61 votave, aq sa së paku i duhen për votimin e kryetarit të Kuvendit dhe për zgjedhjen e Qeverisë së re.
Lideri i VV-së, Albin Kurti, në disa raste ka thënë se i ka votat për qeveri, teksa për kryeparlamentar ka insistuar se duhet të votohet nga të gjithë.