Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka refuzuar kërkesën e kreut të Vetëvendosjes, Albin Kurti, për koalicion. Lidhja Demokratike e ka hartuar përgjigjen ndaj ftesës së Kurtit për marrëveshje politike, në një takim të Kryesisë, prej ku doli me idenë që të formohet një qeveri unifikuese deri në zgjedhjen e presidentit. Sipas propozimit të LDK-së, në qeverinë e tranzicionit do të duhej të merrnin pjesë të gjitha partitë shqiptare në Kuvend
Lidhja Demokratike e Kosovës ka propozuar formimin e një qeverie nacionale të tranzicionit për të dalë nga bllokada institucionale.
Kjo ide është dhënë nga LDK-ja si përgjigje refuzuese ndaj ftesës së kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, për lidhjen e një koalicioni mes LVV-së e LDK-së.
Kryetari i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku, ka thënë të martën se Qeveria e re duhet të përfshijë të gjitha partitë parlamentare shqiptare, me kryeministër dhe kabinet unifikues, deri në zgjedhjen e presidentit.
“Sot vendi është në krize të thellë institucionale. Dhe zgjidhjen nga kjo bllokadë LDK e konsideron të domosdoshme. Propozojmë nisjen e një procesi të ri politik. Në përputhshmëri me këtë, LDK propozon nisjen e këtij procesi fillimisht konsultativ me të gjitha partitë politike parlamentare, me qëllim formimin e një qeverie nacionale të tranzicionit”, ka thënë Abdixhiku.
Abdixhiku i cili deri tash ka refuzuar takimin me Kurtin, ka thënë se për Qeverinë unifikuese është i gatshëm të ulet në tavolinë edhe me të.
“Si kryetar i LDK-së jam i gatshëm të takohem me të gjitha partitë politike shqiptare, të ndihmoj në këtë proces dhe e ftoj edhe zotin Kurti, si i ftoj edhe liderët tjerë politikë, siç i kam njoftuar për këtë iniciativë, në një takim të radhës kurdo që ata e shohin të arsyeshme”, ka theksuar ai.
Në konferencën për shtyp, Abdixhiku ka njoftuar se ka marrë përgjigje pozitive nga kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, për një qeveri nacionale të tranzicionit.
Në letrën që Kurti ia ka dërguar Abdixhikut të hënën, ka shkruar se votuesit e LDK-së e preferojnë koalicionin me LVV-në, por Abdixhiku ka thënë se për votuesit e LDK-së flet vetëm ai.
Kësisoj ka renditur edhe arsyet pse e ka refuzuar Kurtin.
“LDK-ja, për mungesë besimi dhe duke pasur parasysh stagnimin 4-vjeçar të vendin nën udhëheqjen tuaj, rrezikimin e aleancave strategjike, të sigurisë, nacionale, rrezikimin serioz të demokracisë dhe lirisë së shprehjes, atakimin e institucioneve të pavarura kushtetuese, mosrespektimin e vendimeve të këtyre institucioneve, mbi të gjitha polarizimin e thellë shoqëror, e ka vlerësuar të pamundur bashkëpunimin me ju”, ka thënë Abdixhiku.
Ndaj refuzimit të kërkesës nga ana e LDK-së kanë reaguar disa zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje.
Deputeti Armend Muja ka thënë se partia që ka humbur në zgjedhje nuk mund t’u dërgojë ftesa partisë fituese.
“LDK ka dalë e treta në zgjedhjet e 9 shkurtit me 20 deputetë. Ajo duhet të rritet për 20% që ta mbërrijë PDK-në (24 deputetë) e cila është sa gjysma e fituesit të zgjedhjeve LVV (48 deputetë). Humbësi nuk i dërgon ftesa fituesit. Prandaj edhe vetëm Ramush Haradinaj i është përgjigjur Lumir Abdixhikut”, ka shkruar Muja.
E zv.ministri në detyrë, Blerim Sallahu, ka deklaruar se është jokushtetuese që të propozohet një qeveri tranzicionale nga një parti që doli e treta në zgjedhjet e fundit parlamentare.
“Është jokushtetuese të propozosh nga pozicioni i tretë qeveri tranzicionale! Kjo dhe format e tjera të krijimit të qeverisë i takojnë dikujt tjetër”, ka shkruar Sallahu në Facebook.
Ndonëse LVV-ja nuk ka arritur të sigurojë numrat as për zgjedhjen e kryeparlamentarit, të martën Kurti është shprehur i bindur se Qeverinë e re do ta udhëheqë ai.
“Unë kryeministër, vazhdojmë tutje ose VVazhdojmë”, ka thënë Kurti.
Lëvizja Vetëvendosje i është drejtuar disa herë LDK-së për bashkëpunim me arsyetimin se nuk është e interesuar për koalicion me PDK-në.
Letra ndaj Abdixhikut për koalicion është dërguar nga VV-ja pas dështimit për 11 herë që të konstituohet Kuvendi.
Partitë kanë akuzuar njëra-tjetrën për bllokadë. VV-ja ka insistuar që të votohet Albulena Haxhiu për kryeparlamentare, ndërkohë partitë opozitare me përjashtim të LDK-së, kanë kërkuar një kandidat tjetër, meqë Haxhiun e kanë cilësuar si përçarëse. LDK-ja ka njoftuar se nuk do të votojë asnjë kandidat të LVV-së.
E për bllokadën, ka folur të martën deputeti i LVV-së dhe ministri në detyrë, Hekuran Murati. Ai ka marrë shembull zgjedhjen e kancelarit gjerman Friedrich Merz, për të kritikuar opozitën. Merz në votimin e parë gjatë së martës nuk mori votat e mjaftueshme, ndërkohë në votimin e përsëritur disa orë më vonë, u konfirmua si kancelar.
“Me votim të fshehtë, Bundestagu Gjerman sapo votoi për Kancelarin Friedrich Merz. Votimi i fshehtë është formë demokratike për shprehje të vullnetit të lirë të deputetëve, dhe do të mundësonte zgjidhjen e ngërçit për konstituim të Kuvendit edhe te ne. Bllokada që opozita po vazhdon t’ia bëjë konstituimit të Kuvendit është jashtë çdo arsyeje. Është për t’u marrë shembull sjellja e partive gjermane, që, megjithëse votimi për kancelar në herën e parë dështoi të prodhonte rezultat, askush nuk e bëri temë ndërrimin e kandidatit dhe askush nuk kërkoi qeveri tranzicioni”, ka shkruar Murati në Facebook.
Takimi i radhës i deputetëve të legjislaturës së nëntë, do të mbahet të mërkurën në orën 10:00. Kjo do të jetë përpjekja e 12-të për konstituim të Kuvendit. Seanca konstituive ka nisur më 15 prill dhe që nga atëherë kanë kaluar vetëm dy pika të rendit të ditës. Ngërçi është krijuar te pika e tretë, që është zgjedhja e kryetarit të Kuvendit.
Në tri seancat e fundit, Lëvizja Vetëvendosje ka tentuar që të ndërrojë formën e votimit, nga i hapur në të fshehtë, por komisioni që duhet të mbikëqyrte këtë proces, nuk ka marrë votat e mjaftueshme.