Është vlerësuar lart roli i grave në shtetndërtimin e Kosovës gjatë konferencës rajonale që u organizua në Prishtinë, në prag të përvjetorit të 24-t të Rezolutës së OKB-së për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Gjatë punimeve të konferencës u kërkua përfshirje e barabartë e grave dhe burrave në vendimmarrje
Përfshirja e grave në procesin e paqes dhe të sigurisë, sipas përfaqësuesve të institucioneve shtetërore, është parakusht për demokraci e paqe të qëndrueshme. Këtë qëndrim ata e shpalosën në konferencën rajonale “Parlamentarizmi dhe Rezoluta 1325: Perspektivat nga Ballkani Perëndimor”, të organizuar në Prishtinë, në prag të përvjetorit të 24-t të Rezolutës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, të nxjerrë nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së.
Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se pjesë kyç e historisë së Kosovës, në të gjitha fazat e saj, kanë qenë gratë.
“Në bosht të historisë së popullit tonë, të Kosovës tonë, në faza të ndryshme të saj, si në kohën e rezistencës paqësore, ashtu edhe gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, edhe pasluftës në procesin e ndërtimit të paqes, shtetndërtimit, por edhe sot përderisa fuqizojmë pozitën tonë në arenën ndërkombëtare ka qenë pikërisht roli i grave që ka shtyrë përpara në mënyrë vendimtare paqen dhe sigurinë në vendin tonë dhe më gjerë”, ka thënë Osmani.
Presidentja Osmani ka thënë se Kosova e meriton të jetë pikë reference në hartën globale sa i përket angazhimit në drejtim të jetësimit të agjendës për gratë. Ajo ka bërë të ditur se në bashkëpunim me Departamentin amerikan të Shtetit, në Kosovë do të ndërtohet Qendra Rajonale e Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë - duke qenë një nga katër shtetet e përzgjedhura për këtë qendër.
“Kabineti im me përkrahjen e zyrës së sekretarit Blinken do të themelojë qendrën e ekselencës, e cila është bërë pjesë e strategjisë së SHBA-së për gratë, paqen dhe sigurinë. Pres që në kuadër të kësaj zyre të konsolidojmë gjithnjë e më shumë partneritete të reja dhe të jetësojmë nisma e projekte që fuqizojnë rolin e parlamenteve dhe rolin e grave në to. Hapja e kësaj qendre në Kosovë është bërë pjesë e strategjisë së SHBA-së për gratë, paqen dhe sigurinë, si dhe pjesë e planit kombëtar amerikan të veprimit”, ka thënë Osmani.
E kryeparlamentari Glauk Konjufca ka theksuar se përfshirja e grave në procesin e paqes dhe sigurisë është parakusht për paqe dhe demokraci të qëndrueshme. Ai e ka pranuar se ka dallime të theksuara në numrin e grave dhe burrave të përfshirë në politikë.
“Ne sot e kemi një numër të madh të grave të përfshira në politikë, edhe në sektorin e drejtësisë e në atë të sigurisë, ndonëse numri i tyre është larg nga të qenit të barabartë me numrin e burrave dhe kjo duhet të ndryshohet. Një tregues i mirë i vendosmërisë sonë politike për ta rritur numrin e grave në sektorin e sigurisë nga ana e Parlamentit është edhe zgjedhja tash së fundmi e komisioneres grua parlamentare për FSK-në”, ka thënë Konjufca.
Ai theksoi se përfshirja e grave në procesin e paqes dhe sigurisë është parakusht për paqe dhe demokraci të qëndrueshme.
“Agjenda për gratë, paqen dhe sigurinë, ndër të tjera, qëllim kryesor e ka pozicionimin e grave si partnere të barabarta në të gjitha fushat që lidhen me paqen dhe sigurinë. Në këtë drejtim Kosova është një shembull i mirë, i përkushtimit për përmbushjen e agjendave globale pavarësisht faktit që shpeshherë jemi të kufizuar për t’i dhënë zë punës sonë në këta organizma në të cilët ne ende nuk jemi anëtarë. Ne kemi shumë shembuj të grave dhe vajzave të Kosovës që janë angazhuar aktivisht për të shtyrë këtë agjendë përpara, ashtu siç kanë kontribuar përgjatë gjithë etapave të shtetndërtimit tonë”, ka thënë Konjufca.
Vlerësimet u dhanë, ndonëse aktiviste të grave e edhe Avokati i Popullit kanë shprehur pakënaqësinë me ndryshimet e bëra në Ligjin për Zgjedhjet, meqë me to nuk u garantohet grave përfshirje e barabartë me burrat në listat zgjedhore.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, adresoi dhunën në familje, një tjetër problem me të cilin përballen gratë. Ajo ka thënë se bashkëpunimi dhe i shoqërisë është thelbësor për të krijuar një shoqëri me të drejte dhe të barabarta.
“Në një realitet ku dhuna e grave është ende një problem i hapur, bashkëpunimi e angazhimi i të gjithë individëve dhe shoqërive është thelbësore për të krijuar një shoqëri më të drejtë dhe të barabartë për të gjithë, duke refuzuar që të pranojmë dhunën në bazë gjinore dhe ta përforcojmë mesazhin se çdo individ meriton të jetojë në një mjedis të sigurt duke respektuar pavarësisht origjinës së tyre kulturore apo etnike në këtë kontekst promovimi i edukimit dhe ndërgjegjësimit është etik për të arritur një shoqëri të drejtë po ashtu të barabartë”, ka thënë Haxhiu.
E në emër të deputeteve gra në Parlamentin e Kosovës foli Eliza Hoxha, deputete e Partisë Demokratike të Kosovës, e cila tha se Kosova dhe vendet e rajonit kanë përqafuar Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për gratë në paqe dhe siguri.
“Në shoqëritë tona të pasluftës dhe të tranzicioneve të shpejta, të shpeshta edhe politike, historike dhe kulturore, shoqërore në periudha të kompresuara kohore sfidat e grave për barazi e barabarësi për parandalim e mbrojtje nga dhuna, për rikuperim, për gjithëpërfshirje, për pjesëmarrjen në jetën publike dhe në vendimmarrje dhe proceset e ndërtimit të paqes, vazhdojnë të mbeten të theksuara dhe jo plotësisht të adresuara. Kosova dhe vendet e rajonit kanë përqafuar Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Gratë në Paqe dhe Siguri. Në katër shtyllat e saj shohim se angazhimet e akterëve institucionalë janë munduar të adresojnë çështje tematike dhe t’i mbështesin ato përmes planeve kombëtare për gratë në paqe dhe siguri, si dhe përmes dokumenteve të tjera sektoriale dhe strategjike”, ka thënë Hoxha.
Ajo potencoi se Kosova është me fat që në Forcën e saj të Sigurisë dhe në Polici ka shumë gra të zonja të cilat kanë shënuar histori suksesi.
Rezoluta 1325 “Gratë, Paqja dhe Siguria”, është miratuar më 31 tetor të vitit 2000, në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Kjo rezolutë sjell në vëmendje të OKB-së, integrimin e perspektivës gjinore në parandalimin dhe zgjidhjen e konflikteve, në ndërtimin dhe ruajtjen e paqes, si dhe mbrojtjen e grave dhe vajzave nga dhuna me bazë gjinore. Rezoluta kërkon gjithashtu angazhimin e shteteve për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së përgjegjësve për gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës, përfshirë këtu edhe ato që janë të lidhura me dhunën seksuale dhe llojet e tjera të dhunës ndaj grave dhe vajzave.