LAJMET E MBRËMJES

Lista Serbe paralajmëron ankesë në Kushtetuese

Deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq, në konferencë për media u ankua se me ndarjen e procedurës së votimit të nënkryetarëve nga komunitetet dhe me propozimin e emrave të kandidatëve përmes shortit, kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, shkeli Kushtetutën e Rregulloren e Kuvendit. Dërgimi i një lënde në Gjykatën Kushtetuese duhet të bëhet nga së paku 10 deputetë. Lista Serbe ka gjithsej nëntë

Lista Serbe do t’i drejtohet me ankesë Gjykatës Kushtetuese për shkeljet që, sipas saj, janë bërë në seancën e së martës dhe atë të enjtes. Në një konferencë për media deputeti i kësaj partie, Igor Simiq, u ankua se me ndarjen e procedurës së votimit të nënkryetarëve nga komunitetet dhe me propozimin e emrave të kandidatëve përmes shortit, kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, shkeli Kushtetutën e Rregulloren e Kuvendit.

“Po shkelin nenin 67, paragrafin 4 të Kushtetutës, po shkelin rregulloren e Kuvendit, nenin 12, paragrafin 6.1, i cili qartë thotë se nënkryetari, kushdo që kandidohet për vendin e nënkryetarit që i takon popullit serb, duhet të ketë mbështetjen e shumicës së deputetëve serbë”, ka thënë Simiq.
Dërgimi i një lënde në Gjykatën Kushtetuese duhet të bëhet nga së paku 10 deputetë. Lista Serbe ka gjithsej nëntë. Partitë shqiptare janë deklaruar se nuk kanë interesim për ta proceduar këtë çështje në Kushtetuese. Vota e vetme që mund t’i dalë në ndihmë Listës Serbe është ajo e deputetit goran Adem Hoxha. Simiqi ka thënë se VV-ja po tenton ta vendosë Nenad Rashiqin nënkryetar Kuvendi kundërligjshëm. Sipas tij, Rashiqi nuk e ka mbështetjen e popullit serb.

Por, Rashiqi tha se Lista Serbe nuk i përfaqëson denjësisht qytetarët serbë në Kosovë.

“Unë e di që 95 për qind të serbëve të Kosovës nuk mendojnë si ata dhe nuk i përkrahin, por fakti është që kanë një forcë brutale që po përdorin ndaj popullit të vet dhe e kanë këtë, ku tash i kanë 9 deputetë të cilët fatkeqësisht po i përdorin për një imponim shtesë, agresiv, destruktiv ndaj institucioneve të Kosovës”, deklaroi Rashiqi.

Për nënkryetarin serb deri tash më së shumti vota ka grumbulluar Rashiqi, 56 sosh, por të pamjaftueshme për t’u zgjedhur. Të tjerat atij po i nevojiten nga grupet parlamentare PDK, LDK, AAK e Nisma, disa nga të cilat, ashtu siç demonstruan në seancë e përsëritën pas përfundimit të saj se s’kanë vota për, pasi vlerësojnë se janë konsumuar shkelje kushtetuese. 

“Krejt LVV prej Albin Kurtit e deri te deputeti i fundit, me kaq entuziazëm, e me kaq dinamizëm, e me kaq vullnet po angazhohen me ba nënkryetar një përfaqësues të komuniteti serb, që nëse e krahasoj shumë më pak janë angazhu për Dimal Bashën e Albulena Haxhiun”, ka thënë kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

Shkelje kushtetuese e konsideron procedurën e votimit edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.

“Është problem me u bë pjesë e kësaj loje në vazhdimësi. Qëllimi është vetëm me e humbë kohën me shkelje kushtetuese, qoftë edhe me rezultat jokushtetues në mënyrë që me i fitu edhe dy-tre muaj kohë që Kurti me vazhdu me mbetë ushtrues detyre i kryetarit të Qeverisë”, ka theksuar ai.

Por, në Vetëvendosje vlerësojnë se nuk është bërë kurrfarë shkelje. Deputeti Hekuran Murati i ka kërkuar opozitës alternativë tjetër për nënkryetarin e pestë nëse nuk pajtohen me Rashiqin.

“Nëse jo Nenad Rashiq, kush sipas tyre duhet të jetë nënkryetari i pestë që duhet të vijë nga radhët e komunitetit joshumicë serb. Po besoj këtë pyetje do të duhej tua shtronim në vazhdimësi deri në vazhdimin e radhës të seancës konstituive, sepse nuk mund të vazhdojë kësisoj pafundësisht Kuvendi i pakonstituuar”, është shprehur Murati.

Deri tash në garë për nënkryetar janë: Rashiqi, Simiqi dhe deputetja Miljana Nikoliq.