LAJMET E MBRËMJES

LVV-ja i kërkon Kushtetueses ta shpallë të papranueshme kërkesën e Listës Serbe

Albulena Haxhiu, nënkryetare e Kuvendit nga radhët e LVV-së, ka thënë gjatë një konference shtypi të mbajtur të mërkurën pasi subjekti i saj i ka deponuar komentet në Kushtetuese për ankesën e partisë serbe, se Lista Serbe është duke i përdorur vendet e rezervuara në Kuvend për komunitetin serb si mjet për ta bllokuar konstituimin e legjislaturës së re. E kjo, sipas saj, përbën kërcënim të drejtpërdrejtë për stabilitetin institucional dhe për demokracinë e Kosovës

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese që ta hedhë poshtë në tërësi lëndën e deponuar tek ajo nga Lista Serbe e me të cilën partia më e madhe serbëve të Kosovës e ka kontestuar konstituimin e Kuvendit. 

Kjo parti, e cila e ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, u pati ankuar në Gjykatën më të lartë të Kosovës kundër ndarjes së procedurës së votimit për nënkryetarët e Kuvendit nga radhët e komuniteteve pakicë dhe asaj serbe.

Albulena Haxhiu, nënkryetare e Kuvendit nga radhët e LVV-së, ka thënë gjatë një konference shtypi të mbajtur të mërkurën, pasi subjekti i saj i ka deponuar komentet në Kushtetuese për ankesën e partisë serbe, se Lista Serbe është duke i përdorur vendet e rezervuara në Kuvend për komunitetin serb si mjet për ta bllokuar konstituimin e legjislaturës së re. E kjo, sipas saj, përbën kërcënim të drejtpërdrejtë për stabilitetin institucional dhe për demokracinë e Kosovës. 

“Ne kemi kërkuar që kërkesa e parashtruesve të shpallet e papranueshme, nuk përputhet me kërkesat themelore të Kushtetutës së Kosovës. Kontrolli kushtetues është i mundur vetëm mbi aktet e miratuara nga Kuvendi, në këtë rast nuk kemi një akt të tillë, por vetëm një procedurë të ndërprerë pa ndonjë pasojë juridike”, ka theksuar ajo.

Në ankesën drejtuar Kushtetueses, Lista Serbe e ka kontestuar procedurën e ndarjes së procedurës së votimit të nënkryetarëve nga komunitetet, duke e quajtur si jokushtetuese. 

Por Haxhiu ka thënë se votimi në pako nuk është kërkesë kushtetuese dhe nuk mund të aplikohet kur nuk ka konsensus brenda Kuvendit. E në rast se Gjykata e vlerëson kundërkushtetuese ndarjen e votimit të nënkryetarëve nga komunitetet dhe e kthen procedurën e votimit në pako, Haxhiu ka paralajmëruar se deputetët e LVV-së nuk do të votojnë për asnjë deputet të Listës Serbe të propozuar për postin e nënkryetarit.

“Vetëvendosje nuk do të votojë asnjë deputetë nga radhët e Listës Serbe, nuk ka gjykatë që mund t’i thotë një partie politikë patjetër duhet të votosh për këtë person”, ka deklaruar Haxhiu.

Ajo ka thënë po ashtu se Vetëvendosje është në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për t’i filluar procedurat në funksion të formimit të Qeverisë së re. E për përbërjen e saj, Haxhiu ka numëruar subjektet me të cilat partia planifikon bashkëpunim.

“PDK-në assesi, me LDK-në kemi pasur përpjekje, por jemi refuzuar, siç e dini. Negociatat apo diskutimet mund të vazhdojnë me Nismën apo ndonjë deputet që është i interesuar të jetë në bashkëqeverisje me Kurti III. Ne kemi thënë se duhet të ecim ose me qeveri të re, ose me zgjedhje”, ka theksuar ajo.

Në ankesën e deponuar në Kushtetuese, Lista Serbe ka kërkuar gjithashtu që të vendoset masë e përkohshme pasi ka shprehur drojë që në rast se deputetët vazhdojnë me formimin e institucioneve në mënyrë kundërkushtetuese, atëherë do ta cenonin rendin juridik dhe demokratik në Kosovë. 

Pranë Gjykatës, Lista Serbe i ka kontestuar procedurën e zgjedhjes së nënkryetarëve nga komunitetet, vendimin për zgjedhjen e nënkryetares nga grupi multietnik, Emilja Rexhepi, procedurën e tentimit të zgjedhjes së nënkryetarit serb dhe të gjitha vendimet e nxjerra në seancën e 26 dhe 28 gushtit. Në ankesë, ky subjekt ka argumentuar se ashtu sikurse LVV-ja, që ka qenë fituese e zgjedhjeve dhe e ka pasur të drejtën për ta propozuar kryetarin e Kuvendit, edhe Lista Serbe e ka pasur të drejtën për ta propozuar nënkryetarin serb, si partia fituese e zgjedhjeve nga radhët e komunitetit serb.

Ankesë tjetër e Listës Serbe është se nuk i është dhënë e drejta për pauzë dhe për konsultime 48-orëshe, sikurse ka ndodhur me rastin e propozimeve të bëra nga komuniteti shqiptar. 

Në këtë parti kanë kërkuar që Gjykata Kushtetuese të konstatojë se kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, i ka shkelur Kushtetutën dhe Rregulloren e Punës të Kuvendit, duke e veçuar votimin për nënkryetarët nga komunitetet dhe duke e ftuar grupin multietnik para komunitetit serb që të bëjë propozimin, që të shpallet kundërkushtetuese zgjedhja e Rexhepit nënkryetare, si dhe që Gjykata ta urdhërojë Bashën ta përsërisë procedurën e votimit për nënkryetarët nga komunitetet në një votim të përbashkët.

Kushtetuesja ka nxjerrë javën e shkuar një masë të përkohshme, me anë të së cilës ka vlerësuar se “është e domosdoshme që të ndalohen të gjitha veprimet e mëtejme drejt zgjedhjes së Qeverisë dhe vazhdimit të punës së Kuvendit”. Kjo masë do të jetë në fuqi deri më 30 shtator.

Lista Serbe, e cila në Kuvend ka 9 nga 10 vendet e rezervuara për serbët, ka këmbëngulur në propozimin e vetëm Sllavko Simiqit për nënkryetar, edhe pasi që ai ka dështuar t’i marrë 61 votat e nevojshme pas tri rundeve të lejuara të votimit.

Kur kjo parti nuk ka pranuar që të propozojë emër tjetër, Basha ka vendosur që emrat të nxirren nëpërmjet shortit, bazuar në Rregulloren e punës së Kuvendit. Krahas të gjithë deputetëve të Listës Serbe, për këtë post është propozuar edhe Nenad Rashiqi nga Partia serbe për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, i cili është edhe ministër në detyrë në Qeverinë e Albin Kurtit. As Rashiq nuk i ka marrë votat e nevojshme.

Basha e ka shpallur njëanshëm të përfunduar konstituimin e Kuvendit, pavarësisht moszgjidhjes së nënkryetarit të pestë nga komuniteti joshumicë serb. 

LVV-ja ia ka dërguar Kushtetueses komentet e saj lidhur me çështjen, një ditë pasi që këtë e ka bërë edhe presidentja Vjosa Osmani. Ajo ka bërë të ditur të martën se funksionalizimi i Kuvendit nuk duhet të bllokohet nga mungesa e një nënkryetari, si dhe e ka kritikuar Listën Serbe se po “synon” që ta bllokojë formimin e institucioneve të vendit. Osmani ka theksuar se në komentet e saj i ka kërkuar Kushtetueses që të mos lejojë që kushdo të ketë të drejtën e vetos mbi proceset e rëndësishme dhe ka thënë se shpreson që Kosova do të mund të vazhdojë me formimin e institucioneve pas 30 shtatorit, kur përfundon masa e përkohshme.