Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë se Serbia ka rënë dakord të shfuqizojë letrën e hyrje-daljes për kosovarët, gjë që nënkupton pranimin e dokumenteve të Kosovës.
Këtë njoftim ai e ka bërë në llogarinë e tij në Twitter të shtunën pasdite, duke thënë se tashmë ka një marrëveshje mes Kosovës e Serbisë në këtë drejtim.
“Kemi një marrëveshje. Sipas dialogut të lehtësuar nga BE-ja, Serbia ra dakord të shfuqizojë dokumentet hyrëse/dalëse për mbajtësit e ID-së së Kosovës dhe Kosova u pajtua që të mos i paraqesë ato për mbajtësit serbë të ID-së”, ka shkruar Borrell.
Mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje e kishte paralajmëruar paraprakisht edhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Pesë ditë para hyrjes në fuqi të vendimeve të Qeverisë për reciprocitet në targa dhe dokumente të hyrje-daljes, ai u është rikthyer çështjeve që sollën tensione në terren.
Gjatë një konference për media, ai ka thënë se përderisa për çështjen e targave nuk ka ndonjë dakordim dhe se vendimi i Kosovës për këtë do të hyjë në fuqi më 1 shtator, Serbia po i pret garancitë e zyrtarëve evropianë, sa u përket dokumenteve të hyrje-daljes.
Ka shtuar se Serbia do t’i pranojë dokumentet e lëshuara nga Kosova, porse e ka një kusht.
“Serbia është e gatshme ta bashkëngjisë një shënim, në të cilin theksohet se mundësimi i përdorimit të letërnjoftimeve të lëshuara nga ana e Prishtinës [Kosovës] bëhet ekskluzivisht për arsye praktike të lehtësimit të pozitës së qytetarëve dhe mundësimit të lirisë së lëvizjes në përputhje me Marrëveshjen për lirinë e lëvizjes që është arritur në dialog më 2011 dhe nuk mund të interpretohet si njohje e shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës, nuk paragjykon përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës dhe nuk mund të interpretohet si pëlqim i Beogradit për të devijuar nga Rezoluta 1244 e Kombeve të Bashkuara”, tha Vuçiq.
Sipas presidentit të Serbisë, bisedimet me palën kosovare ishin “interesante”, por “të pasuksesshme”.
Në kontekstin e këtyre çështjeve, ai ka folur edhe për fushatën serbe të çnjohjeve, duke thënë se ka në dispozicion shtatë dokumente për tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës.
“Ka dokumente në sirtarin tim, jo diku tjetër. Janë shtatë në kasafortën time. Ne do të zbulojmë kur të jetë e nevojshme. Është punë e vështirë dhe luftë e vështirë”, tha Vuçiq.
Rreth dialogut nuk janë prononcuar në Qeverinë e Kosovës.