Në Ministrinë e Arsimit kanë thënë se vendimi për emërimin e Meliza Krasniqit për ushtruese detyre të drejtoreshës së Institutit Albanologjik është marrë në kundërshtim me Rregulloren e Punës, pasi që në mbledhjen e 20 qershorit të Këshillit Drejtues të pranishëm kanë qenë vetëm tre anëtarë ndërsa për vendimmarrje duhet të jenë katër nga pesë sa i ka Këshilli. Qëndrim ndryshe kanë shprehur në Institutin Albanologjik, teksa kanë thënë se pjesëmarrës në mbledhjen për emërimin e u.d. të drejtuesit të ri kanë qenë katër anëtarë dhe se vendimi është i vlefshëm
Juridikisht të pavlefshëm dhe në kundërshtim me Rregulloren e Punës në fuqi e ka kualifikuar Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) vendimin e Këshillit Drejtues të Institutit Albanologjik për emërimin e Meliza Krasniqit si ushtruese të detyrës së drejtoreshës në këtë institucion.
Në MASHTI-i kanë bërë të ditur se vendimi është marrë në kundërshtim me Rregulloren e Punës, pasi që në mbledhjen e 20 qershorit të Këshillit Drejtues të Institutit Albanologjik të pranishëm kanë qenë vetëm tre anëtarë teksa për vendimmarrje duhet të jenë katër nga pesë sa i ka ky këshill.
“Në përputhje me Rregulloren e Punës së Këshillit Drejtues të Institutit Albanologjik, vendimmarrja e këtij organi kërkon kuorum prej katër anëtarësh nga gjithsej pesë sa i ka Këshilli. Në mbledhjen e datës 20 qershor ishin të pranishëm vetëm tre anëtarë, prandaj çdo vendim i marrë është juridikisht i pavlefshëm dhe në kundërshtim me Rregulloren në fuqi”, thuhet në reagimin e MASHTI-it.
“Institucione me rëndësi të veçantë kombëtare, si Instituti Albanologjik, nuk mund të shndërrohen në platforma për emërime të paligjshme apo përpjekje për shfrytëzim të pozitave për interesa personale apo politike. Integriteti i tij shkencor dhe ligjor është në funksion të avancimit të kërkimit, ruajtjes së trashëgimisë kombëtare dhe respektimit të standardeve akademike”.
E në Institutin Albanologjik të Prishtinës kanë thënë se pjesëmarrës në mbledhjen për emërimin e ushtruesit të detyrës së drejtuesit të ri kanë qenë katër anëtarë dhe se vendimi është i vlefshëm.
“Sipas nenit 14, pika 4 e Rregullores së Punës: ‘Këshilli Drejtues i merr vendimet me shumicë votash të anëtarëve të pranishëm. Në rast barazimi të votave, vota e kryesuesit është vendimtare. Sipas kësaj dispozite, drejtori dhe sekretari shkencor, si anëtarë ‘ex officio’, kanë të drejtë vote, përveç rasteve kur ndodhen në konflikt interesi. Prandaj, kërkesa për kuorum prej 4 anëtarësh është e lidhur me përbërjen shtatanëtarëshe të Këshillit, dhe jo vetëm me pesë anëtarët e rregullt, në të kundërtën pika 4 e nenit 14 të Rregullores nuk do t’i referohej votës së kryesuesit si vendimtare. Vendimi për caktimin e ushtruesit të detyrës së drejtorit është marrë me shumicë votash nga anëtarët prezentë dhe është i vlefshëm në përputhje me dispozitat ligjore dhe Rregulloren në fuqi”, kanë thënë në Institut.
Në reagimin e Institutit Albanologjik është thënë po ashtu se Këshilli Drejtues ka emëruar edhe ushtrues detyre të tjerë të drejtorit porse MASHTI-i nuk i ka kontestuar këto procese.
“Kjo përbërje e Këshillit Drejtues, gjatë periudhës 2024–2025 ka emëruar tre ushtrues detyre të drejtorit dhe, në asnjërin rast, anëtarët e emëruar nga MASHTI nuk kanë kontestuar procedurën dhe nuk kanë kërkuar materiale paraprake, kërkesë që nuk gjen mbështetje në asnjë akt statutor. Në përputhje me nenin 29 të Statutit të Institutit dhe nenin 6.8 të Rregullores së Këshillit Drejtues, caktimi i ushtruesit të detyrës së drejtorit është kompetencë ekskluzive e Këshillit Drejtues, mbi bazën e propozimit të Këshillit Shkencor dhe me votim të shumicës së anëtarëve. Kjo është një procedurë e brendshme institucionale, e rregulluar qartë në aktet e Institutit, ku MASHTI nuk ka rol vendimmarrës, por vetëm informohet pas vendimit. Ndërhyrjet ose komentet mbi ligjshmërinë e kësaj procedure nga jashtë institucionit nuk kanë bazë ligjore”, thuhet në reagim.
Krahas kësaj, drejtues të Institutit Albanologjik kanë akuzuar edhe dy anëtarët e Këshillit të emëruar nga MASHTI-i e për të cilët kanë thënë se janë tërhequr nga votimi 20 minuta para nisjes së mbledhjes, pa dhënë ndonjë arsyetim.
Në sqarimin e MASHTI-it është theksuar se nëpërmjet anëtarëve të saj në këtë institucion kanë kërkuar vazhdimisht që të shpallet konkursi për drejtor të rregullt, porse “ky proces është zvarritur për më shumë se një vit”.
KOHA e ka kontaktuar të martën për një qëndrim rreth çështjes Meliza Krasniqin, e cila është bashkëshorte e kryetarit të Partisë Demokratike (PDK), Memli Krasniqi, porse ajo ka thënë se nuk e komenton rastin, përderisa ende nuk e ka pranuar vendimin e Këshillit Drejtues.
Ditë më parë, për emërimin e ushtruesit të detyrës së drejtorit të ri të Institutit Albanologjik ka reaguar edhe Bashkim Lajçi, anëtar i Këshillit Drejtues, duke e kundërshtuar atë.
Në reagimin e tij, Lajçi pati thënë se Instituti Albanologjik nuk mund të shndërrohet në platformë për shfrytëzim të pozitave për qëllime personale apo politike.