Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Mbi 2 mijë e 800 viktima të dhunës në familje gjatë 2025-s, 75% gra

Tryeza - GLPS

Rreth 75 për qind e viktimave të dhunës në familje gjatë vitit të shkuar kanë qenë gra, tregon një hulumtim i GLPS-së. Bazuar në të dhënat që kjo organizatë ka siguruar nga policia, prokuroria e gjykatat, shumica dërmuese e të dyshuarve janë burra

Saktësisht 2 mijë e 836 persona kanë qenë cak i dhunës në familje gjatë vitit të shkuar, tregon një hulumtim i Grupit për Studime Juridike dhe Politike, sipas të cilit 75 për qind e viktimave janë gra.
Hulumtimi është bazuar në punën e gjyqësorit, prokurorisë dhe policisë.

Menaxheri i projektit, Liridon Salihi, i cili prezantoi gjetjet të martën, tha se shumica dërmuese e të të dyshuarve për ushtrim dhune janë burra.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Prishtina prin si rajoni me numrin më të madh me 960 raste, ndërsa në bazë të incidencës në 10,000 banorë, prin rajoni i Mitrovicës së Veriut me rreth 25 raste për 10,000 banorë. Nga të dhënat e raportuara te Policia e Kosovës, kemi 2998 persona të dyshuar, ku 84% e tyre ishin burra, ndërsa 16% ishin gra. Nga numri i personave të dyshuar, 1081 persona janë arrestuar për dhunë në familje, ku prej tyre 92% janë burra, ndërsa 8% janë gra”, ka thënë Salihi.

Salihi theksoi se sfidë mbetet numri i lartë i seancave të anuluara apo të shtyra, si dhe politika ndëshkimore.

E, përfaqësues të policisë dhe prokurorisë treguan se si i qasen rasteve të dhunës në familje.

Luljeta Limani, drejtoreshë e Drejtorisë për hetimin dhe parandalimin e dhunës në familje në Policinë e Kosovës, tha se ky institucion është kyç, pasi është i pari që kontaktohet.

“Si institucioni i parë kontaktues me viktimat, policia ka një rol kyç në reagimin e menjëhershëm ndaj rasteve, por edhe në krijimin e besimit te qytetarët. Prioritet i Policisë së Kosovës është ofrimi i mbrojtjes dhe sigurisë për viktimat, hetimi profesional dhe i paanshëm, si dhe vlerësimi i rrezikshmërisë për çdo rast”, ka thënë Limani.

Prokurorja në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, njëherësh koordinatore për rastet e dhunës në familje, Laura Pula, ka thënë se duhet të krijohet hapësirë e sigurt që viktima të ndihet e sigurt për të folur në mënyrë që të parandalohen tragjeditë.

“Ne që merremi me këto raste konsiderojmë se viktima duhet të ndihet e sigurt për të folur. Vetëm atëherë mund të themi se drejtësia ka filluar të funksionojë. Nëse institucionet reagojnë shpejt, atëherë dhuna parandalohet dhe nëse shoqëria e kupton se dhuna ndëshkohet pa përjashtim, atëherë krijojmë një kulturë të vërtetë të sundimit të ligjit”, ka thënë ajo.

Në tryezën ku u prezantuan gjetjet, morën pjesë edhe përfaqësues të tjerë të institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë.

Përfaqësuesja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Lumnije Azemi, gjatë diskutimit tha se në raport pos anëve negative, ka edhe pozitive.

“Më kanë rënë në sy dy gjëra diametralisht të kundërta. E para ka të bëjë me numrin e madh të rasteve në Mitrovicën e Veriut. Nuk e kam zgjedhur me ndonjë prapavijë, mirëpo më ka rënë në sy se aty ishte numri më i madh i rasteve. Nga ana tjetër, zvogëlimi i kohës së trajtimit të rasteve si dhe zvogëlimi i backlogut të rasteve. Kjo ishte një anë shumë pozitive që nuk duhet çdo herë të potencojmë vetëm gjërat negative, meqenëse të gjithë i dimë, por të theksojmë edhe ato pozitive. Për të parën, fatkeqësisht përpjekjet dhe të dhënat edhe të raportit edhe të bazës ligjore dhe të institucioneve janë më të ngadalta, meqenëse është një temë shumë delikate, shumë e rëndësishme dhe mjaft serioze dhe nuk mund të ndryshohet shpejt”, ka thënë Azemi.

Nga viti 2010 deri në mars të vitit 2025, në Kosovë janë vrarë 59 gra.