Ministrja e Industrisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, është përballur me drejtësinë në seancën gjyqësore si e pandehur për përfshirje në një aksident komunikacioni. Mbrojtja e së miturës që ka pësuar lëndime trupore ka deklaruar se ekspertiza e kryer nga Policia tregon se vetura që po e ngiste ministrja s’kishte gjurmë frenimi në momentin e aksidentit
Mbi tri orë zgjati seanca gjyqësore, e mbyllur për mediat dhe publikun, për rastin e aksidentit ku është përfshirë ministrja e Industrisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.
Pas seancës ministrja Hajdari refuzoi të fliste për media me arsyetimin se ajo ka qenë e mbyllur për publikun, e njëjtë u deklarua edhe avokati Alban Makolli.
E Florim Shefqeti, mbrojtësi i të dëmtuarës, tha se seanca ka vazhduar pa praninë e mediave ndonëse gjykata kishte marrë vendim vetëm për seancën e së hënës. Sipas tij, ekspertët kanë konstatuar se nuk ka pasur gjurmë të frenimit.
“Ekspertët kanë konstatuar në ekspertizë që automjeti i parkuar e ka penguar shikimin, ndërsa vetë e pandehura ka deklaruar që fëmijët i ka parë duke dalë nga marketi. Pra edhe prej daljes nga marketi deri tek rruga është një distancë fizike e për të cilën ne dyshojmë që në kushte normale duhet të ketë reagim nga secili drejtues i automjetit, në rastin konkret nga zonja Hajdari”, theksoi Shefqeti.
Bazuar në superekspertizën e aksidentit, shpejtësia e automjetit “Ford Fiesta” në momentin e goditjes së këmbësorit ka rezultuar 30 kilometra në orë, e para aksidentit 32 për shpejtësinë e lejuar të lëvizjes prej 50 kilometra në orë.
“Konstatohet se ngasësja e automjetit “Ford Fiesta” për shpejtësinë e lëvizjes prej 32km/h, me frenim të vrullshëm nuk ka pasur mundësi teknike për evitimin e përplasjes së këmbësores. Drejtuesja e automjetit “Ford Fiesta” duke lëvizur në zonë urbane është dashur të kishte kujdes të shtuar ndaj pranisë së këmbësorëve në lëvizje në atë pjesë të rrugës”, thuhet në superekspertizë.
Më 10 prill të vitit 2022, ministrja Rozeta Hajdari ishte përfshirë në një aksident në lagjen “Arbëria” në Prishtinë, ku për pasojë një fëmijë ka pësuar lëndime trupore.
Seanca e radhës gjyqësore për këtë rast do të mbahet të premten.