LAJMET E MBRËMJES

Mbrojtja e të akuzuarit Maksimoviq propozon dëshmitar të ri në rastin “Banjska”

Ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore ndaj tre të akuzuarve për sulmin në Banjskë të Zveçanit në vitin 2023. Në seancën e së mërkurës ishte paraparë të dëgjohej dëshmitarja Dragana Antonijeviq, por gjykata njoftoi se ajo ndodhet në Serbi. Me propozim të Prokurorisë Speciale, trupi gjykues vendosi që deklarata e saj e dhënë më herët të lexohet në seancë.

Ka dështuar të mbahej seanca kundër tre të akuzuarve për sulmin në Banjskë të Zveçanit më 2023. Në këtë seancë ishte paraparë të dëgjohej dëshmitarja Dragana Antonijeviq, për të cilën gjykata tha se babai i saj njoftoi se ajo gjendet në Serbi. 

Prokurori special, Naim Abazi, propozoi që të lexohet deklarata e dëshmitares Antonijeviq, me arsyetimin se është thirrur vazhdimisht, por ka refuzuar të pranojë ftesën duke shprehur qartë vullnetin e saj për të mos dëshmuar.

“Propozoj që të lexohet deklarata e dëshmitares Dragana Antonijeviq. Në aspektin procedural janë plotësuar kushtet, pasi ajo ka dhënë deklaratë në Prokurori. Ajo është thirr vazhdimisht, por ka refuzuar të pranojë ftesën, duke shprehur qartë vullnetin e saj për të mos dëshmuar”, ka thënë Abazi.
Këtë propozim të Prokurorisë e aprovoi trupi gjykues. 

Në deklaratën e saj të dhënë më 2024, Antonijeviq ka thënë se para se të ndodhte sulmi nuk ka parë njerëz të armatosur afër banesës së saj, por ata i ka parë pasi ka ndodhur sulmi. Pasi kanë nisur të shtënat, ajo ka treguar se bashkë me familjen janë shtrirë në dyshemenë e korridorit të banesës. 

“Personat e armatosur nuk di se me çfarë armësh kanë qenë, por që kanë qenë të maskuar dhe ngjyra e uniformës ka qenë e gjelbër”, ka thënë ajo. 

Në pyetjen e prokurorit special se çfarë ka parë brenda hotelit më dt.25.9.2023, pra një ditë pas sulmit të Banjskës, e njëjta ka deklaruar se ka shkuar në punë duke u kthyer rreth orës 07:30 apo 07:40 në hotel dhe ka takuar rojën si dhe mysafirët e hotelit, të cilët kanë qenë kryesisht njerëz të moshuar, por ka pasur edhe gra e fëmijë, por të cilët kanë qenë nga Maqedonia dhe Serbia. 

“Në hotel atë ditë nuk ka parë persona të armatosur, të plagosur e as të dyshimtë apo të panjohur, por vetëm kamerieri, roja dhe mysafirët e hotelit”, ka thënë ajo më 2024. 

Në seancë ishte paraparë të dëgjohej edhe dëshmitari Goran Tanevski, dhe arsyet pse kjo nuk ndodhi i tregoi kryetari i trupit gjykues Arben Hoti. 

“Gjykata ka bërë përpjekje për t’u lidhur përmes video-linkut me Gjykatën e Shkupit, mirëpo ata kanë thënë se nuk kanë pajisje, duke e lënë mundësinë për një herë tjetër. Andaj kjo çështje është pezull”, ka thënë ai. 

Gjatë seancës gjyqtari Hoti njoftoi se mbrojtja e të akuzuarit Dushan Maksimoviq, avokatja Jovana Filipoviq, ka propozuar edhe një dëshmitar, gjë që e kundërshtoi prokurori special Naim Abazi.

“Pranimi i këtij propozimi do të cenonte parimin e barazisë dhe se ky dëshmitar nuk kontribuon në zbardhjen e gjendjes faktike, por ka për qëllim zvarritjen e procedurës”, ka thënë ai. 

Por kjo nuk u pranua nga trupi gjykues, i cili vendosi që në seancat e ardhshme  të dëgjohet dëshmitari Millosh Radosavljeviq, i propozuar nga mbrojtja e të akuzuarit Dushan Maksimoviq. 

Duke u gjykuar për kryerje të veprës terroriste për sulmin, ku u vra rreshteri i policisë Afrim Bunjaku, janë tre të akuzuarit: Bllagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq. 

Në aktakuzë thuhet se përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë të akuzuarit kanë tentuar ta shkëpusnin pjesën veriore të territorit të Kosovës dhe t’ia bashkonin Serbisë. 

Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim, me të cilin ka refuzuar propozimin që gjykimi për 42 të akuzuarit e tjerë (41 persona fizikë dhe një person juridik) të akuzuar për sulmin terrorist në Banjskë të vazhdojë në mungesë. 

Pos tre të akuzuarve që janë duke u gjykuar lidhur me sulmin në Banjskë, Prokuroria Speciale më 11 shtator të vitit të kaluar ka ngritur aktakuzë edhe kundër Milan Radoiçiqit dhe 41 të tjerëve që janë në kërkim. 

Të akuzuarit ngarkohen se nëpërmjet përdorimit të dhunës me armatim të rëndë kanë tentuar që ta shkëpusin pjesën veriore të Kosovës, të banuar kryesisht me serbë, dhe që atë t’ia bashkojnë Serbisë, me ç’rast, si rezultat i dhunës së përdorur ka mbetur i vdekur zyrtari policor, Afrim Bunjaku, dhe është rrezikuar jeta e zyrtarëve të tjerë policorë, si dhe e popullatës civile. 

Ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, ka marrë përgjegjësinë për organizimin e këtij sulmi, në të cilin, pos policit Bunjaku, janë vrarë edhe tre sulmues serbë, ndërsa pjesa tjetër e tyre është larguar në drejtim të Serbisë, pasi paraprakisht është strehuar për disa orë në Manastirin e Banjskës.