Seanca e shqyrtimit fillestar në rastin për keqpërdorimet e dyshuara të rezervave shtetërore, është mbajtur e mbyllur për publikun. Mbyllja seancës, në të cilën të akuzuarit deklarohen mbi fajësinë, sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi përçon mesazh negativ për ecurinë e rastit. Ministrja në detyrë Rozeta Hajdari, që është një prej të akuzuarve në këtë rast, ka thënë se është e pafajshme, teksa procesin gjyqësor e ka quajtur tendencioz
Gjykata Themelore në Prishtinë e zhvilloi të martën me dyer të mbyllura seancën fillestare në rastin për keqpërdorimet e dyshuara të rezervave shtetërore, ku para gjykatësit dolën si të pandehur ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, dy zyrtarë të kësaj Ministrie dhe një afarist.
Gjykatësi Avni Syla vendosi që seanca të jetë e mbyllur për publikun në mënyrë që të ruhen informacionet e klasifikuara.
“Gjykata konform nenit 289, paragrafi 1, nënparagrafi 1.1, dhe 1.4 si dhe paragrafi 3 nënparagrafi 3.2 të Kodit të Procedurës Penale e mbyll seancën e shqyrtimit gjyqësor në këtë çështje penale pasi që konsideron se janë përmbushur kushtet ligjore nga dispozita e lartcekur... Kemi të bëjmë në rastin konkret me ruajtjen e konfidencialitetit dhe informacionit që do të rrezikohej nga publiku, si dhe për mbrojtjen e dëshmitarëve në këtë çështje penale”, ka thënë gjyqtari Syla.
Të pyetur se a duan që rasti të vazhdojë me seanca të hapura apo të mbyllura, avokatët e të akuzuarve kërkuan që të mos vazhdohet seanca, duke thënë se në dosjen e Prokurorisë ka dokumente të klasifikuara.
Avokatët kërkuan që, para se të vazhdonte seanca, të bëhet procesi i deklasifikimit të dokumenteve. Përndryshe, ata thanë se do të vihen para përgjegjësisë penale pasi që nuk kanë certifikatë të sigurisë, e nevojshme për të pasur qasje në dokumente të klasifikuara.
“Gjykatës i propozoj që ta obligojë Prokurorinë Speciale që ta iniciojë procedurën për deklasifikim të dosjes së rezervës shtetërore e më pas të vendoset se a do të mbahen të hapura apo të mbyllura seancat”, ka thënë avokati i të akuzuarit Irfan Lipovica, Feim Alaj.
E avokati i ministres në detyrë Hajdari, Florent Latifaj, tha se ata nuk kanë të drejtë as t’i prekin dokumentet e klasifikuara që po përdoren kundër të mbrojturve të tyre.
“Nuk kemi asnjë të drejtë – as t’i prekim e as t’i shohim ato dokumente”, ka thënë ai.
Me të dalë nga seanca, mbrojtësi i biznesmenit të akuzuar Ridvan Muharremi, tha se gjykata i ka udhëzuar t’i paraqesin kundërshtimet e tyre për aktakuzën dhe provat brenda 30 ditësh.
Por ministrja në detyrë, Rozeta Hajdari, u shpreh se e ndien veten të pafajshme dhe se i kanë paditur kompanitë që shkelën kontratat me ministrinë.
Ajo e quajti procesin si tendencioz.
“Prokuroria shkeli ligjin, siç e kam theksuar dhe më herët përkundër që ne kemi pas dhe jemi në proces gjyqësor me operatorët që nuk kanë përmbushur detyrimet e tyre dhe është proces i hapur gjyqësor me këta operatorë. Tërësisht Prokuroria Speciale nuk po përfill ligjin, dhe po vazhdon pa përfillur procedurat e ligjit për rezervat shtetërore dhe informacionit të klasifikua”, ka thënë Hajdari.
Në Institutin e Kosovës për Drejtësi thonë se gjykata ka çuar mesazh negativ me mbylljen e seancës.
“Ky vendim sot është një sinjal negativ nga gjykata se ky rast rrezikon të prishet deri në fund. Sipas Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut thjesht ekzistimi i një materiali konfidencial në një rast të caktuar penal nuk është bazë e mjaftueshme për mbylljen e një rasti. Ky është aspekti i parë, aspekti i dytë është që jemi në një fazë fillestare që sot thjesht ka pasur që të lexohet aktakuza nuk ka pasur që të bëhet asgjë tjetër”, ka thënë Gzim Shala, hulumtues i lartë në IKD.
Në bazë të Ligjit për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar, ndalohet klasifikimi i informacionit i cili fsheh shkeljet e ligjit, keqpërdorimin e autoritetit, mosefikasitetin apo gabimin administrativ.
Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale thuhet se Ligji për Rezervën Shtetërore parasheh që furnizimi me mall për qëllime të rezervës shtetërore bëhet përmes procedurës së hapur të prokurimit, ndërsa të akuzuarit e bënë këtë me procedurë të mbyllur.
Sipas aktakuzës, Hajdari dhe dy zyrtarë e Ministrisë së saj, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara dyshohen se bashkëkryerje i kanë keqpërdorur detyrat zyrtare me qëllim që të përfitonin pasuri për persona të tjerë dhe i kanë shkaktuar buxhetit të Kosovës një dëm prej rreth 3 milionë eurove gjatë muajve shkurt dhe mars 2022.
Ndërsa i akuzuari i katërt, Ridvan Muharremi, dyshohet për ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Në aktakuzë pretendohet se buxheti i shtetit ka pësuar një dëm prej rreth 3 milionë eurove si pasojë e veprimeve të të akuzuarve. Ata dyshohet se asokohe kishin blerë një sasi vaji dhe një sasi gruri jashtë vendit, që nuk kishin arritur kurrë në Kosovë.
Në fakt, seanca fillestare për këtë rast ishte caktuar edhe më 10 dhjetor të vitit të kaluar, por pati dështuar për shkak se Hajdari dhe avokati i të akuzuarit tjetër, Irfan Lipovica, nuk ishin të pranishëm.
Kryetari i trupit gjykues, Avni Syla, kishte thënë se Hajdarit i ishte dërguar ftesa për pjesëmarrje përmes postës, por nuk kishte marrë përgjigje nëse ajo e ka pranuar ftesën në mënyrë të rregullt.
Më pas, Hajdari kishte shkruar në Facebook: “nuk kam pranuar ndonjë thirrje për seancë nga ana e Gjykatës”.
“Në momentin që e pranoj thirrjen nga Gjykata, për seancën e ardhshme, do të paraqitem në seancë gjyqësore”, pati shkruar ajo.
Për këtë rast, më 2023 ishin kryer bastisje në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Si dëshmitar për këtë rast është thirrur edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, por deri më tani nuk ka pranuar të shkojë në Prokurorinë Speciale, duke ngulur këmbë të japë dëshminë në Kryeministri.
Për rastin e rezervave shtetërore, Kurti i ka dalë në mbrojtje Hajdarit, duke thënë se “nuk ka kurrfarë korrupsioni e keqpërdorimi”.