LAJMET E MBRËMJES

Miratohet në parim buxheti për 2026-n, opozita e cilëson dokument të “status quosë”

seanca

Foto: Driton Paçarada

Me 66 vota për, 32 kundër dhe pesë abstenime është miratuar në parim Projektbuxheti për vitin 2026. Deputetët opozitarë e kritikuan dokumentin duke thënë se si i tillë nuk përmban reforma dhe jep diskrecion për ministrin e Financave që të ndajë mjete për ministri duke kaluar edhe shumën prej 30 për qind. Por, ekzekutivi paralajmëroi rishikimin e tij, duke thënë se këtë do ta bëjë pasi të sjellë programin qeverisës

Projektbuxheti për 2026 është tema e parë e legjislaturës së dhjetë që ka përplasur pushtetarët me deputetët opozitarë.

Ani se ky projektligj u miratua me 66 vota për, 32 kundër dhe pesë abstenime, debati për të u përcoll me akuza të shumta.

Kryeministri Albin Kurti u akuzua nga deputetët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së se buxheti për 2026 është buxhet që menaxhon status quo, dhe nuk përmban as strukturën qeverisëse e as zotimet e paraqitura në ekspozenë e tij.

“Ne nuk duam dhe nuk lejojmë vonesa, por pse kjo urgjencë kaq e madhe? Vetëm dy arsye më shkojnë ndër mend. E para që t’iu pamundësohet deputetëve që me diskutimet e tyre sigurisht të shprehin kritika dhe të japin propozime dhe alternativa. E dyta, nuk dua të besoj se vendi ka nevojë për institucione dhe stabilitet. Nuk dua të besoj se kjo çështje lidhet me rastin e presidentit apo presidentes”, ka thënë deputeti dhe kryetari i PDK-së, Bedri Hamza.

Ndërsa, kryetari i LDK-së e ka kontestuar kushtetushmërinë e dokumentit të miratuar.

“Është jo vetëm e habitshme, por jashtëzakonisht e rëndë që Kuvendit t’i sillet një dokument që nuk e respekton vendimmarrjen autonome të kryeqytetit të vet. Dhe, së këndejmi, menjëherë bëhet jokushtetues”, ka thënë ai.

Shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri, ka përdorur në deklaratën e tij një raport të Institutit GAP.  

“Nëse e shihni me kujdes buxhetin, jemi duke folur për 81 për qind të investimeve kapitale që janë projekte që vazhdojnë, jo që ka iniciativa të reja”.

Ekzekutivi u përball edhe me kritika për nenin 11 që i jep diskrecion ministrit të Financave për ndarje të buxhetit, e të cilin opozita e quajti të kundërligjshme.

“Ministri tha se nuk janë reflektuar disa ministri në buxhet, por s’ka lidhje se e ka lënë një nen aty që thotë se ministri e ndan. Kjo është kundër praktikës së hartimit të ligjeve. Për ashtu hiqi krejt ministritë dhe vendose veç një fjalë “buxheti i Kosovës është 4 miliardë euro dhe e ndan ministri i Financave”, është shprehur deputeti i PDK-së, Përparim Gruda.

Ndërsa deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka përmendur edhe problemet funksionale.

“Projektligji ka shumë probleme edhe tekstualisht, merreni me mend në nenin 11, në paragrafin 3 dhe 5, ministri i Financave i jep diskrecion vetes thuajse është mbret, dhe jo që jemi Republikë Parlamentare”.

Kritikave iu kundërpërgjigj kryeministri Kurti, i cili pohoi se ky buxhet është ai i tetorit, dhe se buxhetin e rishikuar do ta sjellin pas prezantimit të plan-programit të Qeverisë.

“Ne këtu u kritikuam se ky është buxhet i status quosë. Pjesërisht besoj që u përgjigja me faktin se ne duhet ta sjellim një herë programin qeveritar dhe më pastaj rishikimin e buxhetit…Nëse dikur stabiliteti ka qenë progres, tani kemi progres stabil”, ka thënë Kurti.

Pas miratimit në parim, me propozim të GP të Vetëvendosjes u bë shmangia e afateve që shqyrtimi i dytë i Projektligjit të bëhet më 20 shkurt.

Buxheti për vitin 2026 është paraparë të jetë 4 miliardë euro, prej të cilave 3.64 miliardë janë të hyra, ndërsa pjesa tjetër do të mbulohet me kredi dhe me deficit.