LAJMET E MBRËMJES

MPJD-ja kërkon presion ndërkombëtar ndaj Serbisë pas arrestimit të shtetasit të Kosovës

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq

Edhe një shtetas i Kosovës është arrestuar nga autoritet e Serbisë në kufi me Kroacinë. Një ditë pas kësaj, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës iu drejtua me kërkesë bashkësisë ndërkombëtare për të ushtruar trysni mbi Beogradin zyrtar lidhur me praktikën e keqtrajtimit dhe arrestimit të shtetasve të Kosovës. E në OVL të UÇK-së kërkuan që qytetarët t’i shmangin udhëtimet nëpër Serbi

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës i ka adresuar thirrje bashkësisë ndërkombëtare për të ushtruar presion ndaj autoriteteve në Serbi, një ditë pas arrestimit të ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Mit’hat Lozhani.

Ai është ndaluar të enjten, me të hyrë në Serbi nga pika kufitare Batrovci me Kroacinë, nën dyshimin për krime lufte kundër popullsisë civile.

Sipas MPJD-së, Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi i ka adresuar kërkesë zyrtare Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë për sqarimin e arsyeve të ndalimit, ndërsa e ka njoftuar edhe delegacionin e Bashkimit Evropian në Serbi.

“Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi ka njoftuar për rastin Delegacionin e Bashkimit Evropian në Serbi, si dhe ka dërguar nota verbale pranë misioneve diplomatike të vendeve të Quintit të akredituara në Serbi, me qëllim sigurimin e angazhimit të partnerëve ndërkombëtarë në mbrojtje të të drejtave dhe sigurisë së shtetasit të Republikës së Kosovës... Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të rrisë presionin ndaj autoriteteve të Serbisë, e cila vazhdon praktikën e keqtrajtimit dhe arrestimit të shtetasve të Republikës së Kosovës, duke cenuar kështu normat dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, thuhet në kërkesën e MPJD-së.

Pas arrestimit, Llozhanit gjatë kontrollit i është gjetur në xhep kartela e anëtarësisë së veteranit të UÇK-së. E në OVL të UÇK-së u kanë bërë thirrje qytetarëve që t’i shmangin udhëtimet nëpërmjet Serbisë.

“Kartela nuk i vyen në Gjermani, as në Kroaci. Pse kartelën me veti? Kështu që më vjen keq nëse iu ka zënë dhe kartela në xhep, unë ndihem keq për atë. Kështu që unë iu bëj apel edhe veteranëve, invalidëve e familjeve të dëshmorëve të mos bien pre e këtyre, e kësaj rrugës famëkeqe për pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që janë duke rënë në grackat e Serbisë”, ka thënë Hysni Gucati, kryetar i OVL të UÇK-së.

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka njoftuar të enjten se Lozhani është arrestuar nën dyshimin se, siç ka thënë, ka marrë pjesë në sulmet ndaj pjesëtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë dhe të Ushtrisë së Jugosllavisë më 1998-1999 në Zonën e Dukagjinit.

Nën akuza të ngjashme, autoritetet në Serbi, vetëm nga qershori e deri në dhjetor të 2025-tës, i kanë arrestuar 8 shtetas të Kosovës.