LAJMET E MBRËMJES

Mundësitë e Vetëvendosjes për formimin e ekzekutivit të kufizuara, Kurti hesht

Gjashtë ditë nga mbajtja e seancës konstituive, Lëvizja Vetëvendosje nuk i ka siguruar votat për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit e as për formimin e Qeverisë. Njohës të zhvillimeve politike konsiderojnë se partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit i ka të kufizuara mundësitë e bashkëpunimit derisa qeveria e re, nga kushdo që formohet, vlerësohet se do të jetë jostabile

Mundësi të kufizuara konsiderohet se ka kryeministri në detyrë, Albin Kurti, për të siguruar shumicën e nevojshme për formimin e qeverisë së re.

Kurti bashkëpunim nuk gjeti në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Një ditë më parë ftesa e tij për takim konsultativ u refuzua nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Sipas analistit Artan Muhaxhiri, krahas refuzimit të LDK-së e deklarimit kundër bashkëpunimit me Vetëvendosjen të PDK-së e AAK-së, opsioni i vetëm është mbështetja e Nismës dhe e pakicave në Kuvend.

Ai vlerëson se për Vetëvendosjen do të jetë i vështirë edhe realizimi i synimit që më 15 prill, përveç votimit të kryetarit të Kuvendit, të votohet edhe qeveria.

“Votat nuk i ka dhe në fakt numrin prej 61 e ka të pamundur ta arrijë me partitë tjera përveç me nismën dhe pakicat....Te qeveria do të kemi shumë probleme, nuk shoh ndonjë mundësi as nga opozita që të kemi një qeveri të formuar prej tyre sepse fjalët e fundit janë thënë të parat edhe janë qit kushtëzime të cilat nuk mund të tejkalohen edhe ekziston një hendek edhe brenda opozitës”, tha Muhaxhiri.

Për refuzimin e LDK-së pastaj nëse do të takohet me partitë e tjera shqiptare dhe për formimin e qeverisë së re, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është pyetur pesë herë të mërkurën.

Për këto çështje ai refuzoi të përgjigjet gjatë vizitave në Koshare, në Lagjen e Re, Rakoc, në Kaçanik, e edhe pas kthimit të tij në Prishtinë.

Nga zgjedhjet e 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje e drejtuar nga Albin Kurti ka siguruar 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës. Të përkthyera në vota, ato janë të pamjaftueshme për votimin e Qeverisë e madje edhe për zgjedhjen e kryeparlamentarit. Kurti e Vetëvendosje të sigurta nuk i kanë as 11 votat e komuniteteve joserbe që janë të përfaqësuara në Kuvend.

E qeveria e re, sido që formohet, sipas analistit Artan Muhaxhiri, do të jetë e brishtë dhe jostabile.

“Kushdo që ta krijoj qeverinë do të jetë një qeveri me këmbë të qelqta, një qeveri jo stabile e cila nuk do të mund të ballafaqohet me kërkesat e mëdha veçanërisht për zhvillim ekonomik, për dialog, për largimin e masave sanksionuese dhe një ballafaqim të ashpër për administratën Trump”, tha Muhaxhiri. 

Në lidhje me konstituimin e legjislaturës së nëntë, përgatitjet teknike i kanë diskutuar një ditë më parë subjektet politike të përfaqësuara në Kuvend. Deri në seancë kanë mbetur edhe gjashtë ditë, derisa Lëvizja Vetëvendosje, si partia me më së shumti deputetë, ende nuk ka bërë të ditur propozimin për kryetar të Kuvendit.