Në lansimin e fushatës “Zbulimi i hershëm shpëton jetë” në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, kryeministri Albin Kurti dhe ministri Shëndetësisë, Arben Vitia, thanë se shërbimet onkologjike janë përmirësuar, pasi buxheti është rritur për 100 milionë euro. E përfaqësues të Qendrës për Luftimin e Kancerit të Gjirit thonë se në Klinikën e Onkologjisë ka mungesë të gjërave bazike
Mungesa e barnave dhe e stafit janë vetëm dy prej vështirësive me të cilat po përballet Klinika e Onkologjisë në QKUK, ku trajtohet sëmundja e kancerit të gjirit.
Në lansimin e fushatës ndërgjegjësuese me moton “Zbulimi i hershëm shpëton jetë”, Nafije Latifi, drejtoreshë e qendrës për luftimin e kancerit të gjirit “Jeta Vita”, foli edhe për vështirësi të tjera.
“Ngarkesat e mëdha dhe të çdo ditshme dhe me numër të madh të pacientëve rreth 200 në ditë dhe mundësitë e pamjaftueshme me staf sidomos të mesëm, me pak shtretër e salla për trajtim me kimioterapi dhe mungesat e shpeshta me barëra janë pengesa seriozë për trajtimin dinjitoz të pacientëve të Klinikës Onkologjike”, tha Latifi.
E ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, theksoi se shërbimet onkologjike janë përmirësuar, meqë, siç tha, është rritur edhe buxheti për 100 milionë euro krahasuar me vitin e kaluar.
“Synimet nuk mund të arrihen pa e rritur financimin për shëndetësinë, të cilën Qeveria jonë e ka bërë duke ngritur buxhetin në 300 milionë euro që i bie 100 milionë më shumë se sa një vit më herët dhe duke bërë përmirësime në shërbimet onkologjike përmes sigurimit të akceleratorit të ri linear dhe fuqizimin e shërbimeve të tjera”, theksoi Vitia.
Kryeministri Albin Kurti tha se Qeveria është e përkushtuar për sigurim më të lehtë të qasjes në shërbime shëndetësore.
“Me vendosmërinë tonë për të siguruar barnat për qytetarët tanë që përballën me sëmundje, edhe e kemi rritur ndjeshëm buxhetin për barna. Kosova sot ka dy pajisje të gjeneratës së fundit për radioterapi, akceleratorë linearë, si dhe listë të pritjes në norma më optimale në raport me vendet e rajonit”, deklaroi Kurti.
Numri i rasteve të reja me kancer të gjirit këtë vit është rritur për 10 për qind krahasuar me vitin e shkuar. Në 9 muajt e parë janë regjistruar mbi 300 raste.
Në muajin e ndërgjegjësimit të kancerit të gjirit, Klinika e Kirurgjisë Plastike Rekonstruktive në bashkëpunim me Shoqatën e Kirurgëve Plastikë Rekonstruktivë kanë njoftuar se gratë e operuara për të hequr kancerin e gjirit kanë mundësinë të rikonstruktojnë gjirin pa pagesë.