Përplasje me komente në rrjete sociale kanë pasur gjatë ditës ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, dhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami. Ata kanë shkëmbyer kritika e akuza mes vete lidhur me qarkullimin e bizneseve dhe rritjen e çmimeve
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, dhe ish-ministrja e këtij dikasteri qeveritar, që tani është deputete e Lidhjes Demokratike (LDK), Hykmete Bajrami, janë përplasur të shtunën në distancë lidhur me qarkullimin e bizneseve dhe rritjen e çmimeve.
Në një status në “Facebook”, Murati ka shkruar se qarkullimi i bizneseve në 6 muajt e parë të vitit ka shënuar rekord prej 10.7 miliardë eurove, tek ka shtuar se kjo shifër përbën rritje prej 10.3 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Meritën për këtë ai ia atribuoi Qeverisë.
“Si Qeveri jemi përkujdesur që ta rrisim mbështetjen për bizneset duke: Përmirësuar qasjen në financa përmes rritjes së kapitalit në Fondin për Garanci Kreditore; Subvencionuar punësimin e të rinjve përmes ‘Superpuna’; Subvencionuar kreditë investive; Rritur mbështetjen për sektorin e bujqësisë; Rritur fuqinë blerëse të familjeve përmes rritjes së pagave, pensioneve e shtesave për fëmijë; Paguar me kohë dhe pa vonesa faturat e detyrimet ndaj bizneseve”, ka shkruar Murati.
Në këtë, Muratit i ka reaguar deputetja Bajrami, duke thënë se në rritjen e qarkullimit të bizneseve ndikim ka pasur rritja e çmimeve.
“Tregoni ekonomistit – interpretues të kushtetutës, se rritja e çmimit ndikon në rritjen e qarkullimit, për shkak se për artikujt e domosdoshëm kërkesa është joelastike. Nëse ai nuk pajtohet me këtë, le të na tregojë se qarkullimi i cilave kompani është rritur më së shumti gjatë mandatit të tyre. Ju tregoj unë: qarkullimi i kompanive që merren me tregtinë e energjisë. Dhe për këtë meritat i takojnë Hekuranit me shokë, se këmbë e kokë janë të përfshirë”, ka shkruar në reagimin e saj Bajrami.
Për këtë, deputetja Bajrami ka thënë se është e gatshme që të përballet me Muratin lidhur me faktet e konceptet.
E përplasja e tyre në distancë ka vazhduar me kundërreagimin e Muratit, i cili ka theksuar se ekonomistë të LDK-së nuk dinë që të bëjnë llogaritje shifrash, përshtatur me inflacionin.
“Ose dinë, ama atëherë do ta humbnin argumentin, se do t’u duhej ta pranonin që edhe kur hiqet inflacioni del se ka rritje të theksuar – e kundërta e asaj që ata vazhdimisht e proklamojnë rrejshëm”, ka shkruar Murati.
Murati ka theksuar se rritja më e madhe e çmimeve ka ndodhur te produktet bazike ushqimore, si rezultat i rritjes globale të çmimeve, por pjesa më e madhe e rritjes ka ndodhur si rezultat i asaj që e ka quajtur “pangopësi e supermarketeve”, e kjo ka thënë se dëshmohet edhe me rritjen e fitimit neto të tyre.
Sipas një studimi të Institutit GAP, i publikuar dy ditë më parë, fitimi neto i 10 supermarketeve më të mëdha në Kosovë është rritur nga 36.6 milionë euro sa ka qenë në 2023-tën, në 24.9 milionë euro në 2024-n.