Alarm për shkallën e dhunës në Kosovë kanë shprehur të enjten pjesëmarrës në një tryezë diskutimi, e cila është mbajtur në kuadër të Javës së ndërgjegjësimit të shëndetit mendor dhe Ditës ndërkombëtare të familjes. Në këtë tryezë është diskutuar për dhunën në familje, për qasjen ndërdisiplinore dhe për rolin e profesionistëve shëndetësorë. Është kërkuar që institucionet të jenë më rigoroze për parandalimin e dhunës
Traumat dhe historitë personale të dhunës në fëmijëri, abuzimi me alkoolin dhe papunësia janë disa prej shkaktarëve kryesorë të dhunës në përgjithësi, është vlerësuar të enjten në tryezën e organizuar në kuadër të Javës së ndërgjegjësimit të shëndetit mendor dhe Ditës ndërkombëtare të familjes.
Ferid Agani, profesor i neuropsikiatrisë, e ka vlerësuar alarmante shkallën e rasteve të dhunës në Kosovë.
“Është shumë e qartë se dhuna është në rritje e sipër, se agresiviteti brenda qytetarëve tanë është në rritje e sipër dhe se kjo dukuri po merr masa alarmante dhe se do përgjigje, dhe askush më kompetent nuk është sesa Asociacioni i Psikiatërve të Kosovës”, ka theksuar ai.
Sipas statistikave, të cilat janë prezantuar gjatë tryezës, vetëm gjatë vitit 2024 në Kosovë janë raportuar 2.959 raste të dhunës, në 80.6 për qind të të cilave viktima kanë qenë gratë.
E kryetari i Asociacionit të psikiatërve të Kosovës, Faton Kutllovci, ka thënë se institucionet shtetërore duhet të jenë më rigoroze në parandalimin e rasteve të dhunës në përgjithësi.
“Shteti duhet të forcojë sistemin ligjor dhe sistemin e mbrojtjes së viktimave të dhunës, ligjet ekzistuese jo vetëm të zbatohen, por edhe të përmirësohen me mekanizma mbikëqyrës në përgjegjësinë institucionale. Duhet të rritet qasja në shërbimet e shëndetit mendor në çdo komunë, psikiatrit dhe psikologët nuk duhet të jenë luks për nevojat themelore në shkolla. Të investohet në edukatë emocionale dhe ndërgjegjësim, duke filluar nga kopshtet deri në universitet”, ka theksuar Kutllovci.
Bazuar në statistikat e prezantuara të enjten, forma më e hapur e dhunës në Kosovë rezulton të jetë ajo psikologjike.