LAJMET E MBRËMJES

Në krye të ATK-së, ish-kandidati i Vetëvendosjes për deputet

Mentor Hyseni është emëruar në krye të Administratës Tatimore të Kosovës. Emërimi i tij është kritikuar nga përfaqësues të partive politike e të shoqërisë civile, meqë ai ka qenë kandidat i Vetëvendosjes për deputet. Por, në Vetëvendosje është justifikuar vendimi për emërimin e Hysenit në këtë pozitë

Ish-kandidati për deputet i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Mentor Hyseni, është emëruar të mërkurën drejtor i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK).

Emërimi i tij është kumtuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.

Sipas këtij institucioni, pas përmbylljes së procedurës së rekrutimit dhe në përputhje me kërkesat dhe kriteret ligjore, është përzgjedhur dhe emëruar Hyseni.

“Procesi është zhvilluar në mënyrë transparente dhe profesionale, duke u siguruar që kandidati i përzgjedhur të plotësojë të gjitha kushtet e nevojshme për këtë pozitë me rëndësi të lartë”, thuhet në njoftim. “MFPT ka besim të plotë që Z. Hyseni do të vazhdojë të avancojë punën e mirë që është bërë deri më tani, në shërbim të një administrate moderne, transparente dhe të drejtë”.

Hyseni është anëtarësuar në Lëvizjen Vetëvendosje në gusht të 2019-s dhe pati kandiduar edhe për deputet në zgjedhjet e 6 tetorit të po atij viti, garë nga e cila pati marrë 5 mijë e 18 vota.

Emërimi i tij në krye të ATK-së është kritikuar nga partitë që kanë qenë në opozitë mandatin e shkuar e edhe nga shoqëria civile.

Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se Vetëvendosje është zhveshur nga çdo vlerë që ka predikuar sa ishte në opozitë.

“Ja pra, këta që nga opozita bënin betejë kundër nepotizmit e klientelizmit, dhe e kishin gojën plot meritokraci e parime, me të ardhur në pushtet u zhveshën nga çdo vlerë që predikonin. Ende besoj se e vetmja e mirë e Qeverisë Kurti 2 është demistifikimi i Albin Kurtit. Shokët e familjarët vetëm për dasma, apo?”, ka shkruar në Facebook Çitaku.

E, hulumtuesi në Institutin Demokratik të Kosovës, Eugen Cakolli, ka akuzuar Vetëvendosjen për kapje të institucioneve.

“Pas serisë së shkeljeve kushtetuese e ligjore, sot kemi një hap tjetër në vendosjen e njerëzve të LVV-së në krye të institucioneve kyç të vendit – institucione që do të duhej të ishin të pavarura nga ndikimet politike. Emërimi i një ish-kandidati për deputet në krye të Administratës Tatimore të Kosovës është shembulli tipik i kapjes së institucioneve publike. Edhe më shqetësuese, ky veprim rrezikon ta shndërrojë ATK-në në instrument politik për presione të caktuara”, ka shkruar ai.

Cakolli akuzoi Qeverinë në detyrë se me vendime sikur ky për emërimin e drejtorit të ATK-së, nuk po e respekton aktgjykimin e fundit të Gjykatës Supreme.

“Mbi të gjitha, ky vendim përbën vazhdimësi të shkeljes së kufizimeve ligjore mbi kompetencat e një qeverie në detyrë dhe është mosrespektim i hapur i aktgjykimit të fundit të Gjykatës Supreme, pikërisht në raport me ish-ministrin e Financave”, ka thënë ai.

Por, Vetëvendosja ka arsyetuar emërimin e Mentor Hysenit.

Në një përgjigje me shkrim të kësaj partie është thënë se profesionistët duhet të marrin pjesë në drejtimin e institucioneve e ndërmarrjeve publike qofshin të angazhuar politikisht apo jo.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! kurrë nuk ka kritikuar profesionistët qoftë dhe nga partitë e tjera. Ne kemi qenë dhe jemi kundër emërimeve me motiv partiak e personal pa bazë profesionale e të integritetit. Në shumë institucione përfaqësuesit tanë politikë vijojnë të punojnë dhe të promovojnë plot zyrtarë që me bindje janë kundërshtarë me subjektin tonë politik. Sepse jemi munduar e ende mundohemi që të mbështesim punën për vendin, jo punët për vete”, thuhet në përgjigje.

Deri më tani, ATK-ja është udhëhequr nga Ilir Murtezaj.