Me orar të shkurtuar e mbajtën mësimin të martën nxënës të disa shkollave në Prishtinë.
Shkurtimi i orës mësimorë me nga 30 minuta, u bë si shkak i mungesës së ngrohjes në shkolla.
Në një dokument të cilin e ka siguruar KOHA, disa përfaqësues të prindërve në disa shkolla kanë shprehur ankesa për këtë problem.
Sipas ankesës, shkolla fillore “Faik Konica” nuk ka alternativë tjetër të ngrohjes përpos Termokosit.
Alternativë tjetër nuk kanë, as shkollat “Prenk Jakova” e “Meto Bajraktari”, të cilat janë pa ngrohje e orarin e mësimit e kanë të reduktuar.
Në të paktën 10 shkolla në kryeqytet nuk ka ngrohje.
Disa prindër i thanë KOHËS se në mënyrë vetanake i kanë siguruar ngrohjet për klasa, por që sipas tyre, kjo gjë nuk është e mjaftueshme.
E në Këshillin e Përgjithshëm të Prindërve në Komunën e Prishtinës thanë se mungesa e ngrohjes në ambientet shkollore krijon pengesa në zhvillimin e procesit mësimor.
“Mungesa e ngrohjes në ambientet shkollore krijon pengesa serioze në zhvillimin normal të procesit mësimor, duke bërë që ata (nxënësit) të mos jenë në gjendje të ndjekin mësimin me përqendrimin dhe efikasitetin e nevojshëm. Nuk jemi në vitet e 60-ta kur në mungesë të zhvillimit tekniko-teknologjik që e kemi sot, jemi zgjuar në mëngjes dhe e kemi parë se ka pasë reshje të dëborës. E kemi ditur të gjithë - me ditë, datë dhe orë se kur do të ketë reshje dhe ulje të ndjeshme të temperaturave. “Arsyetime” të tilla si “na ka zënë edhe neve në befasi” nga ana e Termokos-it gjatë thirrjeve telefonike, janë të paqëndrueshme dhe të papranueshme. Ndërsa në pyetjet e drejtuara me shkrim, nuk kthejnë përgjigje fare”, tha Këshilli.
E drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Samir Shahini, ka thënë se situata me ngrohje është e mirë dhe se kanë marrë konfirmimin nga TERMOKOS, se ka filluar sistemi i ngrohjes dhe se brenda 24 orëve ngrohja do të jetë plotësisht funksionale.
“Gjendja e ngrohjes në institucionet arsimore të kryeqytetit është kryesisht e mirë. Vetëm në disa shkolla, të cilat furnizohen me ngrohje nga Termokos, janë evidentuar mungesa të përkohshme të ngrohjes. Në këto shkolla, për shkak të temperaturave të ulëta, procesi mësimor është duke u zhvilluar me nga 35 minuta për orë mësimore. Drejtoria e Arsimit ka adresuar kërkesë zyrtare në Termokos, dhe në bashkëpunim me përfaqësuesit e kësaj ndërmarrjeje kemi marrë konfirmimin se nga dita e djeshme ka filluar funksionalizimi i sistemit të ngrohjes, dhe se brenda 24 orëve ngrohja do të jetë plotësisht funksionale”, tha Shahini.
Ndërsa për shkollat të cilat e bëjnë furnizimin me dru, Shahini tha se për shkak të procedurave të prokurimit në OSHP, procesi është në fazën përfundimtare.
“Drejtoria e Arsimit ka ndërmarrë veprimet për furnizimin me dru, ka realizuar aktivitetin përmes prokurimit për shkollat që ngrohen me këtë sistem. Megjithatë, për shkak të procedurave të prokurimit në OSHP, procesi është në fazën përfundimtare. Vlen të theksohet se shkollat që ngrohen me dru kanë rezerva nga viti i kaluar, prandaj nuk ka pasur nevojë për ndërprerje ose shkurtim të procesit mësimor”, tha ai.
E të premten, KOHA raportoi se si në shkollat ku zhvillohet mësimi gjithëditor në kryeqytet, mbajnë mësim me orar të shkurtuar.
Sipas drejtuesve të Termokosit, 33 shkolla, çerdhe dhe institucione marrin shërbime të ngrohjes nga Termokos në kryeqytet.
Konfirmuan se do të nisë sezoni i ngrohjes 8 ditë para afatit të zakonshëm për fillimin e furnizimit.
“Kjo është hera e parë në historinë e ekzistimit të ndërmarrjes, që sezoni ngrohës nisë 8 ditë para afatit të zakonshëm për fillimin e furnizimit, si reagim i menjëhershëm ndaj përkeqësimit të motit dhe në harmoni të plotë me ligjet në fuqi, përkatësisht me rregulloren e ZRRE-së për furnizim me energji. NP “Termokos” dhe KEK-u po hyjnë në sezonin e 10-të bashkëpunimit të suksesshëm, përmes të cilit po sigurohet një furnizim i qëndrueshëm dhe cilësor për mbi 25 mijë konsumatorë. Duke qenë se sistemi i ngrohjes është shumë kompleks dhe delikat, procesi i fillimit të operimit do të zhvillohet me kujdes të shtuar, duke e ngritur gradualisht kapacitetin e pranimit dhe shpërndarjes së energjisë termike”, u tha nga Termokos.
Termokos fillon sezonin ngrohës më 15 tetor dhe mbaron më 15 prill të vitit tjetër.