LAJMET E MBRËMJES

Neshiq dënohet me 15 vjet burgim për dhunim seksual, si krim i luftës

Zhivojin Neshiq është shpallur fajtor për dhunim seksual gjatë luftës në Kosovë.
Për këtë krim lufte ndaj një gruaje shqiptare, Gjykata Themelore në Prishtinë ia shqiptoi 15 vjet burgim ish-pjesëtarit të njësisë rezervë të forcave policore serbe.

Kryetarja e Trupit Gjykues, Violeta Namani Hajra, ka thënë se viktima e ka identifikuar Nesiqin menjëherë pas lufte.

“Gjykata vërteton se e dëmtuara e ka identifikuar të pandehurin Zhivojin Neshiq nga koha kur ka dhënë dëshminë e saj të parë në shtator të vitit 1999 pranë komisionit për hetimin dhe zbulimin e krimeve të luftës në kuadër të komunës përkatëse, ku të njëjtin identifikim e ka bërë edhe në dëshmi të dhënë pranë policisë së Kosovës”, ka thënë Namani-Hajra.

Vendimin e ka mirëpritur prokurorja e rastit, Florije Salihu Shamolli. 

“Ky është një ofrim i drejtësisë për të gjitha viktimat e dhunës seksuale të cilët e kanë të vetmen shpresë, gjegjësisht e realizuan një të drejtë të veten”, ka deklaruar Salihu-Shamolli. 

Procesi ndaj Neshiqit është mbajtur i mbyllur për publikun, për ta ruajtur fshehtësinë e viktimës.

E përfaqësuesja e Qendrës Kosovare për Rehabilitimit e të Mbijetuarve të Torturës, Fatmire Haliti, ka thënë pas shpalljes së vendimit se viktima e ka pritur me shumë emocion aktgjykimin.

“Ajo për momentin është bashkë me ekipin psiko-social të organizatës tonë, të cilën e kemi mbështetur nga fillimi. Ky vendim i Gjykatës sot sigurisht është një satisfaksion për viktimën që të paktën iu shqiptua një dënim prej 15 vjetësh të akuzuarit Zhivojin Neshiq ku presim edhe për raste të tjera të ketë drejtësi”, ka theksuar Haliti. 

Raporte kredibile tregojnë se gjatë luftës rreth 20 mijë viktima i janë nënshtruar dhunës seksuale. Por, vetëm një numër i vogël i tyre e kanë deklaruar publikisht, shkaku i frikës nga stigmatizimi.

Prokurorja Florije Salihu Shamolli u ka bërë thirrje viktimave që të paraqiten në organet e rendit për të dhënë dëshmi e prova dhe rikujtoi se i siguroi se identiteti do t’u mbahet i fshehtë.

“Të gjitha seancat e këtij gjykimi janë mbajtur të mbyllura për shkak të ndjeshmërisë së rastit duke e ruajtur kredibilitetin e viktimave dhe për çdo person që ka njohuri, ju bëjmë thirrje ne si prokurori, si dëshmitar apo viktimë e krimeve të luftës, të paraqiten qoftë në prokurori apo polici në mënyrë që edhe ne të mund të vazhdojmë me ngritjen e këtyre aktakuzave”, ka thënë prokurorja Salihu-Shamolli.

I dënuari në shkallë të parë, Zhivojin Neshiq, është arrestuar në mars të 2024-s, dhe që nga ajo kohë gjendet në paraburgim, ndërkaq aktakuza i është ngritur në gushtin e vjetëm, por nuk është bërë publike.

E në një raport të Fondit për të Drejtën Humanitare thuhet se Neshiq akuzohet për dhunimin e një gruaje në një fshat të Vushtrrisë, në prill të vitit 1999. Sipas raportit, ai së bashku me dy persona të tjerë të paidentifikuar, ka kryer dhunim seksual.