Komisioni i formuar një ditë më parë nga KQZ-ja ka nisur të enjten vlerësimin e fletëvotimeve, numri serik i të cilave ka dalluar nga ai i vendvotimeve. Komisioni deri të premten duhet t`ia dorëzojë një raport KQZ-së, i cili do t`i ofrohet edhe PZAP-së, për shqyrtimin e ankesës që ka nga Partia Demokratike e Kosovës
Një mijë e 874 është numri i fletëvotimeve, të cilat janë shtypur me gabime në numra serikë ose pa kod fare, thuhet në raportin e ri të kompanisë që ka printuar ato për balotazhin e 9 nëntorit.
Sipas tabelës së ndarë nga anëtarë të KQZ-së, fletëvotimet e shtypura gabim janë të shpërndara në 18 komunat ku ka pasur balotazh, e më së shumti në Prishtinë (312) dhe në Prizren (273). Nga raporti i kompanisë thuhet se fletëvotime të shtypura me kod gabim janë 1.726, kurse fletëvotime pa kod të vendvotimit janë 148.
Të enjten për këto fletëvotime ka nisur të zhvillohet një proces i veçantë.
Në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve janë duke u kontrolluar fletëvotimet e raundit të dytë të zgjedhjeve, të mbajtur më 9 nëntor. Komisioni është formuar një ditë më parë nga KQZ-ja, pas dyshimeve të ngritura për manipulim votash në Mitrovicë të Jugut. Përveç Mitrovicës, komisioni do të vlerësojë edhe fletëvotimet nga Komuna e Gjakovës e mostra do të marrë edhe nga komunat e tjera.
Në QNR të enjten të pranishëm ishin edhe anëtarë të KQZ-së, të cilët nga afër kanë përcjellë punën e komisionit përgjegjës.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, komisioni do të përpilojë një raport, e të cilin duhet ta dorëzojë deri të premten (14 nëntor).
“Mund t’ju konfirmoj se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka filluar punën Komisioni i themeluar nga KQZ për vlerësimin e fletëvotimeve për zgjedhjet e raundit të dytë për kryetar të Komunës së Mitrovicës së Jugut dhe Gjakovës. Planifikohet që ky komision të përgatisë një raport dhe të njëjtin ta dorëzojë jo më vonë se më 14 nëntor. Ndërkaq për komunat e tjera ky vlerësim do të bëhet sipas mostrës së caktuar dhe raporti do të finalizohet deri në fund të javës”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Sipas tij, raporti i komisionit të formuar do t’i hyjë në punë edhe Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
“Po ashtu puna e këtij komisioni do të jetë në funksion edhe të përgjigjes së kërkuar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me një ankesë të parashtruar në këtë institucion për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunës së Mitrovicës së Jugut, por njëkohësisht edhe të sqarimit të mëtutjeshëm të situatës së krijuar”, ka thënë Elezi.
Partia Demokratike e Kosovës ka deponuar ankesë në PZAP për fletëvotimet me telash. Ky subjekt ka kërkuar rivotim në Komunën e Mitrovicës së Jugut, me arsyetimin se është dëmtuar integriteti i procesit zgjedhor.
Garën e balotazhit për kryetar të Mitrovicës e ka fituar kandidati i VV-së, Faton Peci. Sipas rezultateve preliminare, ai mposhti kandidatin e PDK-së, Arian Tahiri.
Verifikimi i votave në Mitrovicë të Jugut është përmbyllur të mërkurën. Procesi në Qendrën Komunale të Numërimit të këtë komunë është ndërprerë mbrëmjen e së hënës, rreth 9 orë nga nisja e tij, deri pasditen e së martës, pas dyshimeve për keqpërdorim të votave, shkaku i mospërputhjes së numrave serikë të disa fletëvotimeve me atë të vendvotimit ku është votuar.
Nga të dhënat e verifikimit të QKN-së, Peci mori 17.834 vota, kurse Tahiri 15.541. Që të dy kanë pësuar ndryshime në vota krahasuar me rezultatet preliminare, të shpallura nga KQZ-ja të dielën.
Peci i LVV-së, sipas rezultateve preliminare, ka marrë 17 mijë e 837 vota apo tri më pak se ato të verifikuara, kurse Tahiri i PDK-së 15 mijë e 522 vota apo 19 vota më pak se ato të verifikuara.