LAJMET E MBRËMJES

Një muaj paraburgim ish-komandantit serb të dyshuar për krime lufte në Zveçan

Është aprovuar të premten kërkesa e Prokurorisë Speciale për t’ia caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh Milojko Gjorgjeviqit, i cili është arrestuar të enjten nën dyshimin për pjesëmarrje në vrasje, dëbime me forcë, plaçkitje, tortura dhe rrahje sistematike të civilëve shqiptarë në Komunën e Zveçanit. Prokuroria e ka hedhur poshtë kërkesën e palës së akuzuar për mbrojtje në liri, teksa avokati i të pandehurit ka paralajmëruar ankesë kundër vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë

Një muaj paraburgim i është caktuar të premten të akuzuarit për krime lufte në Komunën e Zveçanit, Milojko Gjorgjeviq, i cili gjatë luftës në Kosovë ka qenë komandant i Njësisë së Policisë që ka funksionuar në kuadër të MUP-it të Serbisë, në fshatin Zhazhë të kësaj komune.

Pas seancës, e cila ka zgjatur për disa orë, gjykatësi i procedurës paraprake e ka hedhur poshtë kërkesën e paraqitur nga pala e akuzuar për mbrojtje në liri.

Prokurorja speciale, Florije Salihu-Shamolli, ka thënë se kërkesa për paraburgim është bërë pasi që lidhur me rastin janë mbledhur dëshmi të bazuara që tregojnë se Gjorgjeviqi është përfshirë në kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullatës civile”.

“Gjatë kësaj periudhe hetimore janë zhvilluar, janë marrë (dëshmitë e) një numri të madh të viktimave dhe dëshmitarëve, të cilët përmes foto-albumeve e kanë identifikuar se i njëjti person ka mund të marrë pjesë në kryerjen e këtyre veprave penale. Në bashkëpunim me hetuesit e krimeve të luftës vazhdimisht kemi bërë veprime hetimore, të cilat na kanë çuar deri te ky ndalim”, ka thënë Salihu-Shamolli.

Në kërkesën për paraburgim, Prokuroria ka argumentuar se i pandehuri Gjorgjeviq ka marrë pjesë në vrasje, dëbime me forcë, plaçkitje, tortura dhe rrahje sistematike të civilëve shqiptarë në cilësinë e komandantit të Njësisë së Policisë në Zhazhë të Zveçanit.

“Gjatë periudhës së luftës në Kosovë, diku në muajt shtator – tetor 1998, në vendin e quajtur ‘Ura e hekurt’, gjersa viktima A. P. ishte duke kaluar në pjesë për të shkuar në shkollë, kishte hasur në një postbllok policor, ku i pandehuri Gjorgjeviq, së bashku me katër persona të tjerë të uniformuar, deri më tani të paidentifikuar, kishte filluar ta godiste viktimën me grushte, shuplaka dhe pastaj edhe me kondak të automatikut në shpinë, duke i shkaktuar dhimbje fizike dhe psikike”, thuhet në kërkesë të Prokurorisë.

Në këtë kërkesë është theksuar po ashtu se edhe në një tjetër rast në prill të 1999-s, i pandehuri, bashkë me forca serbe të organizuara e pjesëtarë të uniformuar ka ndërmarrë operacion rrethimi në Zhazhë. Synim i këtij operacioni, sipas kërkesës së Prokurorisë, ka qenë vrasja, plaçkitja dhe shkatërrimi i pronës me qëllim të spastrimit etnik. Në këtë operacion ushtarako-policor, sipas hetimeve të kryera, janë vrarë shtatë civilë shqiptarë, trupat e të cilëve janë gjetur më pas në fshatin Suhodoll në Komunën e Mitrovicës.

Prokurorja Salihu-Shamolli ka theksuar se kërkesa për paraburgimin e Gjorgjeviqit është parashtruar bazuar në dyshimin e bazuar se i pandehuri mund të arratiset drejt Serbisë.

“Një ndër kriteret, të cilat i kam paraqitur, është se i njëjti person është edhe shtetas i Republikës së Serbisë. Duke pasur parasysh se Kosova nuk ka raporte të mira me Serbinë dhe se përvojat kanë treguar që personat, të cilave Gjykata nuk u ka caktuar masën e paraburgimit, kanë qenë më të pakapshëm dhe të paarritshëm për organet e drejtësisë”, ka thënë ajo.

Këto pretendime, Sërgjan Mitroviq, i cili është avokat i të akuzuarit, i ka kualifikuar të pabazuara teksa ka paralajmëruar ankesë ndaj vendimit të Gjykatës.

“Konsiderojmë se përnjëmend nuk ka pasur fare dëshmi që do ta mbështesnin këtë dyshim të bazuar, tekefundit edhe vetë i akuzuari Milojko Gjorgjeviq ka deklaruar se nuk ka kurrfarë lidhjesh me këto ngjarje, kështu që do ta shohim se si do të jetë dhe si do të bëhet në procedurën e ardhshme”, ka thënë ai.

Gjorgjeviqi është arrestuar në mëngjesin e së enjtes, pas finalizimit të hetimeve disamujore të ndërmarra lidhur me rastin e tij.