Me dyer të mbyllura për media është mbajtur seanca dëgjimore kundër të pandehurit Azem Kurtaj, i cili më 6 janar 2023, në fshatin Gotovushë të Shtërpcës dyshohet se ka plagosur dy persona. Pas shqyrtimit të lëndës, Gjykata ka vendosur masën e paraburgimit prej një muaji. Avokati i Kurtajt ka thënë se klienti i tij ka shtënë në ajër dhe në tokë pasi ishte sulmuar nga turma e njerëzve.
Gjykata Themelore në Ferizaj ka mbajtur seancën dëgjimore kundër të pandehurit Azem Kurtaj, i cili akuzohet për tri vepra penale: vrasje e rëndë në tentativë; përdorimi i armës dhe shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm.
Kurtaj dyshohet se më 6 janar në një fshat të Shtërpcës ka shkaktuar rrezik për jetën e dy të rinjve të komunitetit serb, duke lënë të plagosur një 11-vjeçar dhe një 21-vjeçar.
“Lidhur me kërkesën e Prokurorisë e cila ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit, ne do ta shqyrtojmë, ndërkaq pas përfundimit të kësaj seance dëgjimore do të vendosim lidhur me këtë kërkesë”, ka thënë kryesuesi i trupit gjykues, Sahit Krasniqi.
Gjykata nëpërmjet një komunikate ka njoftuar se ndaj të pandehurit Azem Kurtaj është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.
“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri më 6 janar 2023, në një fshat të Komunës së Shtërpcës, me dashje ka tentuar që t`i privojë nga jeta të dëmtuarit M.S. dhe S.S., në atë mënyrë që derisa ishte duke lëvizur me veturën e tij dhe me të arritur në hyrje të fshatit, vëren disa qytetarë në skaj të rrugës dhe me qëllim që t`i largojë, i bie borisë, në pamundësi që të lëvizë tutje e ndal veturën dhe pas një mosmarrëveshjeje verbale të ndodhur aty për aty e nxjerr revolen dhe shtie dy herë duke i goditur të dëmtuarit, e që si pasojë e këtyre goditjeve lëndime trupore pësojnë të dëmtuarit, të cilët fillimisht dërgohen në Shtëpinë e Shëndetit në Shtërpcë, e më pas në Spitalin në Graçanicë”, ka thënë Gjykata.
Avokati i të pandehurit Azem Kurtaj, Naim Ferati, ka thënë se klienti i tij kishte qenë duke udhëtuar për në Brezovicë, kur vetura e tij ishte rrethuar nga një turmë e njerëzve që po festonin.
Ai thotë se vetura e tij u sulmua me mjete të forta.
“Me armën e tij personale, sipas lejes mbi posedimin e armës, ka shkrepur një herë në ajër që ta largojë masën dhe të lirohet prej tyre, por për shkak të rrethanave dhe sulmit të cilin e ka pësuar në ato momente, ai është detyruar që ta mbajë prapë armën në pozicionin e ulët dhe të shkrepë në drejtim të tokës apo asfaltit, dhe nga ky moment ka arritur që të largohet nga vendi ku ishte i bllokuar”, ka thënë Ferati.
Sipas avokatit Ferati, i pandehuri Kurtaj nuk e kishte ditur nëse dikush ka mundur të jetë lënduar në këtë rast, ndërkohë është vetëdorëzuar në Polici.