LAJMET E MBRËMJES

OEK-u pritet të dorëzojë padi në Gjykatën Supreme

Lartperquesit, rryma, energjia elektrike,  kostt

Foto- Ilustrim

Foto: Driton Paçarada

90% bizneseve të cilat nuk kanë nënshkruar kontrata për furnizim me energji janë shkyçur nga rrjeti që nga 16 shkurti kur ka nisur zbatimi i vendimit të ZRRE-së. E ndaj këtij vendimi Oda Ekonomike e Kosovës ka paralajmëruar se do të dorëzojë padi në Gjykatën Supreme të martën, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës pritet t’i drejtohet gjatë kësaj jave Gjykatës Kushtetuese.

Për ta kundërshtuar vendimin e ZRRE-së për kalimin e bizneseve në tregun e lirë të energjisë dhe shkyçjen e bizneseve pa kontrata nga rrjeti, Oda Ekonomike e Kosovës ka paralajmëruar se do të atakohet në Gjykatën Supreme.

Kryetari i OEK-ut, Lulzim Rafuna, ka thënë se do ta përdorin hapësirën ligjore që ua mundëson ushtrimin e një padie në Gjykatën Supreme, me qëllim të mbrojtjes së bizneseve, ekonomisë së vendit dhe qytetarëve.           

“Nuk ka qenë e drejtë që energjia elektrike të ndërpritet ditën e shtunë kur është vikend e që biznesi të jetë deri sot pa energji elektrike dhe të mos ketë mundësi të bëjë asgjë. Gjatë vikendit na kanë informuar që me polici ju kanë shkuar, ju kanë krijuar një imazh shumë të keq sikur të jenë biznese kriminale, se jo biznese shumë të ndershme, që kanë paguar tatim dhe çka ka pasur të bëhet një shkëputje e energjisë elektrike”, ka thënë Rafuna.

E tash e 3 ditë, që kur ka filluar shkyçja bizneseve që nuk kanë nënshkruar kontrata për furnizim me energji, sipas KEDS-it janë shkyçur 90% prej tyre.

Ndërsa, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka bërë të ditur se vendimin e ZRRE-së do ta dërgojnë në Kushtetuese pasi shkallët e Komerciales e  hodhën poshtë ankesën e tyre.

“Ne do të kërkojmë masë të përkohshme, në mënyrë që ky vendim i dëmshëm të mos zbatohet deri në shqyrtimin përfundimtar të çështjes. Ky nuk është vetëm një proces gjyqësor. Është një betejë për t’i mbrojtur bizneset tona, ekonominë e vendit, punëtorët tanë dhe familjet e tyre nga një abuzim i pashembullt i pushtetit, i cili i ka detyruar qytetarët dhe ndërmarrjet të blejnë energji me çmime 280% më të larta – vetëm për t’i mbushur xhepat e kompanive të licencuara nga qeveria”, ka thënë Krasniqi.

Biznesmeni Ramiz Kelmendi, i cili i ka përmendur pasojat që do t’u shkaktohen bizneseve nga ky veprim, është shprehur i pakënaqur me veprimet që ka marrë deri tash OEK-u.

“Oda duhet të dijë se janë disa veprimtari që nuk mund të shtyhen në mënyrë fizike, por duhet të shtyhen në mënyrë juridike dhe profesionale. Situata duhet të zgjidhet përmes gjykatës, bisedave me institucione, me u paraqitë te institucionet, takime grupore, me shkua në zyrat e tyre, me pritë në zyrat e tyre, me nxjerrë në pah raportin që ekziston me institucionet dhe bizneset, duke i trajtuar bizneset sikur të dëmshme, si oligarkë. Duhet përfaqësuesit e odave të shkojnë atje dhe të presin publikisht në takim kryeministrin, presidenten dhe institucionet drejtpërdrejt”, ka thënë Kelmendi.

Vendimi për liberalizimin e tregut ka hyrë në fuqi më 1 qershor 2025, sipas të cilit të gjitha kompanitë me më shumë se 50 punëtorë ose me qarkullim mbi 10 milionë euro në vit, janë të obliguara të kalojnë në tregun e hapur.

Për të mos mbetur pa energji gjatë një periudhe tranzitore, mbi dy muaj bizneset u furnizuan përkohësisht nga KEK-u si Furnizues i Mundësisë së Fundit. Por, nga 16 gushti ka nisur shkyçja e tyre.