Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Opozita bllokon pakon kundër inflacionit, me arsyetimin se me të LVV-ja do që të blejë vota

Kuvendi i Kosoves

Foto: Driton Paçarada

Partitë opozitare e kanë kundërshtuar përpjekjen e LVV-së që në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të trajtohet rishikimi i buxhetit, vetëm për pjesën e 122 milionë eurove për kompletimin e pakos për përballje me inflacionin. Sipas opozitës, sjellja e kësaj pakoje tri ditë para se Kuvendi të shpërndahet në rast se presidenti nuk zgjidhet, është keqpërdorim i parasë publike për të blerë vota në zgjedhjet e mundshme

Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit ka dështuar rishikimi i Buxhetit të 2026-s, nëpërmjet të cilit Qeveria synoi të siguronte autorizimin për të ndarë 122 milionë euro për mbështetje të qytetarëve.

Sipas përfaqësuesve të ekzekutivit, me këto mjete do të kompletohej pakoja mbështetëse prej 200 milionë eurove, për përballje me inflacionin.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Por, kërkesa që u deponua në Kuvend dy muaj e gjysmë pas formimit të Qeverisë e tri ditë para se Kuvendi të mund të shpërndahet nëse nuk e zgjedh presidentin, ka qenë një ndër pesë vendimet e para që Qeveria Kurti ishte zotuar t’i marrë sapo ta nisë mandatin e ri.

Vetëvendosje propozoi që ky rishikim buxheti të futej në rend dite duke iu shmangur afateve për shqyrtim që i përcakton Rregullorja e Kuvendit.

Por trajtimi i tij dështoi për shkak se deputetët opozitarë vlerësuan se mjetet do të përdoreshin për të blerë vota, nëse shpërndahet Kuvendi në fillim të javës.

“Ju po thoni: shtonani edhe nja 122 milionë euro të parasë publike, jepnani mundësinë që në mënyrë abuzive ta bëjmë keqpërdorimin e parasë publike. Për ta thjeshtësuar, ta bëjmë blerjen e votës me paranë publike. Dhe këtë, në një procedurë të përshpejtuar”, ka thënë deputeti Bedri Hamza, i cili është edhe kryetar i partisë më të madhe opozitare, PDK-së.

Kundërshti ka shprehur edhe shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.

“Siç po shihet zgjedhja e presidentit nuk ka një rrugë të qëndrueshme, andaj ju lutem mos e sillni veten në këtë situatë. Mos e sillni veten që ta përdorni paranë publike, funksionin publik, detyrën publike, veturën publike, asistentin publik, për me përdorë në zgjedhje kundër kundërshtarëve politikë”, ka thënë ai.

Qëndrimeve iu kundërpërgjigj ministri i Financave, Hekuran Murati.

“Nëse me të vërtetë është interesi qytetar në pyetje, nëse me të vërtetë keni brengën që qytetarët duhet të mbështeten në këtë kohë që është rënduar situata për shkak të luftës në Gjirin Persik me rritjen e çmimeve, atëherë ju lus ta mbështesni këtë pako”, ka qenë kërkesa e ministrit Murati.

Por, ai u kritikua që nuk e solli rishikimin e buxhetit në tërësi, por vetëm çështjen e kompletimit të pakos për përballje me inflacionin dhe se kjo sipas opozitës është në kundërshtim me Ligjin për menaxhimin e financave publike.

“Unë kam pasur pritje tjera për ty si ministër dhe nuk mendoj që ky është niveli në të cilin mund të punosh ti. Ti mund të punosh më shumë se kaq. Të kisha thënë tërhiqu nga kjo, bëje rishikimin siç duhet, na lë kohë ta shikojmë”, ka thënë deputeti i PDK-së, Përparim Pruda.

Mospajtim me të shprehu deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti.

“Unë nuk kam pritje tjera. Deputeti Gruda kishte pritje, ndoshta është deputet më i ri dhe ka pritje të tjera, po jam mësuar unë me juve, 5 vjet u bënë, abuzim pas abuzimi”, ka thënë ai.

Në mungesë të votës së dy të tretave të deputetëve në sallë, nuk ka kaluar çështja e përfshirjes së 122 milionë eurove në kuadër të pakos për përballje me inflacionin.

Në të njëjtën seancë ka dështuar edhe përpjekja e tretë e Vetëvendosjes që në procedurë të përshpejtuar ta shqyrtojë Ligjin për Byronë për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

Po ashtu, në rend dite nuk është përfshirë as projektligji për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit.

E vetmja nismë ligjore e miratuar në këtë seancë është projektligji për energjinë, por ka dështuar edhe mocioni që shqyrtimi i dytë i tij të bëhet me procedurë të përshpejtuar.