Presidentja Vjosa Osmani e ka përfunduar mandatin e saj pesë vjeçar. Këtë detyrë ia dorëzoi me ceremoni kryetares së Kuvendit Albulena Haxhiu. Gjatë pranim-dorëzimit të detyrës, të dyja bënë thirrje që të zgjidhet sa më parë presidenti i ri dhe shteti të mos shkojë në zgjedhje të reja
Vjosa Osmani, pas mandatit të plotë pesëvjeçar, me ceremoni ia dorëzoi detyrën e presidentes së shtetit, kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiut.
Nga mesnata e së shtunës, zyrtarisht Haxhiu do të jetë ushtruese e detyrës së të parës së shtetit deri në zgjedhjen e presidentit të ri, për të cilin Kuvendi ka afat deri më 28 prill.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoE nëse ai nuk zgjidhet, Haxhiu do të qëndrojë në këtë pozitë deri në gjashtë muaj, sa lejon Kushtetuta.
Në fjalën e saj para se ta dorëzojë detyrën, Osmani tha se po lë pas një punë të jashtëzakonshme.
“S’do të jetë punë e lehtë. Edhe unë i kam provuar të dyja më 2021 edhe si kryeparlamentare edhe u.d. e presidentes. Sado që kanë sfida të veta, të jesh kreu i shtetit dhe ta udhëheqësh politikën e jashtme të vendit e ushtrinë e saj, dhe detyra të tjera si përfaqësim i unitetit, janë përgjegjësi e jashtëzakonshme dhe ju dëshirojmë shumë sukses e shëndet në periudhën në vijim”, ka deklaruar Osmani.
Osmani u shpreh e kënaqur që e pasoi një grua, pasi sipas saj, gratë tregojnë kujdes më të veçantë për institucionet.
“Gjithnjë ka qenë një nga dëshirat e mia të mëdha që kurdo që dal nga kjo zyrë ta lë një grua mbrapa. Kjo dëshirë sot po më plotësohet dhe shpresoj shumë që siç thotë populli ta ngrehni këmbën zhag edhe ju që pas jush të jetë një grua në këtë zyrë”.
Por, ky post për të cilin nuk u rikandidua edhe pse shprehu gatishmëri, Osmani shfaqi shpresën të plotësohet sa më parë me presidentin e ri.
“Shpresojmë shumë që Kuvendi sa më parë ta zgjedhë presidentin apo presidenten e re me shpresën që të kemi stabilitet institucional në një kohë kur jo vetëm shteti jonë dhe rajoni ynë, por e gjithë bota po kalon kriza të mëdha”, ka theksuar Osmani.
Pritje të njëjtë shprehu edhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu e cila tha se uron të mos ketë nevojë të qëndrojë në këtë pozitë 6 muaj.
“Zgjedhjet nuk janë të mira as për qytetarët, as për shtetin. U bëj thirrje deputetëve që sa më parë të ketë një zgjidhje për çështjen e presidentit. T’i lënë anash dallimet politike, inatet politike, t’i vazhdojnë pasi ta zgjedhin presidentin”, ka thënë Haxhiu.
Pos Kushtetutës që e mori nga Glauk Konjufca, Osmani ia dorëzoi Haxhiut edhe disa folderë me dokumente. Ajo tha se për çfarëdo informacioni që ka nevojë, është vetëm një thirrje larg Haxhiut.
“Sigurisht që do të ju kontaktojmë e ndoshta nuk do t’ju ngarkojmë shumë, por përgjegjësitë e presidentes, dosjet që i po i shoh këtu para vetes e kam parasysh që puna nuk është shumë e lehtë por me një përkushtim maksimal timin, kabinetit tim, si dhe administratës së këtij institucioni jam e sigurt që do ta kalojmë çfarëdo sfide që kemi para vetes”, është shprehur Haxhiu.
Vjosa Osmani është presidentja e dytë që ushtron mandatin e plotë 5-vjeçar, pas Atifete Jahjagës.