Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Osmani: Kur gratë udhëheqin, shoqëritë bëhen gjithmonë më të drejta e më të forta

Vjosa Osmani

Urime të gjitha grave për Ditën e 8 Marsit u kanë drejtuar gjatë ditës udhëheqës shtetëror. Në mesazhin e saj të urimit, presidentja Vjosa Osmani, tha se nën udhëheqjen e tyre shoqëritë bëhen më të drejta e më të forta. Kryeministri Albin Kurti përmendi fuqizimin që si tha se Qeveria ua bën grave nëpërmjet punësimit e mbështetjes ekonomike. E ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, foli për pabarazi

Për Ditën Ndërkombëtare të Gruas, mesazhe urime grave të Kosovës i kanë përcjellë udhëheqës shtetërorë e institucionalë.

Presidenca e ka publikuar një deklaratë të shpërndarë nga Asambleja Parlamentare e NATO-s me rastin e 8 Marsit, e në të cilën presidentja, Vjosa Osmani, thekson se kur gratë gëzojnë nivel të plotë të pjesëmarrjes në procese të rëndësishme, shoqëritë bëhen më të drejta e më të forta.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Një proces paqeje që përjashton gratë nuk mund të ketë sukses të vërtetë. Një sistem sigurie i krijuar pa zërat e grave nuk mund të qëndrojë. Një rend demokratik që lë gratë pas mbetet i paplotë. Gratë nuk janë vëzhguese të progresit. Ato janë drejtueset e tij, nga jeta publike dhe politike, te forcat e sigurisë, diplomacia, ekonomia dhe biznesi. Përvoja na ka treguar se kur gratë marrin pjesë plotësisht, shoqëritë bëhen më të drejta, më të forta dhe më të pasura”, tha Osmani.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka kujtuar gratë që i kanë mbijetuar dhunës seksuale gjatë luftës.

“Në ditën që i dedikohet të gjitha grave dhe vajzave në mbarë botën, kujtimi për të mbijetuarat e dhunës seksuale është edhe më i thellë. Qëndrueshmëria dhe dinjiteti i tyre janë forca jonë, prandaj sot le të kujtojmë edhe sakrificën e të mbijetuarave seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë por po ashtu edhe sakrificën e të gjitha grave që kanë kontribuar për Republikën e Kosovës, qoftë para luftës, qoftë gjatë luftës dhe por edhe pas luftës”, tha Haxhiu.

Kryeministri, Albin Kurti, nëpërmjet një postimi në Facebook theksoi se Qeveria i fuqizon gratë nëpërmjet punësimit, mbështetjes ekonomike, rritjes së pjesëmarrjes së tyre në vendimmarrje dhe luftës kundër dhunës me bazë gjinore.

E ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, foli për pabarazi gjinore para një audience shqiptare në Zvicër.

“Nuk dua ta gënjejë askënd dhe të themi jemi të barabartë sepse asnjëherë nuk jemi të barabartë gratë me burrat, as në Gjemani, as në Zvicër as në Kosovë dhe askund tjetër, por edhe ndoshta nuk kemi nevojë të jemi të barabartë sepse ndoshta si gra kemi disa veçori që na bëjnë kaq të veçanta sa nuk duam të dukemi dhe të jemi si burrat, por duam ta kemi identitetin tonë duam të drejta të barabarta’, tha Gërvalla.

Dita Ndërkombëtare e Gruas shënohet çdo vit më 8 Mars, për të kujtuar luftën e grave të botës për barazi, çlirim dhe të drejta të barabarta.