Forca e Sigurisë është bërë të premten me 18 eprorë të rinj. Ata e kanë marrë gradën e nëntogerit në një ceremoni që është organizuar pas katër vjetësh studimi në Qendrën për Studime Universitare, e që funksiononin në kuadër të Akademisë së Mbrojtjes. Përfaqësuesit shtetërorë u kanë folur atyre për përgjegjësitë dhe për barrën që do ta bartin mbi supe
Me betimin solemn ushtarak se për Kosovën do t’i flijojnë edhe jetët, 18 kadetë të Forcës së Sigurisë (FSK) e kanë përmbyllur të premten rrugëtimin katërvjeçar të ngritjes në karrierë.
Me gradat e siguruara të nëntogerëve, ata do të jenë udhëheqësit më të rinj të FSK-së.
Në mesin e atyre që janë diplomuar janë edhe Fatgzon Tahiri dhe Zana Hashani.
Tahiri e ka përshkruar rrugën drejt diplomimit si të vështirë, porse përmbushëse.
“Mendoj që jemi duke shkuar në rrugën e duhur për ta përfunduar amanetin e të parëve tanë. Qendra për Studime Universitare është vendi, mënyra më e mirë për ta realizuar misionin e atyre të së kaluarës”, është shprehur ai pas ceremonisë solemne të diplomimit, të mbajtur të premten.
E kolegia e tij, Hashani, ka thënë se në këtë rrugëtim është shtyrë nga dëshira për t’i shërbyer atdheut.
“Sa më shumë që ka kaluar koha gjatë këtyre katër vjetëve këtu, e kam vërejtur që qëllimi kryesor është për t’i shërbyer atdheut, se Kosova ka nevojë sidomos për të rinjtë që i përkushtohen shërbimit ndaj atdheut dhe për të mos ikur prej Kosovës, sepse kemi nevojë të qëndrojmë këtu në Kosovë”, ka thënë ajo.
E përfaqësues shtetërorë u kanë folur eprorëve të rinj të FSK-së për përgjegjësitë dhe për barrën që ata do ta kenë mbi supet e tyre.
Presidentja, Vjosa Osmani, ka thënë se me brezin e ri të nëntogerëve, Kosova do të jetë më e sigurt.
“Forca juaj është trashëgimia e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe amaneti i dëshmorëve që flijuan gjithçka për lirinë që ne e gëzojmë sot. Ju jeni besimi ynë se Republika e Kosovës do të jetë gjithmonë në duar të sigurta, të ndershme dhe të vendosura”, ka thënë ajo.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i ka përmendur sfidat me të cilat do të ballafaqohen ata.
“Nga sot ju e filloni detyrën fisnike, por po aq edhe sfiduese. Ju jeni shtylla mbi të cilën do të vazhdojë ndërtimi strukturor e profesional i Forcës së Sigurisë së Kosovës, dhe që do ta shoqërojë etapën e ushtrisë sonë drejt shërbimit në Aleancën Veriatlantike të shteteve demokratike, në aleancën e madhe të NATO-s”, ka theksuar Kurti.
Javën e shkuar, Forcës së Sigurisë së Kosovës i janë shtuar edhe 350 ushtarë të rinj.
FSK-ja ndodhet aktualisht në fazën përfundimtare të transformimit në ushtri, proces ky që pritet të përmbyllet në vitin 2028. Kosova mëton që një ditë të bëhet pjesë e strukturave të aleancës ushtarake perëndimore të NATO-s, porse ka pengesa në këtë drejtim, pasi që në Aleancë janë katër shtete që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.