Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka bërë punë të mirë në evitimin e përshkallëzimit të situatës në rajon, si pasojë e veprimeve të Serbisë. Osmani, e cila po qëndron në Nju-Jork në margjinat e sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ka takuar edhe zyrtarë të NATO-së. Por nga Presidenca e as nga Qeveria nuk treguan nëse kanë në agjendë ndonjë takim me zyrtarë të lartë të ShBA-së
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe presidenti Donald Trump kanë pasur rol vendimtar në parandalimin e përshkallëzimit të situatës mes Kosovës dhe Serbisë, ka thënë presidentja Vjosa Osmani.
Në një intervistë për “Fox News” gjatë qëndrimit të saj në Nju-Jork në margjinat e Samitit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Osmani foli për aktet e agresionit të Serbisë ndaj Kosovës.
“Kemi pasur një numër të shpërthimeve të papritura në vitet e fundit, si p.sh në shtator të 2023-tës kemi pasur një akt agresioni nga Serbia kundër Republikës së Kosovës. Kemi arritur ta menaxhojmë atë me anë të mbështetjes së aleatëve të NATO-s, por ka kërcënime të vazhdueshme që vijnë nga Serbia. Majin e kaluar ka pasur një tjetër përpjekje për shpërthim (nëse mund ta quaj kështu) dhe kjo Administratë ka bërë një punë të mrekullueshme për mbrojtje nga eksalimi. Presidenti gjithmonë ka qenë një lider që ka folur qartë, me forcë dhe bindje. Presidenti Trump ka qenë shumë i suksesshëm në mbrojtjen e eskalimet dhe nga më e keqja”, tha Osmani.
Osmani shtoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pasur rol vendimtar në mbështetjen e pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës.
“Sot ne ekzistojmë si popull i lirë dhe sovran sepse SHBA-ja nuk ka qëndruar pa bërë asgjë, nuk i ka mbyllur sytë para vuajtjes sonë, pra derisa po përjetonim gjenocid, por na shpëtoi dhe besoi në të drejtën tonë për të qenë të lirë si popull… Serbia dëshiron të mbahet pas së kaluarës dhe kohë pas kohe tenton të shkaktojë probleme në rajon”.
Osmani është duke qëndruar në New York, ku nga 23 deri më 29 shtator i zhvillon punimet sesioni i 80-të i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Ajo ka njoftuar edhe për takimin me ndihmëssekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Boris Ruge, ku temë diskutimi, sipas Osmanit, ka qenë përkushtimi i Kosovës për anëtarësim në Aleancën Veriatlantike.
Veç Osmanit, në New York po qëndron edhe ministrja në detyrë e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla.
“Gjatë kësaj jave, ministrja Gërvalla do të zhvillojë një sërë takimesh me përfaqësues të lartë të shteteve dhe organizatave ndërkombëtare, ku do të adresohen sfidat më të rëndësishme të rendit global, nga siguria e çështjet rajonale e deri te zhvillimi ekonomik dhe forcimi i bashkëpunimit mes shtetesh”, thuhej në njoftimin e MPJD-së.
Por Presidenca e as MPJD-ja nuk kanë treguar nëse do të kenë takime me zyrtarë të lartë të Administratës amerikane.
E Beogradi zyrtar ka paralajmëruar ofensivë diplomatike kundër Kosovës në SHBA.