Takimi konsultativ mes liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, dhe atij të Partisë Demokratike, Memli Krasniqi, ka përfunduar mëngjesin e së enjtes pa rezultate. Kurti nuk ka folur për media lidhur me takimin e Krasniqi ka thënë se ndonëse e ka thirrur që t’i jepet zgjidhje situatës, kryetari i LVV-së nuk i ka dhënë sinjale se do ta ndërrojë emrin e propozuar për kryeparlamentar
Para tentimit të nëntë për ta konstituuar Kuvendin, dy partitë me më së shumti vota nga zgjedhjet e 9 shkurtit kanë bërë një përpjekje mëngjesin e së enjtes për t’i gjetur zgjidhje ngërçit të krijuar, porse takimi të cilin ata e kanë mbajtur nuk ka prodhuar rezultat.
Me ftesë të kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, në takim që në orën 8:30 të së enjtes ka shkuar kryetari i Partisë Demokratike (PDK), Memli Krasniqi, ndërsa në të ka munguar ai i Lidhjes Demokratike (LDK), Lumir Abdixhiku.
Nga takimi, i cili ka zgjatur deri disa minuta para se të vazhdonte seanca konstituive, detaje ka ndarë vetëm kryetari i PDK-së.
“Zotit Kurti i thashë që do të ishte mirë me mendu për kandidatë apo kandidatura të tjera, ashtu siç u kam thënë edhe juve këtu. Ky është qëndrimi i PDK-së. Ne nuk kemi pasur qëndrim bllokues-mohues. Nuk na takon neve të ia zgjedhim kryetaren e Kuvendit, partisë që ka dalë e para”, ka theksuar ai.
Krasniqi ka thënë se nga Kurti nuk ka marrë sinjale të qarta dhe se takimi nuk e ka bindur për lëvizje pozitive.
“Nëse e ndërron, e kuptoj si vullnet për ta zhbllokuar situatën dhe ta konstituojë Kuvendin, nëse nuk e bën e shoh të kundërtën që s’është vullnet për ta zhbllokuar situatën”, ka thënë Krasniqi, duke aluduar në propozimin e emrit të deputetes Albulena Haxhiu për kryeparlamentare.
Ai ka shtuar se mes tjerash me Kurtin e ka diskutuar edhe mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme.
“Nuk janë zgjedhjet zgjidhja e parë, ama zgjedhjet janë opsion i vërtetë. E kemi përmendur, nuk kemi diskutuar për qysh... por e kemi përmendur që nëse ka një bllokadë, nëse vërtet ka një këmbëngulje një kryeneçësi nga ana e LVV-së që me thënë ja Albulena, ja hiç, me e bo më të rëndësishme zonjën Haxhiu sesa krejt institucionet e Kosovës, atëherë, dorën në zemër, më mirë të shkohet në zgjedhje edhe një herë”, ka theksuar kryetari i PDK-së.
Në takim ka qenë i ftuar edhe kryetari i LDK-së, Abdixhiku, porse qysh të mërkurën mbrëma në këtë parti e kanë refuzuar ftesën.
Bashkëpunëtorë të Abdixhikut e kanë arsyetuar qëndrimin që e mban LDK-ja për të mos bashkëpunuar me Vetëvendosjen në asnjë formë.
“E kemi thënë nga fillimi, kryetari i Kuvendit dhe konstituimi i institucioneve bëhet me marrëveshje politike. Ne nuk dëshirojmë të kemi marrëveshje politike me LVV-në, kjo ka qenë edhe arsyeja pse ne nuk kemi marrë pjesë në takim”, ka theksuar Hykmete Bajrami, deputete e LDK-së.
Para Kurtit përpjekje për të gjetur zgjidhje me takime konsultative pati bërë kryesuesi i seancës, Avni Dehari, porse partitë deri tash në opozitë ia kanë kontestuar atij mandatin.