Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Paga minimale rritet në 500 euro

Qeveria

Përfaqësues të bizneseve dhe opozita kanë kërkuar kujdes në implementimin e vendimit për rritjen e pagës minimale në 500 euro, i cili ka hyrë në fuqi të mërkurën. Ata kanë vlerësuar se vendimi është dashur të shoqërohet me analiza më të thella ekonomike dhe masa mbështetëse. E kryeministri në detyrë ka thënë se në kohën e qeverisjes së tij paga minimale është rritur katër herë

Yllnora Elshani Arifaj

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka njoftuar për hyrjen në fuqi të vendimit për rritjen e pagës minimale në 500 euro .

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ai ka shkruar në Facebook se kjo rritje është rezultat i politikave të qeverisë gjatë mandatit të tij dhe ka theksuar se përbën një hap të rëndësishëm për mirëqenien e punëtorëve.

“Paga minimale në vendin tonë ngeli e pandryshuar për më shumë se 10 vjet. 2011 ishte viti i fundit kur ajo u ndryshua. Që prej atëherë ajo mbeti 130 përkatësisht 170 euro (varësisht se a jeni nën apo mbi 35 vjeç). Ndërkaq, gjatë qeverisjes sonë u ngrit katër herë: nga 130 e 170 euro në 250 euro, mandej në 350 dhe së fundi në 425 euro. E sot paga minimale u bë 500 euro”, ka shkruar Kurti. “Pra, për më shumë se një dekadë para qeverisjes sonë paga minimale ishte e ulët dhe e pandryshueshme. Ndërkaq për më pak se gjysmë dekade me ne, kemi trefishim të pagës minimale. Rritjen dhe zhvillimin ekonomik të Republikës sonë do ta përcjellim gjithnjë me shtim të mirëqenies për të gjithë”.

Kujdes në implementim e këtij vendimi u kërkua nga përfaqësues të bizneseve. 

Drejtori i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, ka vlerësuar se vendimi është dashur të shoqërohet me analiza më të thella ekonomike.

“Nuk është e drejtë që paga minimale nuk është liruar nga tatimi i të ardhurave personale. Për këtë arsye është dashur të bëhet një studim më i mirë. Aq sa e kemi inflacionin sot, krahasuar me pagën minimale mund ta quash se është e vogël, por ne nuk e themi që është e vogël, por themi se ndoshta ka nevojë me qenë më e madhe”, ka thënë Rafuna.

E deputeti i zgjedhur i PDK-së, Eman Rrahmani, ka kritikuar ekzekutivin duke thënë se ky vendim është i vonuar.

“Kësaj qeverie iu deshën 5 vjet për ta rritur pagën minimale në 500 euro. Pra, u desh të largoheshin mbi 300 mijë të rinj nga Kosova për të marrë këtë vendim. Ky pushtet fillimisht të poshtëron, të nënshtron dhe të varfëron, e më pas paraqitet sikur po të ndihmon”, ka thënë ish-deputeti i Vetëvendosjes.

Institucionet kanë paralajmëruar mbikëqyrje për zbatimin e vendimit.

Në Inspektoratin Qendror të Punës kanë thënë që sektorët më me rrezik për të mos zbatuar këtë vendim janë ai pastrimit dhe i sigurisë fizike, por nëse kjo gjë ndodh kanë paralajmëruar masa.