Deputetë të Parlamentit Evropian (BE) e kanë miratuar të mërkurën një rezolutë, me të cilën e kanë dënuar fuqishëm polarizimin politik dhe shtypjen shtetërore të vazhdueshme në Serbi, një vit pas aksidentit tragjik në Novi-Sad. Rezoluta është vlerësuar si më e ashpra ndonjëherë, të cilin Parlamenti Evropian e ka miratuar për Serbinë
Parlamenti Evropian (BE) ka kritikuar regjimin e Aleksandër Vuçiqit në Serbi për represion ndaj kundërshtarëve të pushtetit, për kërcënime ndaj mediave dhe për gjuhën fyese që përdoret edhe ndaj zyrtarëve të Bashkimit Evropian (BE).
Kjo kritikë është përfshirë në një rezolutë urgjente, e cila ka marrë miratim në seancën plenare të së mërkurës të Parlamentit Evropian. Me këtë rezolutë është dënuar fuqishëm polarizimi politik dhe shtypja e vazhdueshme shtetërore në Serbi, një vit pas aksidentit tragjik në qytetin Novi-Sad, në të cilin kanë vdekur 16 persona si pasojë e shembjes së një strehe në stacionin hekurudhor. Dyshohet se shembja ka ndodhur si rezultat i neglizhencës gjatë rindërtimit të këtij stacioni të trenit.
Eurodeputetët kanë kërkuar procedura ligjore transparente dhe gjithëpërfshirëse për të sjellë para drejtësisë përgjegjësit për këtë rast. Në rezolutë, eurodeputetët kanë theksuar se janë thellësisht të shqetësuar për klimën e tensionuar dhe polarizuese, të nxitur nga gjuha e urrejtjes, propaganda anti-BE dhe pro-ruse, si dhe fushatat e shpifjes të përhapura nga mediat e kontrolluara nga Qeveria dhe nga zyrtarët e saj.
Aty është thënë po ashtu se ka pasur dështim të madh nga përfaqësuesit e qeverisë për t’u përballur dhe për t’u pajtuar me të kaluarën e Serbisë.
Për situatën e krijuar në rezolutë është thënë se udhëheqja në Serbi është politikisht përgjegjëse për përshkallëzimin e represionit, për normalizimin e dhunës dhe për dobësimin e demokracisë.
Eurodeputetët kanë bërë thirrje po ashtu për hetime urgjente dhe të paanshme lidhur me pretendimet për abuzime të protestuesve. I kanë dënuar fuqishëm edhe arrestimet dhe dëbimet e paligjshme të qytetarëve të BE-së, të cilët kanë bërë deklarata në mbështetje të studentëve apo të protestuesve kundër Qeverisë.
Deputetët e PE-së kanë kërkuar që Bashkimi Evropian që të ndërmarrë masa ndaj Serbisë dhe që të mos heshtet ndaj zhvillimeve në këtë shtet. Ata i kanë kërkuar sidomos Komisionit Evropian (KE) që të jetë më i ashpër ndaj Serbisë.
Pas miratimit të kësaj rezolute, disa deputetë të Parlamentit Evropian kanë kërkuar që partia në pushtet, Partia Progresive Serbe e Aleksandër Vuçiqit, të përjashtohet nga partia popullore evropiane.
Eurodeputetët janë shprehur se Serbia, po qe se dëshiron që vërtet t’i realizojë aspiratat për t’u integruar në Bashkimin Evropian, duhet që të ndërpresë sjelljen antiperëndimore dhe anti-BE, si dhe forcimin e lidhjeve me Rusinë dhe me Kinën, në përpjekje për ta destabilizuar rajonin.