Përfaqësuesit e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së kanë paralajmëruar reforma dhe zgjedhje të brendshme pas rezultatit të zgjedhjeve të parakohshme të së dielës. Bedri Hamza dhe Lumir Abdixhiku kanë uruar Vetëvendosjen për fitoren e Ramush Haradinaj është shprehur skeptik se rezultati i zgjedhjeve do të prodhojë zgjidhje të problemeve të qytetarëve
Dorëheqje e zgjedhje të brendshme kanë paralajmëruar tri paritë më të mëdha shqiptare që të dielën i humbën zgjedhjet.
Kryetari i Partisë Demokratike, Bedri Hamza, ka uruar Vetëvendosjen për fitore në zgjedhje tek ka shprehur pritjet që të formohen institucionet, përfshirë Kuvendin e Qeverinë. Po ashtu, ai ka thënë se zgjidhje mund të gjendet edhe për presidentin.
Si reflektim ndaj rezultatit të zgjedhjeve, Hamza ka paralajmëruar reforma në parti.
“Partia Demokratike e Kosovës shpejt do të futet në proces të brendshëm zgjedhor, nuk ka pasur qe një kohë të gjatë zgjedhje, prej vitit 2019 dhe do të filloj prej bazës, prej nëndegëve duke i përfshirë të gjitha nivelet duke i zgjedhur të gjitha organet e partisë sepse realisht është kohë e gjatë dhe ka nevojë të kemi një reformë dhe të] kemi një ndryshim edhe të moshës edhe të gjinive dhe të profesioneve dhe gjithçka tjetër”, ka thënë Hamza.
Ai po ashtu ka shprehur shpresën se institucionet do të krijohen shumë shpejt e të mos ketë më vakum institucional.
“Të vazhdojë puna sepse mjaftueshëm kemi pasur bllokada dhe pengesa dhe secili ta kryej punën e vet, edhe partitë që kanë fituar por edhe ne që mund të jemi në opozitë ta japim kontributin tonë, brenda përgjegjësive tona. Sa i përket çështjes së presidentit unë kam thënë që është proces i ndarë, pres fillimisht të kosntituohet kuvendi, të formohet qeveria, të vazhdojë puna dhe kur të vjen koha e presidentit besoj që ka mundësi të gjendet formula se si të zgjidhet presidenti dhe të mos bllokohet vendi”, ka thënë ai.
E kryetari i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku, konferencë ka mbajtur të dielën mbrëma, sapo kanë dalë rezultatet preliminare, të cilat, sipas tij, nuk janë ato që janë pritur.
Abdixhiku ka bërë të ditur se do të thërrasë kuvendin e partisë, ku do të shqyrtohet edhe përgjegjësia e tij për rezultatin e 28 dhjetorit.
“Të gjitha janë në diskutim për kuvendin e përgjithshëm, natyrisht edhe dorëheqja pa asnjë diskutim”, ka thënë ai. Duke marrë përgjegjësinë që më takon si kryetar, do të thërras menjëherë Kuvendin e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe para tij do t’i shpalosi e shqyrtojmë të gjitha çështjet përfshirë edhe përgjegjësinë time që mbaj unë si kryetar i kësaj shtëpie të demokracisë”.
Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë se respekton rezultatin, por ka shtuar se ka frikë se nuk i zgjidh problemet e shqetësimet e qytetarëve.
Edhe Haradinaj ka paralajmëruar zgjedhje të brendshme në parti.
“Rezultati është ky që është dhe ne do ta respektojmë votën e qytetarit, por dhe do të reflektojmë për proceset tona të brendshme. Për ne zgjedhjet do të përfundojnë këtë pranverë, me zgjedhjet brenda Aleancës në të gjitha nivelet dhe me ringritjen tonë”, ka deklaruar Haradinaj.
Sipas tij, rezultati i së dielës zgjidh ngërçin institucional, por jo edhe problemet me të cilat përballen qytetarët.
“Gjatë gjithë kësaj kohe të fushatës jemi përballur me shqetësime të shumta të qytetarëve që nga kolapsi energjetik, ngecjet në proceset integruese euro-atlantike, posaçërisht në NATO, rënia e investimeve kapitale në gjithë vendin e lënien përgjysmë të krejt projekteve të mëdha, shtrenjtimin enorm të jetesës e stagnimin e pagave e deri te largimi në masë i të rinjve nga Kosova. Rezultati i këtyre zgjedhjeve e zgjidh ngërçin institucional, por kam frikë se nuk i zgjidh problemet e shqetësimet e qytetarëve. Kosova do të dobësohet në planin e brendshëm e të jashtëm e do të fitojnë armiqtë e saj! Rezultati është ky që është dhe ne do ta respektojmë votën e qytetarit por dhe do të reflektojmë për proceset tona të brendshme. Për ne zgjedhjet do të përfundojnë këtë pranverë, me zgjedhjet brenda Aleancës në të gjitha nivelet dhe me ringritjen tonë”, është shprehur lideri i AAK-së.
Bazuar në rezultatet preliminare, PDK-ja ka marrë 21% të votave në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, pothuajse rezultat identik me atë të 9 shkurtit.
LDK-ja ka rënë për 5 pikë të përqindjes, duke mbledhur 53 mijë vota më pak.
AAK-ja kësaj radhe ka garuar e vetme dhe ka marrë 5.68% të votave, pak mbi pragun zgjedhor, të cilin nuk ka arritur ta kalojë Nisma Socialdemokrate.