Deputetët e Komisionit parlamentar për Shëndetësi kanë kërkuar përgjegjësi nga drejtori i Fondit për Sigurime Shëndetësore, Fatmir Plakiqi, për shumë nga abuzimet me milionat e shtetit, që ishin të dedikuara për trajtim jashtë vendit të të sëmurëve. Hulumtimin e KOHËS, nëpërmjet të së cilit janë zbardhur abuzimet, Plakiqi e ka quajtur tendencioz dhe në lidhje me të ka refuzuar t’u japë përgjigje shumë pyetje të deputetëve.
Pas serisë së hulumtimeve të KOHËS për keqpërdorim dhe keqmenaxhim të miliona eurove të dedikuara për trajtim të pacientëve jashtë vendit, drejtori i Fondit për Sigurime Shëndetësore, Fatmir Plakiqi, të martën është ftuar për të raportuar në Komisionin parlamentar për shëndetësi. Megjithëse hulumtimi është bazuar në të dhënat zyrtare, Plakiqi ka deklaruar se ato janë spekulime.
Fryrja e faturave, borxhi aktual ndaj Turqisë, trajtimi i rasteve urgjente e veprimet e Fondit për implemetimin e sigurimeve shëndetësore ishin disa nga çështjet e ngritura nga deputetët e pushtetit dhe opozitës. Ata kanë kërkuar llogari nga ai për shumë nga çështjet e raportuara.
Deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Haxhi Avdyli, ka pyetur Plakiqin rreth borxheve që kanë krijuar si institucion, duke shkelur Ligjin për sigurime shëndetësore.
“A mund të na tregosh për Nenin 21, paragrafi numër 4, fondi nuk merr hua dhe nuk ka të drejtë të krijojë obligime të papaguara, sipas ligjit. Çka ndodhi që ju i dhatë të drejtë që të krijoni, përkundër ligjit që ua ka ndaluar. Ju e keni shkelur. Më intereson se mbi çfarë baze ju keni futur shtetin në borxhe, kur ligji ua ka ndaluar”, ka thënë Avdyli.
Një gjë të tillë e ka mohuar Plakiqi. Përgjegjësinë për çështjet e ngritura e ka gjuajtur tek udhëzimi administrativ dhe institucione tjera.
“Pikë së pari, ne nuk kemi futur në borxhe askënd… sepse neve na kanë futur në borxh QKUK-ja dhe trupat e Ministrisë së Shëndetësisë. Unë nuk nënshkruaj. Nënshkruan bordi i trajtimit jashtë vendit. Për rastet urgjente, obligohem me këtë udhëzim. Unë ende nuk e kam atë të drejtë me ia mohuar dikujt me jetuar. E keni parasysh se 72 orë duhet me dërguar me urgjencë pacientin në spital”, ka thënë Plakiqi.
“Bordi i trajtimeve jashtë është kompetent për aprovimin dhe refuzimin e shumave financiare për trajtim mjekësor. Bordi është kompetent për të kërkuar sqarime shtesë nga komisioni mjekësor, mund të kërkoj sqarime nga institucionet private lidhur me ndonjë paqartësi, faturë, profaturë, ndonjë raport që është në shpërputhje me ndonjë pasqyrim që është bërë në faturë”, ka thënë tutje, ai duke lexuar kompetencat e tij dhe të bordit.
Për patologjitë të cilat nuk trajtohen në QKUK, veçimin e tyre si raste urgjente dhe jourgjente, si dhe për një sërë çështjesh tjera ka shtruar pyetje deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe nënkryetari i Komisionit, Armend Zemaj.
“A keni rekomanduar ju pacientë që të shkojnë në spitale private, ashtu siç është raportuar nga mediat dhe familjarët. Besoj që ju keni ndonjë sqarim? Referimi i klinikave, që bëhet sipas diagnozave, sa e keni trajtuar me ShSKUK-në? Sa herë i jeni drejtuar ministrit aktual dhe atij paraprak? Disa çështje edhe sot janë shqetësuese. Si probleme thuhet se janë lëshuar fletëvendime për raste të rregullta për patologji dhe diagnoza që nuk janë pjesë e shtojcës 1 të Udhëzimit Administrativ 03/2017”, e ka pyetur deputeti Zemaj, drejtorin e Fondit.
Plakiqi është përgjigjur se janë të pakënaqur me klinikat e QKUK-së dhe punën e shërbimet që ofrojnë disa prej tyre. Ka deklaruar se kanë njoftuar Ministrinë e Shëndetësisë për të gjitha, nëpërmjet raporteve mujore e vjetore.
“Për çdo muaj, raportojmë cila klinikë, numri i rasteve dhe çfarë raste janë: urgjente apo të rregullta, totali i tyre dhe profatura e këtyre rasteve. Çdo mendim konziliar i bashkëngjitet këtij raporti. Këtu i kemi, për shembull, 108 referime, 108 mendime konziliare janë bashkëngjitur. Ka pasur rast që ne t’u shkruajmë kohë pas kohe komisionit konzilar, për ta shpjeguar një situatë të caktuar. Në 99 për qind e rasteve thonë se është vlerësim i doktorit, si për raste urgjente, si për të rregullta. I kemi pyetur se përse. Kanë thënë se kjo është çështje e mjekut. E kemi njoftuar bordin në atë kohë”, ka deklaruar Plakiqi.
Deputeti nga radhët e LVV-së, Mirsad Shkreta, ka kritikuar atë se si drejtor për katër vite i këtij institucionin, nuk ka bërë asgjë për implementimin e sigurimeve shëndetësore në Kosovë. Ai e ka quajtur shqetësuese se si në opinionin publik është krijuar përshtypja që Fondi trajton vetëm pjesën e subvencionimit.
“Vet buxheti i juaj tregon se nuk keni punuar asgjë tjetër. Rreth 93 për qind të buxhetit i keni dhënë subvencione. Do të thotë, vetë buxheti tregon se nuk keni punuar asgjë tjetër. A keni adresu një strategji? A keni strategji për implementimin e sigurimeve shëndetësore? A keni një gjë të tillë. Shërbimet thatë që nuk i keni kostuar. A keni analizë të tillë dhe të dërguar në MSH se cili është impakti i sigurimeve shëndetësore? Është punë e juaj. Ju tash edhe keqmeaxhimin në programin për trajtim jashtë shtetit po e relativizoni dhe po shmangni për të raportuar”, ka thënë deputeti Shkreta.
Për ikje nga përgjegjësia, Plakiqi është kritikuar gjatë gjithë kohës. Ai vazhdimisht ka mohuar gjetjet që i kanë prezantuar deputetetët.
Kryetarja e Komisionit, njëherit deputete nga LVV, Fatmire Kollçaku, ka kërkuar përgjegjësi nga Plakiqi, duke i thënë se nuk është krejt defekti te një udhëzim administrativ, siç pretendon ai.
“Deri më tani asnjë përgjegjësi nuk po e bartni te ju. Mirëpo, në kohën kur ju jeni drejtor, në katër vitet e fundit, është krijuar një borxh i madh. Pra, kemi një shumë të madhe. Nëse ju mendoni që nuk e keni asnjë përgjegjësi, atëherë është diçka tjetër. Një gjë është evidente, që kemi në proces të barazimit 34 milionë e 949 mijë euro. A qëndron kjo? Deri kur keni qenë insistues, pse ka ndodhur ky lëshim kaq i madh, për mos me arritur me u barazuar?”, ka pyetur deputetja Kollçaku.
Me arsyetimin e njëjtë se duhet pyetur bordin për trajtim jashtë shtetit, përgjigje Plakiqi nuk i ka dhënë as deputetit, Armend Zemaj, i cili ka kërkuar t’i dijë arsyet e çmimeve të ndryshme për shërbimin e njëjtë.
Kjo ka bërë që Zemaj ironikisht t’i shprehë kërkimfalje për ftesën për raportim në komision.
“Ah, po ju kërkojmë falje se ju paskemi thirrë badihava”, ka qenë shprehja e deputetit Armend Zemaj, pas disa tentimeve që Plakiqi t’i ikë pyetjeve dhe përgjegjësive.
Plakiqi gjatë takimit ka bërë të ditur se janë 44 institucione shëndetësore, shumica vendore, që janë barazuar dhe se vlera e fondeve të pashfrytëzuara është 1.4 milion euro.
Në Komisionin parlamentar, pas Plakiqit ka raportuar edhe drejtori i SKSKUK-së, Valbon Krasniqi, i cili është pyetur nga deputetët edhe për numrin e pacientëve dhe patologjitë, që referohen jashtë vendit. Ai ka thënë se në këtë situatë, ata analizojnë raportimet dhe bëjnë kërkesa për investim brenda QKUK-së.
“Ne kemi edhe raporte për numër të pacientëve dhe patologjive që referohen jashtë institucioneve. Ne i marrim dhe analizojmë këto raportime, i bëjmë në kërkesa për investime”, ka thënë Krasniqi.
Në fillim të këtij muaji, Qeveria e Kosovës ka emëruar bordin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore. Që nga marsi i 2022-ës, ai nuk kishte bord funksional. Qeveria ka emëruar Dafina Gexha Bunjakun nga Ministria e Shëndetësisë, Ahmet Ismajlin nga Ministria e Financave dhe Transfereve, Klit Shalën nga Ministria e Financave dhe Transfereve, Kastriot Meqën nga përfaqësues i Odës së Profesionistëve Shëndetësorë, Agreta Gecaj- Gashin përfaqësuese e Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, Fahri Shabanin nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, dhe Muhamedali Kodrën nga Shoqata e Pacientëve.