Kremtja zyrtare e 16-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, nisi me ngritjen solemne të flamurit. Përfaqësuesit shtetërorë vlerësuan kontributin e të rënëve për liri dhe thanë se Kosova tani është më e fortë se kurrë. E, në seancën solemne të Kuvendit, opozita kritikoi lidershipin shtetëror për humbje të aleatëve
Pak minuta pasi Kosova u shpall e pavarur më 17 shkurt, u miratuan edhe simbolet e shtetit. E kremtja zyrtare e 16-vjetorit të pavarësisë nisi me ngritjen solemne të flamurit trengjyrësh, në oborrin e ndërtesës së Qeverisë.
Në ceremoni, udhëheqësit më të lartë shtetërorë theksuan se Kosova ka dëshmuar se e ka merituar lirinë.
Presidentja Vjosa Osmani, ka thënë se gjatë viteve të shtetësisë, Kosova i ka dëshmuar botës se është kontribuuese e paqes, sigurisë dhe stabilitetit edhe përtej kufijve të saj.
“Këta 16 vjet të shtetit tonë Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm përpara dhe ka vendosur për të treguar para botës se jo vetëm që e ka merituar lirinë dhe pavarësinë e saj, por është kontribuuese e paqes, stabilitetit dhe sigurisë edhe përtej kufijve të saj. Dua t’i uroj të gjithë qytetarët e Kosovës, sepse gjithsecili ka dhënë një kontribut për shtetin tonë, por në veçanti dua t’i kujtoj ata që dhanë më të shtrenjtën e tyre, dhanë jetën e tyre, dëshmorët e kombit, të gjithë martirët tonë”, ka thënë ajo. “Në këtë ditë kujtojmë vizionin e arkitektit të pavarësisë, presidentit Ibrahim Rugova dhe sakrificën e pashembullt, trimërinë dhe guximin e familjes Jashari dhe gjithë ushtarëve me në krye komandantin Adem Jashari”.
E, kryeparlamentari Galuk Konjufca ka theksuar se 17 shkurti është ditë e festimit, por edhe e reflektimit, falënderimit dhe mirënjohjeve.
“Falënderimi i parë shkon për ata dëshmorë dhe martirë që dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e shtetit tonë, po ashtu edhe për të gjithë ata veprimtarë dhe aktivistë politikë që nuk kursyen asnjë gjë që shteti ynë të krijohet, padyshim edhe miqtë tanë ndërkombëtarë, që të lindë Republika e Kosovës”, ka thënë Konjufca.
E kryeministri foli për rezultatet e shtetit. Tha se Kosova tani është më e fortë se kurrë.
“Rezistenca dhe çlirimi i paraprinë pavarësisë, të cilën e gëzojmë sot dhe forcojmë përmes institucioneve të shtetit, zhvillimit të ekonomisë, progresit demokratik dhe shoqëror. Ky 16-vjetor e zë Kosovës me pasaportën e saj të fuqishme si asnjëherë më parë duke mundësuar që qytetarët të lëvizin lirshëm në 35 vende. Gjithashtu, edhe në aspektin ekonomik, demokratik dhe atë të sigurisë dhe të integritetit, duhet të themi se Republika jonë e përbashkët asnjëherë nuk ka qenë kaq e fortë, sigurt, lirë dhe demokratike”, ka thënë Kurti.
Pas ngritjes së flamurit, në Prishtinë përfaqësuesit më të lartë shtetërorë bënë nderime te Monumenti i të Pagjeturve e më pas te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe veprimtarit Adem Demaçi. Ata u përulën edhe te Monumenti “Heroinat” e tek ai për policët e rënë në detyrë.
E, në sallën ku 16 vjet më parë u bë shpallja e Pavarësisë, udhëheqës shtetërorë e politikë e vlerësuan 17 Shkurtin e 2008-s si të arriturën më të madhe historike të Kosovës.
Presidentja Osmani, tek foli para deputetëve e ambasadorëve në seancën solemne të Kuvendit, i falënderoi aleatët perëndimorë që ndihmuan në shtetndërtim dhe në mbrojtjen e sovranitetit, demokracisë e kufijve të Kosovës.
“Në mënyrë të veçantë duhet t’u falënderohemi miqve tanë të lirisë. Ju ishit me ne përgjatë rrugëtimit tonë kur na mohohej çdo e drejtë, kur shtypeshim mizorisht e kur luftonim për lirinë, kur u çliruam e kur ndërtuam institucionet tona demokratike. E ju kemi pranë pa asnjë dyshim edhe sot në mbrojtje të sovranitetit, të kufijve tanë, dhe demokracisë. Aleanca jonë me SHBA-në qëndron si shtylla më e fuqishme e shtetësisë sonë”, ka thënë Osmani.
E derisa e përmendi sulmin e grupit të armatosur serb në Banjskë, ajo i përçoi një porosi Serbisë, duke theksuar se prezenca e Serbisë ka përfunduar.
“Le të jetë e qartë, prezenca ushtarake e policore e Serbisë në Kosovë ka përfunduar një herë e përgjithmonë në qershor më 1999, kur qiellin e Kosovës e pushtoi fryma e lirisë. Mëngjesin e 24 shtatorit djemtë e vajzat tona kanë dëshmuar përkushtim e sakrificë për të mbrojtur vendin e tyre”, ka thënë Osmani.
E kryeministri Kurti, në fjalimin solemn para deputetëve, ka thënë se nëse Serbia do të kishte ndier përgjegjëse për gjenocidin në Kosovë, do ta kishte njohur Pavarësinë e Kosovës qysh më 17 shkurt 2008.
Para deputetëve dhe mysafirëve, kryesisht ambasadorë të akredituar në Kosovë, Kurti ka thënë se Serbia, në vend të nënshkrimit të marrëveshjes bazë nga dialogu, po e ndjek rrugën e konfrontimit me Kosovën.
“Ajo vazhdon të refuzojë nënshkrimin e planit franko-gjerman dhe nuk nënshkroi marrëveshjen bazike për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën që sjell fqinjësi të mire evropiane. Në vend të saj, ajo përfaqësoi terrorizmin. Edhe aty dështoi me turp përballë heroizmin dhe profesionalizmit të Policisë sonë. Për mbrojtjen e Republikës sonë nga sulmi i financuar dhe drejtuar nga Serbia, u desh që sërish të jepnim dëshmor. Afrim Bunjaku i shtohet kësaj liste”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se ndonëse Kosova është shteti më i ri në rajon, me vetëdije është pjekur po aq sa shtetet më të vjetra se ajo.
“Kosovën e ka pjekur para kohe qëndresa e popullit tonë ndaj valëve të njëpasnjëshme të pushtimeve dhe gjenocideve. Kosova u bë Republikë në Kaçanik dhe u luftua me pushkë të UÇK-së. Me flijimet që bëri për idenë e Republikës, Kosova fitoi simpatinë e shteteve demokratike që i dolën në krah më 1999. Më 2008 s’kishte mbetur dilemë te ndërkombëtarët nëse Republika e Kosovës do të vinte. Por diskutohej të vinte në një trajtë të tillë që ishte e pranueshme edhe për armikun më të madh të saj, shtetin serb, që kishte dashur ta mbyste idenë e shtetit të shqiptarëve”, ka thënë kryeministri Kurti.
Fjalimin, kryeparlamentari Glauk Konjufca e shfrytëzoi për të falënderuar të gjithë ata që sakrifikuan për liri. Falënderoi edhe NATO-n që ndali gjenocidin mbi popullin, e edhe të gjitha shtetet që njohën Pavarësinë e Kosovës.
“U desh mund kolosal dhe sakrifica sublime për të lindur Republika e Kosovës. Është ditë e frymëzimit. Përkulemi para atyre që dhanë jetën për liri”, ka thënë ai. “I kemi në zemër të gjithë ata që nuk iu trembën burgjeve e nuk iu trembën demonstratave. I kujtojmë deputetët e 2 korrikut e 7 shtatorit. I përkulemi popullit tonë të pamposhtur, të etur për liri”.
Në seancën solemne munguan kryetarët e tri partive opozitare, Memli Krasniqi i PDK-së dhe Ramush Haradinaj i AAK-së.
E deputetë opozitarë që ishin në sallë dhanë mesazhe për ruajtjen e aleatëve që ndihmuan vendin në kohërat e vështira.
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se s’mund të ketë festë të Pavarësisë pa falënderuar miqtë ndërkombëtarë. Ai ka kritikuar kundërshtimin e Lëvizjes Vetëvendosje, për të mos festuar ditën kur Kosova e shpalli Pavarësinë.
“Populli ynë, kushdo që është në pushtet, nuk do ta kontestojë asnjëherë miqësinë me SHBA-në, BE-në dhe Britaninë e Madhe. Shumëkush, jo vetëm armiqtë e jashtëm, por edhe nga brenda, nuk besuan që do të shpallej Pavarësia e Kosovës. Por SHBA-ja nuk na zhgënjeu, i zhgënjeu ata që ishin skeptikë për orientimin euroatlantik. Ky vend nuk meriton qeverisje që e fut vendin në sanksione”, ka thënë Tahiri.
Tahiri ka kujtuar edhe ish-udhëheqësit e UÇK-së që janë duke u mbajtur në Hagë nën akuzën për krime lufte, e të cilët në seancë nuk u përmenden nga presidentja e kryeministri.
“Presidenti Hashim Thaçi sot nuk e gëzon lirinë e Kosovës, por vepra e tij jeton. Andaj sot jemi mbledhur ta shënojmë 16-vjetorin e kësaj vepre historike. Hashim Thaçi dhe shokët e tij bashkëluftëtarë të UÇK-së, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi e shumë të tjerë janë në betejën e radhës për Kosovën, duke luftuar për drejtësi dhe për ta pastruar emrin dhe lavdin e madh të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilin nuk e ndotën asnjëherë propagandat që vijnë si nga jashtë ashtu edhe nga brenda Kosovës”, ka thënë Tahiri.
E kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, iu drejtua kryeministrit Kurti duke thënë se “shtëpia nuk mund të mbahet pa miq”.
“Në kohët më të vështira, krijuam unitet të brendshëm. Krijuam ura bashkëpunimi mes vete dhe aleatë, prandaj kapërcyem sfida të pakapërcyeshme më parë. Ndiejmë mirënjohje për aleatët që në orët më të vështira na dolën në krah. Shtëpia nuk mbahet pa miq, nuk mbahej dje, s’mbahet sot dhe s’do të mbahet as nesër. Këto aleanca t’ua mësojmë brezave të rinj”, ka thënë Abdixhiku.
Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se duhet ruajtur partneritetet me aleatët strategjikë.
“Duhet ta ruajmë partneritetin që e kemi ndërtuar me mund me SHBA-në dhe shtetet e BE-së. Kjo nuk është dëshirë, është obligim që e kemi marrë nga brezat që dhanë gjithçka për këtë liri”, ka theksuar ai.
Kritikave për cenim të partneritetit me ndërkombëtarët, kryeministri Kurti iu përgjigj gjatë fjalimit në pritjen që përfaqësuesit shtetërorë organizuan në mbrëmje.
Ai ka thënë se Kosova ka qenë dhe do të mbetet e palëkundur në rrugëtimin e saj bashkë me miqtë e aleatët amerikanë dhe evropianë.
“Sikur në ditët e çlirimit në qershor 1999, edhe në ditën e pavarësisë më 17 shkurt 2008, sikur edhe sot në ditëlindjen e 16-të të Kosovës sonë të pavarur, Kosovës i kanë qëndruar pranë miq e aleatë që udhëtuan bashkë me ne e krah nesh si në kohë të vështira ashtu edhe në momente festive e përkujtime si sot”, ka thënë Kurti. “Si dikur më 1999, si më 2008, si sot më 2024 Kosova ka qenë, është dhe do të mbetet e palëkundur në rrugëtimin e saj bashkë dhe krahas me miq dhe aleatë amerikanë që ndonëse nga përtej Atlantikut janë afër dhe evropianë të kontinentit tonë të përbashkët. Me miq dhe aleatë jemi më të fortë dhe të sigurt. Bashkë kemi ardhur deri këtu e bashkë do të vazhdojmë për të përparuar drejt aty ku jemi nisur, drejt BE-së dhe NATO-s”.
E në sallën e Kuvendit, si mysafirë nderi në seancë morën pjesë ish-presidenti Fatmir Sejdiu dhe familjarë të policit të vrarë në Banjskë, Afrim Bunjaku. Por, munguan afro gjysma e deputetëve. Nga 120 sa janë, të pranishëm ishin 67. Në sallë nuk u paraqitën 18 deputetë të partisë në pushtet e 18 nga opozita.