Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, më 15 tetor do të qëndrojë për vizitë në Kosovë për herë të parë gjatë mandatit të saj të dytë në këtë detyrë. Vizita është pjesë e turit që Von der Leyeni do ta zhvillojë në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor
Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, pritet që ta vizitojë Kosovën më 15 tetor, në kuadër të turneut të saj nëpër të gjitha gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, ka mësuar KOHA nga burime në Bruksel.
Kjo do të jetë vizita e saj e parë në rajon gjatë mandatit të dytë si kryetare e Komisionit Evropian. Ajo e pati vizituar Kosovën edhe më 24 tetor të vitit të shkuar, në kohën kur po i afrohej fundi mandatit të saj të parë.
Që atëherë u pati ditur se Von der Leyeni do të jetë në krye të Komisionit Evropian edhe për një mandat të dytë pesëvjeçar.
Vizita e para një viti e Von der Leyenit në Kosovë ka qenë plot entuziazëm. Ajo, në një konferencë shtypi pati shprehur urime për Qeverinë e Kosovës dhe për kryeministrin, Albin Kurti, për “punën e mrekullueshme në agjendën e reformave” dhe e pati bërë zotimin se deri në fund të vitit 2024 Komisioni Evropian do ta realizojë pagesën e parë në vlerë prej mbi 60 milionë eurosh për Kosovën, nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian (BE) për Ballkanin Perëndimor.
Por një vit pas kësaj, Von der Leyeni do ta gjejë Kosovën në një situatë krejt të ndryshme, të përfshirë në një ngërç politik, pa institucione të formuara sipas zgjedhjeve të 9 shkurtit, ndërsa pagesa e mjeteve të para të financimit nga Pakoja e Rritjes jo vetëm që nuk është realizuar më 2024, por nuk mund të ekzekutohen as sivjet, ndërsa është pikëpyetje se kur do të mund të realizohen.
Kosova në këtë mënyrë po e paguan çmimin e mungesës së një Kuvendi të konstituuar dhe një qeverie, të cilat institucione mund ta bëjnë miratimin dhe ratifikimin e marrëveshjes me BE-në për jetësimin e pagesave të parapara me këtë plan të BE-së.
Kosova, krahas Bosnjë-Hercegovinës, ka mbetur e vetmja që nuk i ka marrë pagesat e para nga Plani.
Von der Leyeni pritet që gjatë qëndrimit të saj në Kosovë të takohet me presidenten, Vjosa Osmani, si dhe me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti. Hollësitë mbi agjendën e qëndrimit të saj në Kosovë janë duke u koordinuar nga Zyra e BE-së në Prishtinë, për ç’arsye diplomatët evropianë në Bruksel nuk janë të sigurt se në cilin objekt Von der Leyen do të mbajë takim me Kurtin.
Para disa muajsh, Zyra e BE-së pati marrë vendim që zyrtarë të bllokut të mos i takojnë pjesëtarët e qeverisë në detyrë nëpër zyrat e tyre qeveritare, si rrjedhojë e vendimit të Gjykatës Supreme se ata nuk mund t’i mbajnë paralelisht edhe poste në Kuvend e edhe në qeveri.
Vizita e presidentes së Komisionit Evropian në Kosovë do të realizohet vetëm disa javë para miratimit të raporteve vjetore të progresit për vendet e zgjerimit. Kjo vizitë, sipas burimeve në Bruksel, ka qenë një prej arsyeve përse raportet nuk do të miratohen në mesin e muajit tetor, por në javën e parë të nëntorit.
Von der Leyeni pritet që gjatë turit në Ballkanin Perëndimor ta përsërisë përkushtimin e Komisionit Evropian për rajonin dhe për perspektivën e vendeve për anëtarësim në BE. Por me përjashtim të Shqipërisë dhe të Malit të Zi, asnjë vend tjetër i rajonit nuk ka avancuar fare në këtë proces.
Von der Leyeni vizitën në vendet e rajonit pritet që ta nisë në Tiranë, më 13 tetor, ndërsa në kuadër të saj do të qëndrojë edhe në Mal të Zi, në Maqedoni të Veriut, në Serbi dhe në Bosnjë-Hercegovinë.