LAJMET E MBRËMJES

Pritshmëri të vogla në Kosovë nga takimi Kurti-Vuçiq

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, do të takohen fillimisht me zyrtarët e Bashkimit Evropian, e më pas edhe mes vete.  Në njoftimin nga Bashkimi Evropian, bëhet e ditur se takimet do të zhvillohen pasditen e së mërkurës (26 qershor) derisa në lidhje me to do të ketë edhe deklarime nga përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell. Në Kosovë, pushtet e opozitë janë deklaruar skeptikë për rezultatin e takimit

Në dy formate do të zhvillohen takimet mes kryeministrit Albin Kurti e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në Bruksel të mërkurën, kanë njoftuar nga Bashkimi Evropian.

Në njoftimin e ndarë nga shërbimi diplomatik i BE-së, thuhet se takimet do të zhvillohen pasditen e së mërkurës. Fillimisht përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell e emisari për dialogun Kosovë-Serbi, do të takojnë ndaras të dy liderët, e më pas do të zhvillohet takimi trepalësh.

“Përfaqësuesi i Lartë dhe përfaqësuesi Special i BE-së, Miroslav Lajçak, do të zhvillojnë takime të ndara me liderët nga ora 15:00, pasuar nga një takim i përbashkët trepalësh. Takimet do të analizojnë atë që është arritur në dialog nën udhëheqjen e Përfaqësuesit të Lartë dhe do të fokusohen në rrugën përpara”, thuhet në njoftim, të ndarë për media pasditen e së hënës.

Takimi mes Kurtit e Vuçiqit, i pari i këtij niveli që nga shtatori i vitit të shkuar, është aranzhuar nga diskutimet që emisari Lajçak ka pasur në Prishtinë e Beograd me kryenegociatorët Besnik Bislimi e Petar Petkoviq javën e shkuar.

Por, ky takim nuk ka ngjallur optimizëm për ndryshime pozitive në dialog. Pushteti e opozita nuk kanë pritshmëri nga takimi që do të zhvillohet të mërkurën në Bruksel të mërkurën.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca nuk pret ndonjë zhvillim të rëndësishëm.

“Nuk pres diçka të rëndësishme dhe esenciale... Nuk pres nga Serbia që ajo do të zbatojë marrëveshjen bazike. Kurrfarë asociacioni nuk është në rend të ditës për Republikën e Kosovës njëherë për njëherë”, ka thënë ai në një prononcim për RTV21.

Zhvillim të ri nga procesi i dialogut nuk pret as shefi i deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri.

“Komplet angazhimi në këtë takim të dialogut, në takimin e radhës do të jetë në temat që i ka prodhuar, në temat që kryeministri Kurti i ka prodhuar në këto dy vite e gjysmë. Vet menaxhimi i komunitetit serbë që implementohet përmes draft statutit që kryeministri nuk merr pronësi që është i tij, por në anën tjetër e ka prodhuar dialogu ku ai ka pronësi”, ka thënë ai, në një deklarim për media pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit.

E Armend Zemaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës e sheh shqetësuese mungesën e transparencës nga ky proces.

“Vetë vizita e heshtur e Lajçakut është prodhim i takimit Kuti-Vuçiq e që mund të përdorim si thirrje për qeverinë që të jetë e përgjegjshme në atë çka do të bëjë tutje. E përgjegjshme me atë që kemi para me aneks marrëveshjen e Ohrit dhe e përgjegjshme për marrëveshjet të cilat janë të dakorduara dhe janë të përkrahura edhe nga institucionet e Kosovës dhe mekanizmat dhe partnerët ndërkombëtar”, ka thënë ai.

Për herë të fundit Kurti e Vuçiqi u takuan më 14 shtator të vitit të kaluar, disa ditë para sulmit në Banjskë të Zveçanit. Pas kësaj, për udhëheqësit e Kosovës vazhdimi i dialogut u konsiderua i pakuptimtë, derisa BE-së iu kërkua që të marrë masa ndaj Serbisë, si organizatore e sulmit.

Që atëherë Borrelli e Lajçaku nuk patën arritur t’i bindnin palët që të zhvillonin një rund tjetër bisedimesh.

Megjithëse Kurti-Vuçiq qenë dakorduar më 27 shkurt në Bruksel për një marrëveshje 11-pikëshe për normalizim dhe në Ohër për Aneksin e zbatimin e saj, nënshkrimet vazhdojnë të mungojnë për shkak të refuzimit të Serbisë.

Me këtë marrëveshje në nenin 4 ishte arritur pajtimi që Serbia nuk do ta bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

E me nenin 7 u rikonfirmua se Serbia e fiton ngritjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Bashkimi Evropian vazhdimisht i ka kritikuar palët për moszbatim të marrëveshjes.

Por, konkretisht para një jave Peter Stano e ka akuzuar Serbinë se po e shkel ujdinë,  duke iu referuar lobimit serb për mosanëtarësimin e Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare.

Një javë më parë ambasadorë të SHBA-së e të Gjermanisë në Kosovë theksuan se dialogu Prishtinë-Beograd duhet të përfundojë me njohje reciproke dhe se është i  paimagjinueshëm anëtarësimi i tyre në BE, pa e njohur pavarësinë e njëra-tjetrës.

Ndërmjetësve të dialogut, Josep Borrell e Miroslav Lajçak, u skadon mandati së shpejti.

Derisa Borrelli do të shërbejë në krye të diplomacisë evropiane deri në vjeshtë, Lajçaku është emëruar ambasador i BE-së në Zvicër, por ai do të veprojë si ndërmjetës në dialog deri sa të gjendet një zëvendësues.