LAJMET E MBRËMJES

Procedura ndaj Sveçlës veçohet, seanca ndërpritet me kërkesë të Zybës

Xhelal Sveçla nuk është paraqitur as të premten në gjykatë për t’u përballur me akuzën për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend, rreth tetë vjet më parë. Pas mungesës së sërishme, gjyqtari vendosi ta vazhdojë seancën ndaj tre ish-deputetëve të tjerë. Por, seanca u ndërpre, meqë Salih Zyba tha se përbën konflikt interesi fakti që prokurori i rastit, sipas tij, është biri i njeriut që ka qenë sekretar Kuvendi në kohën kur është hedhur gazi lotsjellës

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, nuk është paraqitur në gjykatë as të premten, për të marrë pjesë në seancën për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend. Ndaj tij Gjykata e veçoi procedurën penale.

Gjyqtari Sabit Sadikaj tha se janë përmbushur kushtet ligjore që shqyrtimi gjyqësor të vazhdojë vetëm me të pandehurit e pranishëm.

“Për shkak se kjo procedurë është zvarritë qe disa herë, gjykata u propozon palëve që seanca të vazhdojë me të pandehurit prezent, ndërsa të veçohet lënda e Xhelal Sveçlës”, ka bërë të ditur Sadikaj.

Avokati i Sveçlës, Laur Preni, kërkoi nga gjykata që të ketë konsideratë për mungesën.

“Kërkoj nga gjykata që të ketë konsideratë dhe mirëkuptim për faktin se i mbrojturi im mban një detyrë me përgjegjësi të lartë si ministër në detyrë i Punëve të Brendshme dhe jo çdo herë mund të jetë prezent apo i gatshëm që t’u përgjigjet ftesave nga gjykata”, ka thënë Preni.

Ani se u vendos që shqyrtimi gjyqësor të vazhdojë ndaj ish-deputetëve Salih Zyba, Fitore Pacolli-Dalipi dhe Drita Millaku, seanca u ndërpre nga gjyqtari Sadikaj. Vendimin e mori me kërkesë të Zybës, i cili kërkoi ndryshimin e prokurorit të rastit, Valdrin Krasniqi, nën pretendimin se është biri i Ismet Krasniqit që ka mbajtur pozitën e sekretarit të Kuvendit në kohën kur me gaz lotsjellës opozita ka kundërshtuar themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si dhe marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi.

“Apeloj te gjyqtari që të verifikohet në kohë reale që prokurori prezent, të na heqë dyshimet, nëse prokurori ka qenë i ndikuar nga  prindi që ka mbajtur detyrën zyrtare Ismet Krasniqi. Nëse ky, siç e kuptum këtu, është i biri natyral i Ismet Krasniqit... E konsideroj që është konflikt interesi dhe jo profesionalizëm. Së pari të verifikohet se i njëjti a është djali i sekretarit të atëhershëm, se konsideroj që në Kosovë ka prokurorë të tjerë”, ka thënë Zyba.

Kërkesa u bë pasi prokurori Krasniqi lexoi aktakuzën, sipas së cilës në sallën e Kuvendit më 21 mars 2018, në cilësinë e deputetëve, fillimisht Sveçla, e më pas edhe Zyba, Millaku dhe Pacolli, kanë përdorur mjete plasëse duke aktivizuar disa bombola me gaz lotsjellës.

Prokuroria ka akuzuar të pandehurit për veprën penale “përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Pas leximit të aktakuzës, Millaku deklaroi se do të mbrohet në heshtje, ndërkaq Zyba dhe Pacolli thanë se nuk ndihen fajtorë.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 18 shtator 2025 pati lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim në seancë ndaj Sveçlës, Zybës dhe Pacollit, meqë ishin paraqitur dy ditë më përpara në seancën gjyqësore.