Në seancën e shqyrtimit fillestar, profesori i pezulluar, Xhevat Krasniqi, është deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzën për ngacmim seksual. Bazuar në aktakuzën e ngritur ndaj tij, Krasniqi ngarkohet se në cilësinë e profesorit të matematikës në Fakultetin e Mjekësisë është përfshirë në sjellje të padëshiruar verbale të natyrës seksuale
Profesori i Universitetit të Prishtinës, Xhevat Krasniqi, është deklaruar i pafajshëm në akuzën për veprën penale “Ngacmim seksual” gjatë seancës së shqyrtimit fillestar, të martën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Krasniqin aktakuza e ngarkon se në cilësinë e profesorit të matematikës, në Fakultetin e Mjekësisë është përfshirë në sjellje të padëshiruar verbale të natyrës seksuale.
Ai e ka hedhur poshtë pretendimin e përmendur në aktakuzë se katër studente i ka ngacmuar seksualisht, me fjalë.
“Absolutisht i pafajshëm”, ka thënë Krasniqi.
Këtë deklarim, i akuzuari e ka bërë pasi që prokurori Blerim Igrishta e ka lexuar aktakuzën e plotë.
“Të dëmtuarës, E. B., me fjalët të dyja i keni lyer buzët njëjtë. Pastaj i drejtohet të dëmtuarës, D. V. me fjalët, lyej ti sa të duash, se buzët si të Ejonës nuk mundesh me i pasë, po ashtu të dëmtuarës E. derisa ka qenë në zyrën e të pandehurit Xhevat, në një moment i kishte thënë dhe demonstruar se do t’i bëjë masazh, pastaj i është drejtuar me fjalë të dëmtuarës R. A. po dokesh shumë bukur, shumë mirë je veshur, lyej gjithmonë qashtu, ngjyra e kuqe e flokëve po të bie në sy”, ka thënë prokurori Igrishta.
Për akuzat që profesorit i vihen në barrë, avokati i tij, Drilon Imeri, ka thënë se janë të bazuara në spekulime.
“Duke besuar plotësisht në paanësinë e gjyqësorit dhe profesionalizmin në përgjithësi të gjyqtarëve dhe gjyqtarit konkret, vlerësojmë se ky rast do të mbyllet me një vendim meritor, i cili do të jetë pafajësia e profesorit Krasniqi, për arsye se kjo aktakuzë në tërësi është e bazuar në spekulime, është e mbështetur vetëm në deklarata të të dëmtuarve, pa asnjë provë personale apo materiale tjetër. Presim që kjo procedurë të zgjidhet me një aktgjykim lirues”, ka thënë avokati Imeri.
Krasniqi u pati denoncuar për ngacmim seksual nga 27 studente. Një vit pas nisjes së hetimeve, Prokuroria Themelore ngriti aktakuzë ndaj tij. Në mars të 2024-tës, KOHA raportoi për ankesën e studenteve të Fakultetit të Mjekësisë dhe për zvarritjen e rastit në Këshillin e Etikës, ku profesori ishte denoncuar.
Dy muaj pas denoncimit, Krasniqi u pezullua nga pozita e profesorit në Universitetin e Prishtinës (UP).
Vendimi ishte marrë nga Rektorati i UP-së, me rekomandim të Këshillit të Etikës.
Kundër profesorit Krasniqi dhjetëra studentë kanë protestuar, me kërkesën që ai të përjashtohej nga UP-ja, por Rektorati i ka shpërfillur këto kërkesa.