Është mbajtur Konferenca Vjetore e Prokurorëve, gjatë së cilës u dhanë kritika në raport me Qeverinë dhe me presidenten. Nga ta u kërkua më shumë mbështetje e edhe dekretimi i Blerim Isufajt për kryeprokuror
Në konferencën vjetore të prokurorëve, përfaqësues të organit të akuzës kërkuan të shtunën më shumë mbështetje nga Qeveria, pasi u ankuan për buxhet të kufizuar, për prokurorë e staf profesional të pamjaftueshëm dhe për kushte jo të mira pune.
Ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka theksuar se mungesa e prokurorëve në raport me numrin e madh të lëndëve mbetet sfidë serioze për sistemin e drejtësisë.
“Edhe në këtë konferencë, e përsëris se është koha e fundit që institucionet kompetente të mendojnë shumë seriozisht për krijimin e kushteve për punë më efikase në prokurori dhe gjykata, sepse drejtësia e vonuar nuk është drejtësi. Përkundrazi, një drejtësi e vonuar vetëm sa paraqet shkaqe dhe arsye për zhgënjim dhe rritje të kriminalitetit dhe dëmtim të rëndë të të drejtave të njeriut”, ka thënë ai.
Kelmendi ushtron detyrën e kryeprokurorit, meqë i propozuari i Këshillit Prokurorial për këtë pozitë, Blerim Isufaj, nuk është dekretuar nga presidentja Vjosa Osmani. Ajo dhe përfaqësues të një numri organizatash të shoqërisë civile kontestuan edhe procesin e emërimit e edhe profilin e Isufajt që prej vitesh drejton Prokurorinë Speciale.
Në konferencë, kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Ardian Hajdaraj, u ankua pikërisht për refuzimin e presidentes për ta dekretuar këtë propozim.
“Një nga sfidat më të mëdha me të cilat po përballet sistemi prokurorial i Kosovës është edhe emërimi i kryeprokurorit të Shtetit. Këshilli Prokurorial i Kosovës, edhe sot, e sheh si një prioritet urgjent përmbylljen e këtij procesi”, ka thënë Hajdaraj.
Në konferencë morën pjesë edhe përfaqësues të BE-së, të cilët theksuan rëndësinë e veprimeve të organit të akuzës në funksion të afrimit të Kosovës me BE-në.
E, shefi i EULEX-it, Giovanni Barbano, dha mesazh që prokurorët të mos jenë të ndikueshëm.
“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që prokuroria të jetë e pavarur dhe të mos ndikohet nga politika”, ka thënë Barbano.
Në raportin e Prokurorisë Speciale, të prezantuar gjatë konferencës, u bë e ditur se gjatë vitit 2024 janë trajtuar 18 raste të krimit të organizuar me 63 persona, ndërsa janë zgjidhur po aq raste me 207 persona të përfshirë.
Sipas raportit, janë zgjidhur 27 raste të krimeve të luftës, që përfaqësojnë 91 për qind të rasteve të pranuara.