LAJMET E MBRËMJES

Protestohet kundër qasjes së Komunës së Prishtinës për trajtimin e qenve endacakë

Në Prishtinë është organizuar protestë të premten kundër mënyrës së zgjidhjes që e ka ofruar Komuna për qentë endacakë. Aktivistët kanë kërkuar realizimin e një liste masash për ta siguruar mbrojtjen dhe mirëqenien e këtyre kafshëve, ndërsa kanë alarmuar se ato keqtrajtohen në strehimoret publike

Dhjetëra qytetarë e kanë kundërshtuar me protestë mënyrën se si Komuna e Prishtinës është duke i trajtuar qentë endacakë.

Aktivistë protestues të të drejtave të kafshëve e kanë cilësuar keqmenaxhim dhe shkelje të ligjit mënyrën e strehimit të këtyre qenve, dhe kanë kërkuar transparencë e respektim të standardeve.

Elzana Ramadani, drejtoreshë e Fondacionit për të Drejtat e Kafshëve, ka thënë se trajtimi i qenve endacakë nuk mund të bëhet në kundërshtim me ligjin, teksa ka listuar edhe kërkesa për komunën.

“Kërkesat tona janë: sterilizim, kastrim masiv, për ta ulur numrin e qenve në rrugë, vetëdijësim dhe mbështetje për familjet që mbajnë qen, që ata të mos braktisen dhe të sterilizohen, vetëdijësim të qytetarëve për ta ulur frikën dhe për t’i përfshirë në zgjidhjen e problemit, strehimore që e respektojnë ligjin dhe mirëqenien e kafshëve, politika të bazuara në të dhëna, jo në improvizime dhe përfshirjen e qytetarëve dhe të shoqërisë civile në çdo vendim që i prek kafshët e pambrojtura”, ka theksuar ajo.

E, aktivistja, Valbona Mustafa, ka thënë se do të ndërmerren edhe veprime të tjera, po qe se Komuna e Prishtinës nuk reflekton.

“Do t’i përdorim të gjitha masat ligjore dhe demokratike për ta dërguar këtë çështje tutje”, ka paralajmëruar ajo.

E, drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Bekim Brestovci, nuk ka dhënë ndonjë sinjal se do të ndryshojë politika në raport me qentë endacakë.

“Jemi duke e bërë një punë jashtëzakonisht të mirë, një punë që shkon në dobi të qenve që deri më tani kemi arritur t’i largojmë prej hapësirave publike, që janë diku 1300, me pretendim që ne tani të vazhdojmë me këto aksione të largimit të qenve endacakë nga hapësirat publike”, është shprehur ai.

Më 9 qershor, Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve e ka publikuar një video, e cila sipas aktivistëve, është realizuar në një strehimore publike në kryeqytet, e në të cilën shihet një person duke e goditur një qen. Sipas aktivistëve, ky nuk është rast i izoluar.