LAJMET E MBRËMJES

Qeveria e quan sulm hibrid të Serbisë kërcënimin me bombë ndaj Kuvendit

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ka quajtur sulm hibrid nga Serbia kërcënimin me bombë ndaj Kuvendit të Kosovës. Ai në një postim në Facebook ka shkruar se kërcënimi me bombë nga Serbia, dëshmon luftën aktive hibride të Serbisë ndaj Kosovës. E ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se profilet e numrit që alarmoi për bombë, kanë fotografi të Mladiqit

Kërcënimi me bombë ndaj Kuvendit të Kosovës, i raportuar të shtunën, ka për adresë Serbinë, ka thënë të dielën ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, duke u thirrur në të dhëna të institucioneve të sigurisë.

Sipas tij, kërcënimi është bërë nga një numër telefonik i regjistruar në Serbi dhe i përket kompanisë MTS.

Në postimin e tij në Facebook, Sveçla ka përmendur emrin e shtetasit serb, Lazar Zhivkoviq, si personin që ka përdorur apo përdor këtë numër.

Ai ka shtuar se në disa profile të lidhura me numrin është identifikuar edhe fotografia e kriminelit të luftës Ratko Mladiq.

Sveçla e ka quajtur këtë rast “sulm hibrid” që, sipas tij, dëshmon përpjekjet për destabilizim nga territori i Serbisë.

“Institucionet e Kosovës janë duke trajtuar rastin me prioritet të lartë dhe do të kërkojnë mbështetje ndërkombëtare për arrestimin dhe vënien para përgjegjësisë të personave që qëndrojnë pas kërcënimit, sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka shkruar Sveçla në rrjetet sociale.

Edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka reaguar duke përgëzuar institucionet për veprimin e shpejtë.

Kurti e ka quajtur po ashtu sulm hibrid nga Serbia kërcënimin me bombë ndaj Kuvendit të Kosovës.

“Konfirmimi se ky kërcënim e ka origjinën në Serbi dëshmon edhe një herë luftën aktive hibride të Serbisë ndaj vendit tonë”, ka shkruar Kurti.

Një alarm për bombë brenda objektit të Kuvendit bëri që vazhdimi i seancës konstituive, i caktuar për orën 11:00 të së shtunës, të mbahet në orën 20:00.

E kërcënimi rezultoi i rremë.

Deputetët u mblodhën edhe në terminin e ri, por pa rezultat.

Të shtunën mbrëma ishte përpjekja e 43 për konstituim të Kuvendit.

Ndërkohë, politologu Artan Muhaxhiri vlerëson se në situatën aktuale një aktgjykim i ri dhe i qartë i Gjykatës Kushtetuese do ta thyente bllokadën politike, meqë subjektet politike po tregohen të papërgjegjshme sipas tij.

“Ekziston një ide që politikanët tanë janë të gatshëm të shkojnë pafundësisht me këtë lojën e tyre, prandaj edhe Gjykata Kushtetuese duhet që të jetë domosdoshmërisht më e qartë, më e saktë në vendimet e ardhshme sesa që ishte në vendimin e fundit, pasi nuk guxon të bëjë më shumë dëm sesa dobi. Nuk mund t’ua japë edhe një kartë tjetër partive politike, në mënyrë që ato të vazhdojnë me këtë avaz të bllokimit”, ka thënë ai.
E profesori i shkencave politike, Dritëro Arifi, vlerëson se sjelljet e deputetëve imponojnë zgjedhje të reja.
“Zgjedhjet e reja janë të pashmangshme, për shkak të bllokadimit të palëve dhe sidomos të partisë së parë. Duhet potencuar se përgjegjësia më e madhe është vetëm e partisë së parë, si në aspektin politik, ashtu edhe në atë kushtetues e juridik”, ka thënë Arifi.

Të hënën do të bëhet përpjekja e radhës për konstituim – e 44-ta.