Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Qeveria në detyrë ndan rreth 11 milionë euro për zgjedhjet e 7 qershorit

Balotazhi - 9 nentor

Foto: Arkiv

Foto: Driton Paçarada

Për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit janë ndarë rreth 11 milionë euro. E, KQZ-ja ka vazhduar fushatën e informimit për qendrat e votimit dhe ka konfirmuar se deri të martën kanë aplikuar rreth 60 mijë shtetas që jetojnë jashtë Kosovës me të drejtë vote

Qeveria në detyrë ka ndarë rreth 11 milionë euro për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që do të mbahen më 7 qershor.

Kjo shumë është ndarë në një mbledhje elektronike të Qeverisë, të martën, në të cilën është trajtuar kërkesa e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës, ka zhvilluar mbrëmë mbledhje elektronike, në të cilën ka: Miratuar kërkesën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për ndarjen e mjeteve buxhetore, në vlerë prej 10,887,186.45 € (dhjetë milionë e tetëqind e tetëdhjetë e shtatë mijë e njëqind e tetëdhjetë e gjashtë euro e dyzet e pesë cent), për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 07.06.2026”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

E për zgjedhjet e 7 qershorit, KQZ-ja ka vazhduar fushatën informuese përmes SMS-ve, për qendrat e vendvotimeve për qytetarët. E ka përdorur të njëjtën strategji informimi, pavarësisht se në zgjedhjet e 28 dhjetorit shumë qytetarë u ankuan për ndërrim të qendrave të votimit dhe për mungesë informimi paraprak nga KQZ-ja.

Nga KQZ nuk janë përgjigjur gjatë ditës në pyetjet e KOHËS lidhur me këtë.

Ndërkaq, periudha e regjistrimit për votim nga jashtë ka nisur më 6 maj dhe do të përfundojë të dielën. Deri të martën kanë aplikuar rreth 60 mijë shtetas që jetojnë jashtë Kosovës, e që kanë të drejtë vote.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka treguar se deri tash janë aprovuar rreth 50 mijë aplikime, ndërsa rreth 5 mijë janë refuzuar dhe po kaq janë në pritje për shqyrtim.

“Nga 49,493 aplikime të aprovuara, 11,782 shtetas të Kosovës janë regjistruar për të votuar fizikisht në përfaqësi diplomatike, 1,325 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-në në Kosovë dhe 36,386 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare jashtë Kosovës”, ka thënë Elezi.

Shtetet me numrin më të madh të votuesve të regjistruar janë Gjermania me mbi 24 mijë votues, Zvicra me 11 mijë, Franca e Suedia me nga 2 mijë, Austria me 1 mijë e 500, Mbretëria e Bashkuar me 1 mijë e 300, Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 1 mijë e 100 dhe Italia me 1 mijë votues të regjistruar.
Për zgjedhjet e 28 dhjetorit patën aplikuar 84 mijë qytetarë, e për ato të 9 shkurtit 115 mijë.